Postuar më: 08 Qershor 2017

Beqiri: Të zbatojmë vendimin për mospjesmarrje në fushatë zgjedhore

Ministri i Shëndetësisë z. Arben Beqiri ka qenë sot në një takim me personelin shëndetësor në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës. Ashtu si në takimet e mëparshme, në institucionet e tjera shëndetësore, z. Beqiri ka theksuar me forcë rëndësinë e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 473, datë 1.6.2017, për mospjesmarrjen e administratës publike në fushatë zgjedhore. Vendim që sipas z. Beqiri duhet njohur dhe respektuar.
 
Gjithashtu, Ministri i Shëndetësisë është shprehur se burimet njerëzore, mjetet dhe materialet e tjera, pronë e administratës shtetërore nuk do të përdoren në asnjë rast për qëllime elektorale por do të jenë vetëm në shërbim të qytetarëve dhe të shëndetit të publikut.
 
Kreu i Shëndetësisë ka siguruar edhe një herë personelin shëndetësor që në asnjë rast nuk do të lejohet presion ndaj tyre për pjesmarrje në fushatë.
Në zbatim të vendimit Nr. 473 datë 1.6.2017, përveç masave të tjera, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion numrin e gjelbër 0800 8111 dhe e-mailet përkatëse ku punonjësit e institucioneve shëndetësore mund të denoncojnë çdo rast abuziv dhe të adresojnë çdo ankesë që mund të kenë ndaj drejtuesve të tyre apo personave të tjerë që tentojnë të veprojnë në kundërshtim me detyrimet ligjore.

Të rejat e fundit