Postuar më: 14 Qershor 2017

MSH: Pezullohen lejet vjetore, nuk ka kufizim apo ndalim për pushimet e tjera të paguara

Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur shqetësimin e ngritur nga televizioni Top Channel lidhur me zbatimin e Urdhrit Nr. 277 datë 01.06.2017 “Për pezullimin e lejeve vjetore të funksionarëve, nënpunësve dhe punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe të institucioneve të vartësisë për periudhën 01.06.2017- 25.06.2017”.

Sipas kronikës së transmetuar në këtë televizion ditën e djeshme, Lumturie Hasa, infermiere në Qendrën Shëndetësore Nr. 3 në Tiranë, pretendohet se nuk ka marrë lejen e kërkuar, pasi e ndalon Urdhri i Ministrit, Nr. 277, datë 01.06.2017.  

Referuar këtij rasti Ministria e Shëndetësisë sqaron, si më poshtë:

Pushimet vjetore si dhe periudha e pushimeve vjetore janë të parashikuara në Kodin e Punës dhe specifikohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 511, datë 24/ 10/ 2002 “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”.

Urdhri Nr. 277 datë 01.06.2017 që pezullon LEJET VJETORE për periudhën 01.06.2017 -25 .06.2017, i nxjerrë në zbatim të këtyre akteve ligjore dhe nënligjore i referohet vetëm pushimeve vjetore të paplanifikuara dhe në asnjë rast nuk citon kufizime apo ndalime për pushimet e tjera të paguara, të planifikuara për punonjësit, siç është dhe rasti në fjalë i infermieres.

Kështu që, kushdo që ka kërkuar leje pranë Ministrisë së Shëndetësisë për arsye të veçanta që nuk kanë lidhje me fushatën elektorale nuk i është mohuar nga ana jonë.