Postuar më: 13 Prill 2016

Shpifjet dhe përbaltja nuk e ndalin angazhimin tonë në luftën kundër kancerit!

Shpifjet dhe përbaltja nuk e ndalin angazhimin tonë në luftën kundër kancerit!

Tiranë, 13/04/2016

Pas bllofit me deklaratën e ditës së hënë, ku Ministria e Shëndetësisë provoi me fakte, me zë dhe me figurë, se pretendimet për gjoja mosfunksionimin e pajisjeve të kobaltoterapisë dhe akuzat e tjera për shërbimin e Onkologjisë në QSUT ishin kryekëput gënjeshtra, deputetët e PD-së ndërmorrën sot ekspeditën e “verifikimit” të fakteve në terren kundër çdo rregulli të etikës dhe deontolgjisë me kamera në mjediset ku kurohen pacientët në gjendje të rënduar.

Dhe siç mund të shihet, sot deputetët e PD-së nuk kanë përmendur asnjë emër të ndonjë bari të veçantë, pasi ka kohë që mungesat në këtë shërbim janë minimale.

Po ashtu, vijojnë me deklaratat e painformuara që tregojnë se sa pak e njohin realitetin e sotshëm të shërbimit të kujdesit shëndetësor edhe kur flasin për praktikën e përditshme të punës gjë që është lehtësisht e verifikueshme.

Kështu, një mjek kryen nga 6 deri në 12 seanca kimioterapie në ditë, ndërkohë që të gjithë mjekët bashkë kryejnë rreth 80 seanca në ditë. Sigurisht, po të pyesësh një mjek të vetem ai të jep përgjigje vetëm për seancat që bën ai vetë.

Kobaltoterapia nuk është ndërprerë për asnjë moment si shërbim. Sigurisht, që pajisjet defektohen, por sot ato rregullohen shpejt, ndryshe nga sorollatjet dhe kohët e pritjeve pafund të vetëm 2 viteve më parë.
Gjithashtu, burimi radioaktiv që përdoret në shërbimin e kobaltoterapisë, kontrollohet periodikisht nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjise Atomike në Vjenë, si autoriteti më i lartë teknik dhe shkencor i kësaj fushe në Botë. Nëse është i papërdorshëm, atëherë është Agjencia që nuk të lejon ta përdorësh.

Ndërkohë, sot, në shërbimin e Onkologjisë është vënë në funksionim ECHO e re, me një vlerë rreth 25 mijë euro.

Gjithashtu, jo më larg se dje, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike përgëzon Shqipërinë për rikonfirmin e angazhimit të saj në luftën kundër kancerit, duke financuar 700,000 euro dhe duke ndarë koston me IAEA për Akseleratorin e dytë Linear në shërbimin e Onkologjisë në QSUT

Pacientët shqiptarë që vuajnë nga kanceri kanë tashmë mundësi të përfitojnë nga shërbimi i ofruar nga teknologjia më e fundit që përdoret sot në botë për trajtimin me shërbimin radioterapie, ndërkohë që marrëveshja e re MSH-IAEA përfshin gjithashtu edhe fuqizimin e shërbimit të radioterapisë, mjekësinë bërthamore dhe shërbimin e regjistrit të kancerit në Shqipëri.

Përsa i përket pajisjes tjetër për trajtimin e kancerit të qafës së mitrës, është e vërtetë që në QSUT një pajisje e tillë, e cila ka ardhur me donacion, nuk funksionon prej 3 vitesh, pasi nuk ofrohet askush që ta mirëmbajë.

Ndërsa, për pretendimet se personeli është urdhëruar të mos i shoqërojë deputetët e PD-së, këto janë thjesht e vetëm trillime.

Sigurisht që deputetët e PD-së janë në të drejtën e tyre të pretendojnë më të mirën për shërbimin onkologjik, por kjo nuk do të thotë se kanë të drejtën të luajnë politikisht me emocionet dhe vuajtjet e pacientëve shqiptarë dhe familjarëve të tyre duke instrumentalizuar dhimbjen dhe traumën që shkaktojnë këto sëmundje.

E pavarësisht gjithçkaje, shpifjet dhe përbaltja nuk e ndalin angazhimin tonë në luftën kundër kancerit, kur vetëm në 2 vjet e gjysëm kemi mundur të realizojmë aq sa nuk janë bërë në 25 vjet.

---###---