Postuar më: 14 Qershor 2017

Reagim: Msh dënon mitmarrjen dhe dhunën në sistemin shëndetësor

Duke marrë shkas nga pamjet e transmetuara mbrëmjen e kaluar (13 qershor 2017) në emisionin investigativ “STOP” në televizionin Klan, i cili zbuloi një skemë mitmarrje në Poliklinikën numër 10, në Kryeqytet ku një qytetare merr lehtësisht një raport mjekësor për 10 mijë lekë të vjetra, Ministria e Shëndetësisë njofton si më poshtë:

Menjëherë pas transmetimit të pamjeve, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Autoriteti i Ministrisë së Shëndetësisë dënon ashpër çdo akt mitmarrje kundrejt qytetarëve në rastet e ofrimit të shërbimit shëndetësor të kërkuar. Si dhe i bën thirrje personelit shëndetësor që të veprojë në përputhje me ligjin në dhënien e raporteve mjekësore.

-Në pjesën e dytë të emisionit u denoncua dhuna ndaj mjekut Arjan Aliko.

Personeli shëndetësor është një faktor shumë i rëndësishëm i sistemit shëndetësor prandaj Ministria e Shëndetësisë i kërkon popullatës që të respektojë bluzat e bardha në pozicionin e tyre të punës.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë inkurajon institucionet ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt të çështjes, konform ligjeve.

Ministria e Shëndetësisë do të jetë gjithmonë në krah të personelit shëndetësor për të krijuar një ambjent të qetë dhe të sigurt për dhënien e shërbimit cilësor. Si dhe do të jetë gjithashtu krah popullatës për të marrë kujdesin shëndetësor të kërkuar, në kohë dhe me cilësi.