Postuar më: 19 Shkurt 2016

Reforma për Shëndetësinë FALAS, është në Drejtimin e Duhur!

Realizuam 1.2 miliardë lekë investime të brendshme deri në 2015,
dhe po investojmë edhe 2.5 të tjera deri në fund të 2017 për spitalet
Po PD çfarë bëri për tetë vjet me rradhë?
Përveç 40 milionë USD borxheve dhe mjerimit ku e la shëndetësinë shqiptare, investoi ZERO lekë në Spitalin e Laçit!

Tiranë, 19/02/2016
Në përgjigje të deklaratës së Deputetes së Partisë Demokratike, znj. Albina Dede, lidhur me gjendjen në spitalin e Laçit, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë, sërish, opinionin publik se është e vertetë që gjendja e spitaleve sot në vend nuk është ajo që do të dëshironim të ishte, pavarësisht përpjekjeve, mundit dhe përkushtimit tonë, dhe se sigurisht, mbetet ende shumë për të bërë.
Por pavarësisht shlyerjes në kohë rekord të 40 milionë dollarë borxheve që trashëguam, ngritjes së kantierit të shëndetësisë dhe nisjen e reformës më të guximshme që është ndërmarrë ndonjëherë në sektorin e shëndetësisë shqiptare, situata mjerane që trashëguam nga keqmenaxhimi dhe keqqeverisja për 20 e kusur vjet me rradhë, nuk mund të zhbëhen sa hap e mbyll sytë në vetëm dy vjet.


Por, sigurisht, JEMI NË RRUGËN E DUHUR!
Spitali i Laçit dhe shumë prej spitaleve të tjera në vend janë në gjendje të mjerueshme tërësisht për faj të PD-së, ndërkohë që ne po ndërtojmë përditë, të vendosur në rrugën tonë për reformimin rrënjësor të shëndetësisë.
Ajo çfarë kemi bërë në këto dy vjet e gjysëm për Shërbimin Spitalor, është lehtësisht e prekshme dhe e verifikueshme për këdo.
Deri në fund të vitit 2015, kemi investuar 1.2 miliardë lekë në sistemin spitalor në vend, dhe përkatësisht:


Shërbimi i Neurologjisë - 241 milonë lekë
Shërbimi i Djegie-Plastikës - 160 milionë lekë
Shërbimi i Kardiokirurgjisë - 43 milionë lekë
SU Shefqet Ndroqi - 313 milionë lekë
Spitali Universitar i Traumës - 166 milionë lekë
Spitali Psikiatrik Vlorë - 235 milionë lekë
Maternitetet e Tiranës - 79 milionë lekë


Ndërkohë, që deri në fund të vitit 2017, pritet të realizohen rreth 2.5 miliardë lekë investime, si në vijim:
Bunkeri dhe LINAC QSUT - 848 milionë lekë
Qendra e Konsultave QSUT - 111 milionë lekë
Materniteti i Gjirokastrës - 149 milionë lekë
SU Shefqet Ndroqi - Faza III - 162 milionë lekë
Spitali Universitar i Traumës - 840 milionë lekë
Spitali i Sarandës - 280 milionë lekë
Spitali Rajonal i Shkodrës - 143 milionë lekë


Në vetëm 2 vjet e gjysëm, kemi arritur që duke filluar nga ky vit, mjekun e familjes ta vëmë në dispozicion të njerëzve, pa pagesë. Pra, edhe shërbimi i mjekut të familjes është sot FALAS. Dhe padyshim, që duke ecur vendosmërisht deri në fund të këtij procesi, edhe shërbimi në spitale do të jetë FALAS.
Nëpërmjet chek-up-it po krijojmë një bazë të rëndësishme të dhënash dixhitale për gjendjen shëndetësore të gjithsecilit në grupmoshën 40-65 vjeç, dhe duke bërë këtë kontroll shëndetësor FALAS, ju kursejmë qytetarëve 51 mijë lekë.
Po ashtu, prej 1 Shkurtit, në shërbimin tonë Parësor, Ambulator dhe atë Spitalor, ka një ulje të ndjeshme nga 4-6, e deri në 10 herë të tarifave të ekzaminimeve shëndetësore, duke ofruar më tepër mundësi për të marrë një shërbim shumë më të lirë sot, edhe duke ecur vendosmërisht në rrugën e ndërtimit të një sistemi shëndetësor me Mbulim Universal, ku nuk ka rëndësi nëse je i varfër, apo je i pasur, nëse ke apo s’ke lekë, shërbimin shëndetësor e merr njësoj, me të njëjtin dinjitet.


Pra, JEMI QARTËSISHT NË RRUGËN E DUHUR!
Së fundi, Partia Demokratike dhe zëdhënësit e saj bëjnë shumë mirë që sjellin në vëmendje të opinionit publik problemet dhe sfidat me të cilat ndeshet shëndetësia shqiptare.
Por, do të ishte e udhës, gjithashtu, që bashkë me aktin e denoncimit, të merrnin përsipër përpara shqiptarëve edhe përgjegjësinë për gjendjen e mjeruar në të cilën i kanë lënë për 20 e kusur vjet spitalet e vendit, dhe posaçërisht, spitalin e Laçit, ku qeverisja e Partisë Demokratike investoi ZERO lekë për tetë vjet me rradhë në këtë institucion.

---###---