Postuar më: 08 Qershor 2017

Gjendja e pacientëve në spitalin e Peshkopisë, e stabilizuar. Situata nën monitorim nga MSH

Ministria e Shëndetësisë është njoftuar se në datën 05.06.2017 janë paraqitur pranë Drejtorisë Rajonale Shëndetësore (DRSH) të Qarkut Dibër dy denoncime në lidhje me një intoksikim alimentar(helmim ushqimor). Menjëherë nga marrja e njoftimit, Ministria e Shëndëtësisë ka kërkuar përmes strukturave shëndetësore në Qarkun e Dibrës vlerësimin e situatës.

Ditën e Martë më dt. 6/6/2017 në urgjencën e spitalit rajonal Peshkopi janë paraqitur raste me të njëjtat simptoma: diarre, të vjella, dhimbje abdominale, këputje,temperaturë dhe djersitje. Strukturat shëndetësore të vëna në lëvizje janë thelluar në informacionin e përcjellë nga pacientët ku rezultonte të kishin konsumuar tortë në një nga pastiçeritë e qytetit (nga e njëjta pastiçeri).  

Personat e paraqitur në spital janë familjarë nga njësitë administrative të ndryshme të bashkisë Peshkopi.

Duke qenë para kësaj situate, DRSH e Dibrës në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) shkuan në pastiçerinë e mësipërme për të hetuar nga afër situatën.

Nga DRSH u morën mostra nga personat që janë punonjës të lokalit (koprokulturë), produktet e prodhuara si dhe ujin e pijshëm që përdoret për gatimin e ëmbëlsirave.

Shërbimi i epidemiologjisë së DRSH ka shkuar në çdo shtëpi të personave të intoksikuar për të marrë mostër torte për analizë, por nuk gjeti në asnjë shtëpi. Ishte ngrënë ose ishte hedhur.

Në spital janë marrë gjithë mostrat e domosdoshme për analiza mikrobiologjike, korpokulturë.

Ndërsa nga ISHSH u bë mbyllja e objektit deri në një afat të daljes së analizave mikrobiologjike.

Nga analiza e ujit të depozitës së lokalit ka dalë pa ngarkesë mikrobike.                   

Prej ditës së hënë, kur është paraqitur edhe rasti i parë me simptomat e sipër pëmendura e deri në datën 7 (e mërkurë)  pasdite, janë vizituar 95 pacientë. Nga të cilët 45 janë mbajtur në kujdes spitalor për perfuzione, ndërsa 50 të tjerë kanë marrë shërbim ambulator e më pas janë larguar për në shtëpi.

Nga monitorimi i situatës, gjatë pasditës së dt.07.06.2017 dhe sot në datë 08.06.2017 nuk ka patur asnjë rast të vizituar me këto simptoma.

Gjatë gjithë kësaj periudhe institucionet e vartësisë të Ministrisë së Shëndetësisë në këtë bashki, kanë monitoruar dhe vazhdojnë të monitorojnë situatën e këtij intoksikacioni.

Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet drejtorive përkatëse është në lidhje të vazhdueshme me këto institucione.

Ministri Shëndetësisë Z. Arben Beqiri e ka ndjekur nga afër situatën që në momentet e para.

Për njohjen nga afër me situatën është nisur për në Peshkopi edhe Zv. Ministër Znj. Mira Rakacolli.