Postuar më: 14 Qershor 2017

MSH pranë pacientëve të ardhur nga Kukësi

Ministria e Shëndetësisë është njoftuar se në datën 13.06.2017 janë paraqitur në spitalin e Rrëshenit 3 raste me këto shqetësime, si : këputje të përgjithshme, të vjella, debulesë, heqje barku. Të rinjtë kanë qënë pjesë e një grupi që po ktheheshin nga një miting rreth orës 20:00- 21:00 të po kësaj date (13.06.2017), ku mësohet se janë ndalur të konsumojnë ushqim në një nga lokalet në dalje të Kukësit.

Për një periudhë shumë të shkurtër, pasi kanë marrë shërbim në spitalin e Rrëshenit, 3 të rinjtë janë ndjerë shumë mirë dhe kanë kërkuar të shkojnë në banesat e tyre në Tiranë.

Në vazhdim të rrugës, në afërsi të Fushë Krujës edhe 6 persona të tjerë kanë ankuar të njëjtat simptoma, të cilët pasi janë parë nga mjekët e urgjencës së Fushë Krujës janë nisur në drejtim të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Menjëherë nga marrja e njoftimit të parë, Ministria e Shëndetësisë ka qënë prezente nëpërmjet institucioneve të saj qëndrore dhe lokale ku është kërkuar vlerësim i menjëhershëm i situatës.

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor Kukës dhe Drejtoria Rajonale Shëndetësore Kukës, kryen mbylljen e lokalit dhe marrjen e mostrave përkatëse për analizat.

Në Tiranë, ekipi i krijuar nën drejtimin e Drejtorit të Kabinetit pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Kryeinspektorit Shtetëror Shëndetësor, Drejtuesit të Urgjencës Kombëtare dhe Drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ndoqën nga afër situatën e pacientëve deri në orën 02:00 pas mesnate kur nuk pati më raste të reja.

Ndërkohë, sipas raportimeve të marra paraditen e sotme situata paraqitet e qetë. Pacienti i fundit është larguar në orën 8:00 të mëngjesit.

Ministria e Shëndetësisë është në ndjekje të problemit dhe po operon hap pas hapi deri në sqarimin e plotë të situatës.