Postuar më: 31 Korrik 2017

MSH reagon për dhunën ndaj mjekut në spitalin Rajonal të Shkodrës

Ministri i Shëndetësisë dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj mjekut kirurg B.G në spitalin Rajonal të Shkodrës.
 
Ministri i Shëndetësisë inkurajon organet kompetente që të marrin masa të menjëhershme deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Mbrojtja e personelit shëndetësor nga dhuna, krijimi i një sistemi të sigurt brenda spitaleve, por edhe jashtë tyre, duhet vlerësuar me prioritet.
 
Është përgjegjësi e shtetit që të sigurojë kushtet e nevojshme që të shmangë çdo përplasje apo sulm fizik midis mjekëve dhe pacientëve si dhe të mos kriminalizojë askënd derisa fajtori të provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
 
Në misionin e tij human për mbrojtjen e shëndetit, zbulimin dhe mjekimin e sëmundjeve, mjeku bazohet në shkencë dhe në ndërgjegjen e tij por ka nevojë për mbështetjen e mbarë opinionit publik dhe shtetit shqiptar deri në përmbushjen e këtij misioni.
 
Personeli shëndetësor po kontribuon për statusin aktual shëndetësor të vendit dhe demoralizimi nga ngjarje të tilla mund të reflektojë mbi këtë kontribut.
 
Ministria e Shëndetësisë është e angazhuar që të krijojë kushtet  për një ambient miqësor midis personelit shëndetësor dhe pacientit me qëllim ofrimin e një kujdesi shëndetësor sa më cilësor dhe në kohë.
 

Të rejat e fundit