Ogerta Manastirliu

Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ogerta Manastirliu

Znj. Ogerta Manastirliu ka lindur në Tiranë më 31 dhjetor 1978. Ajo është e martuar dhe është nënë e dy vajzave.

Znj. Manastirliu mban titullin “Doktor i Shkencave”, në “Kimi Analitike dhe Mjedis”. Më herët ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Kimi e Përgjithshme, ku është diplomuar dhe ka marre titullin “Master në Shkencë”, në po të njëjtën degë. Prej vitit 2009 është angazhuar si pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Në vitin 2004 ka nisur karrierën profesionale në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve. Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social. Në këtë detyrë, Znj. Manastirliu ka qenë një nga kontribuueset kryesore në hartimin dhe vënien në zbatim të “Strategjisë Lokale të Strehimit Social”.

Në periudhën 2011-2013, ajo është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si UNFPA, Friedrich Ebert Stiftung etj.

Në periudhën Shtator 2013–Mars 2017, znj. Manastirliu ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza" në Tiranë.

Ajo ka një aktivizim të gjatë në radhët e Partisë Socialiste dhe është anëtare e Asamblesë Kombëtare. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Znj. Manastirliu zotëron gjuhën angleze dhe italiane.