Postuar më: 24 Tetor 2016

Check-up falas: Më shumë qytetarë, më shumë shërbime, pa asnjë kosto ekstra!

Partia Demokratike për rritjen e fashës së grupmoshës për check-up falas:

Përmes një deklarate për media të deputetes Albana Vokshi, Partia Demokratike pretendon se përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave, fasha e grupmoshës që përfiton check-up falas është rritur nga 40-65 vjeç në 35-70 vjeç. Sipas Partisë Demokratike kjo rritje me 350 mijë qytetarë përkthehet në një pagesë 5 milionë euro më shumë në vit ndaj kompanisë që ofron këtë shërbim.

Për rritjen e fashës së grupmoshës për check-up falas:

Është mbushur më se një vit e gjysëm që nga koha (Mars 2015) kur filloi zbatimi i shërbimit të kontrollit shëndetësor falas për të gjithë shtetasit rezidentë në Shqipëri midis moshës 40 dhe 65 vjeç. Gjatë kësaj periudhe, janë diagnostikuar rreth 10,000 qytetarë që nuk e dinin se vuanin nga çrregullime apo sëmundje të zemrës, HTA, diabet, apo sëmundje të tjera, ndërkohë që janë diagnostikuar apo parandaluar edhe rreth 10,000 raste të tjerë gjendjesh kritike të qytetarëve për të zhvilluar sëmundje të ndryshme kardiovaskulare, paradiabetike apo diabetike, etj., të cilët janë trajtuar më tej për sëmundjet e tyre, duke u shpëtuar jetën apo duke parandaluar sëmundje me rrezikshmëri të lartë.

Por në të njëjtën kohë, janë vënë re edhe disa dukuri të tjera: a) sëmundjet kronike (dhe kryesisht ato kardiovaskulare) rezultojnë të jenë prezent edhe në mosha të reja, duke filluar edhe nga ato 40 vjeçare; b) është shtuar numri i personave në moshën mbi 65 vjeç të cilët kërkojnë shërbimin e urgjencës së zemrës; c) sëmundjet e veshkave prekin përherë e më tepër një numër më të madh qytetarësh.

Duke qenë se, falë edhe propagandës kundër pjesëmarrjes në programin e check-up që ka ndërmarrë opozita, numri i qytetarëve që janë bërë deri më tani pjesë e skemës së kontrollit falas ka qenë më i vogël se sa kapaciteti prej 475 mijë diagnostikimesh në vit që garanton financiarisht partneriteti publik privat, qeveria ka vendosur:

a) të zgjerojë grupmoshën e atyre që përfitojnë nga check-up falas, nga 40-65 vjeç në 35-70 vjeç;

b) të shtojë dy lloje të reja analizash në paketën e check-up falas për të parandaluar dhe diagnostikuar në kohë sëmundjet e veshkave.

Në këtë formë i përgjigjemi nevojës për të diagnostikuar problematikat e sëmundjeve kronike që në moshë të re (pas moshës 35 vjeçare), për të ndihmuar edhe ata persona që vuajnë nga këto sëmundje edhe pas moshës 65 vjeçare, si edhe për të trajtuar në kohë dhe në mënyrë më efikase problematikën që lidhet me veshkat.

Për shkak se pjesëmarrja ka qenë nën 475 mijë diagnostikime në vit, këto masa të marra nga qeveria nuk do të kenë asnjë lloj impakti ne buxhetin e vendosur në dispozicion për shërbimin e check-up falas për qytetaret. Do të ketë më shumë qytetarë, që do të përfitojnë më shumë shërbime duke mos shtuar asnjë kosto ekstra.

---###---