Postuar më: 08 Shkurt 2016

Check-Up, jo vetëm leverdi ekonomike, por ka shpëtuar jetë njerëzish

Check-Up, jo vetëm leverdi ekonomike, por ka shpëtuar jetë njerëzish  

Tiranë, 08/02/2016

Koncesionet kanë qenë gjithnjë pjesë e debateve si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë mediatik dhe publik. Ajo që mësë shumti vihet re në këto debate janë motivet nga të cilët nisen aktorët për të shprehur kundërshtit dhe mbështetjen ndaj tyre, sesa cilat kanë qenë dhe janë vlerat konkrete të këtyre koncesioneve. Në këtë vorbull debatesh ka qenë edhe koncesioni për check-up, i cili në jo pak raste është anatemuar, pa u ndalur në faktet konkrete, në arritjet dhe leverdit e këtij koncesioni.

Përtej debateve emocionale dhe konflikteve të interesit, duhet nënvizuar se check-up falas për qytetarët mbi moshën 40 vjeç, jo vetëm ka qenë mjaft i leverdisshëm për qytetarët, pasi nuk ka rënduar në xhepat e tyre, por nga ana tjetër ka arritur të zbulojë në shumë raste edhe probleme shqetësuese shëndetësore të tyre, të cilat “flinin” për një kohë të gjatë në trupin e tyre, dhe personat nuk i dinin.

Check-up ka shërbyer në këtë mënyrë si një “këmbanë alarmi” në mënyrë që personat të cilët i janë nënshtruar këtij procesi të marrin masa, lidhur me problematikat shëndetësore të konstatuara.


Por çfarë përmban check-up?

Paketa e ekzaminimeve përfshin konsulta të hollësishme me fokus konsumin e duhanit, alkoolit, ushqyerjen dhe aktivitetin fizik. Gjithashtu, ajo përfshin ekzaminimin fizik, ku futet matja e presionit të gjakut dhe BMI-ja (indeksi i masës trupore). Paketa ka edhe një sërë ekzaminimesh laboratorike, si: Glicemia, kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride, formula e gjakut, Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC, albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë dhe feçe për gjak. Po ashtu, ka edhe ekzaminime rreth depresionit.

Megjithatë, kjo paketë nuk përmban teste depistimi për sëmundje të tilla, si p.sh., testin e PSA (Prosthate-Specific Antigen) që përodret për kancerin e prostatës, apo depistime të tjera, si p.sh., PAP-Test ose HPV që përdoren për depistimin e kancerit të mitrës, sepse pakteta përmban depistime dhe kontroll bazë që janë specifike për këtë grup-moshë.

Siç vihet re gama është mjaft e gjerë. Nëse një person do të donte të merrte të dhëna mbi shëndetin e tij, nëse këto procese egzaminimi do të kryheshin të ndara veç e veç, atëhere kjo do të rëndonte tej mase buxhetin e tij deri në 80-90 euro. Këto pak a shumë janë edhe shifrat që ofrojnë spitalet private në Shqipëri përsa i përket check-up. Ndërsa ky shërbim nëpërmjet koncesionit të check-up ofrohet falas për qytetarët.


Por cilat kanë qenë rezultatet? 

Ka mjaft raste në mbarë vendin që check-up ka arritur të zbulojë në vetëm gjashtë muaj aktivitet, probleme shëndetësore, që vetë personat që i janë nënshtruar këtij procesi, nuk i kanë ditur.

Zerdeli Janaqi: "Nuk e dija fare për kolesterolin, derisa bëra check-up-in."

Rasti i banores së kryeqytetit, Zerdeli Janaqi, që banon në Laprakë, është një rast klasik. Ajo e dinte se organizmi i saj shëndetësor përballej me diabetin, por nuk e dinte se ajo kishte probleme dhe me kolesterolin, yndyrnat dhe infeksionin urinar.

“Unë vuaja vetëm nga diabeti. Por kur bëra kontrollin e chek up më dolën vlerat shumë të larta dhe mjekët vendosën që të ndryshoj ilaçet. Por ky kontroll nuk më tregoi se kisha vetëm këtë problem por edhe shumë të tjera. Kisha probleme me kolesterolin, yndyrnat në gjak dhe një indeksion urinar. Mjekët më treguan se ku duhet  të ndiqem dhe çfarë të bëj”, thekson ajo.

Sipas saj, tani diabetin e ka në vlera normale, pasi përveç ilaçeve ka rregulluar edhe dietën ushqimore. “Kurse për problemet e tjera u mjekova dhe kam shumë pak probleme. Nëse nuk do të më ishte bërë ajo vizitë, unë nuk do kisha shkuar tek mjeku apo për të bërë analiza, por thjesht do të merrja ilaçet e diabetit ashtu sikurse edhe më parë” nënvizon Janaqi.

Etem Keqaj: "Zemra ime nuk funksiononte mirë, por unë nuk e dija këtë"

Zerdelia nuk është një rast i izoluar. Edhe Etem Keqaj banor në kryeqytet, në njësinë nr.5, pas kryerjes së chek up ka rezultuar me tension të lartë dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Ai e dinte që herë pas here kishte luhatje të tensionit dhe kjo sidomos gjatë stinës së verës. “Kam kryer vizita dhe më parë tek mjeku kardiolog, por jo vizita kaq të detajuara. Kur bëra Chek up dola që përveç  tensionit të lartë kisha edhe probleme me rrahjet e zemrës. Mjekët dhe infermierët që më intervistuan tek kontrolli më sugjeruan të ndiqem çdo muaj tek mjeku i familjes. Sot jam shumë më mirë, nuk kam më ato problemet me marrje mendsh, apo lodhje të shpejtë”, shprehet Etemi.


Leverdia ekonomike

Nisur nga rastet konkrete, dhe të tilla ka shumë në të gjithë Shqipërinë, vlerësohet se chek- up, jo vetëm është një leverdi ekonomike për familjet shqiptare, por nga ana tjetër, ndihmon seriozisht për të zbuluar falas problemet shëndetësore, të cilat në rrugë të tjera një familjeje shqiptare do t'i kushtonte qindra euro.

Në këtë mënyrë, të gjithë ata persona të cilët rezultojnë me probleme shëndetësore, do të mund të marrin masa për mbarëvajtjen e shëndetit, jo vetëm duke kursyer para, por edhe duke marrë mjekimin e duhur për rastet e konstatuara. 

---###---