Postuar më: 03 Shkurt 2016

Të vendosur për reformimin rrënjësor të sistemit të kujdesit shëndetësor!

Të vendosur për reformimin rrënjësor të sistemit të kujdesit shëndetësor!

Jemi në drejtimin e duhur! Përbaltja dhe shpifjet nuk do të na ndalin në rrugën tonë!

Deklaratë për media e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj

Tiranë, 03/02/2016

Unë hyj ndër ata shumë shqiptarë që kanë besuar gjithnjë se sistemi i shëndetësisë duhet të ndryshoje me themel. Dhe si ministër i kësaj Qeverie, që kryefjalë të çdo dite ka fjalen Reformë, jam i gatshëm të përballem me çdo akuzë, shpifje, kritikë apo rezistencë ndaj reformimit rrënjësor të sistemit të kujdesit shëndetësor.

Që të thuash sot se sistemi i urgjencës është mirë siç është, zor se bind dot edhe veten, jo më të tjerët.

Dhe ne, do ta reformojmë thellësisht sistemin e Urgjencës Mjekësore. Jemi angazhuar në Programin e Qeverisë, e kemi analizuar dhe studiuar në dy vjet, dhe ja çfarë po bëjmë për të zbatuar angazhimin tonë Programor për një ndryshim rrënjësor të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore:

1. Ne kemi një ligj të ri për shërbimin e urgjencës mjekësore dhe Vendimin për krijimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore;

2. Për herë të pare finacimi i Urgjencës Mjekësore është Program i veçantë buxhetor, kur miratohet Buxheti vjetor i Shtetit nga Kuvendi i Shqipërisë;

3. Ne po ngremë institucionin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, dhe po ndërtojmë godinën e kësaj qendre (QKUM);

4. Këtë vit, do të prokurojmë Sistemin e Komandës dhe Kontrollit të kësaj qendreje.

Megjithatë, këto ndoshta nuk kanë shumë rëndësi për qytetarët. E rëndësishme është se çfarë presim ne nga ky ndryshim radikal:

Ne presim një sistem kombëtar të urgjencës mjekësore që i përgjigjet shpejt dhe me cilësi urgjencës në të gjithë territorin e vendit. Me standarde në kohën e mbërritjes, me cilësi në shërbimin e urgjencës për të patur më shumë jetë të shpëtuara dhe për të patur një invaliditet më të pakët në numër.

Që nga data 1 nëntor 2015, ne ndjekim çdo ditë se çfarë bën secila nga autoambulancat e sistemit spitalor në vend.

Që nga data 1 dhjetor 2015 ne dokumentojmë saktësisht se çfarë ndodh në çdo rast që ka nevojë për një thirrje urgjence në territorr.

Ne kemi një flotë autoambulancash, që po ta krahasojmë me vendet e tjera, është e mjaftueshme për të patur një cilësi shumë më të mirë dhe shpëjtësi shumë më të mirë në kërkesat që vijnë nga territori. Por, kjo flotë është e menaxhuar keq dhe e vendosur keq në territor.

Praktikisht, më shumë se 2/3 e rasteve që paraqiten në urgjencat tona spitalore, janë njerëz të cilët vijnë me mjetet e veta, sepse ne nuk jemi të zotë t’i përgjigjemi në kohë nevojës për urgjencë në territor. Praktikisht, të dhënat e këtyre tre muajve na tregojnë se ajo flotë autoambulancash përdoret shumë pak përgjatë 24 orëve. Kilometrat që përshkruhen gjatë ditës janë shumë të pakta.

Ndërkohë, po të vijmë konkretisht tek Urgjenca e Tiranës, ajo qendër e vetme duhet t’i përgjigjet të njëjtit territor ashtu sikurse edhe para 30 vjetësh, i cili është trefishuar nga popullsia, me shtrirje në shumë zona, ku qytetarët të cilët kanë jetesën e përhershme, apo atë që në konceptin profesional quhet Permanent Settlement Areas (Zonat e Përhershme të Vendbanimit).

Prandaj, për këto arsye, ne këtë vit do ta rrisim ndjeshëm volumin e punës së Urgjencës Mjekësore duke pasur më shumë skuadra në dispozicion të urgjencave në territor.

Praktikisht, përveç Tiranës në çdo pjesë tjetër të Shqipërisë, Urgjenca Mjekësore është e vendosur në spital, dhe prej aty, autoambulancat drejtohen aty ku është thirrja. Pra, për qytetarët e Tiranës nuk do të ndryshojë asgjë; do t’i bien të njëjtit numër telefoni, por ne shpresojmë që përgjigja ndaj tyre të jetë shumë më e shpejtë.

Ky të jetë ndryshimi rrënjësor që duam të arrijmë brenda muajit mars, sepse sot në Tiranë, vetëm tre autoambulanca janë në gjendje për t’iu përgjigjur thirrjeve.

Ndërkohë, ne besojmë që brenda marsit, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, nga flota jonë prej 190 autoambulancash, të paktën 2/3 do të jenë në çdo moment në shërbim të qytetarëve.

Personeli mjekësor nuk do të ndryshojë asnjë gjë; do të jetë po i punësur në institucion shëndetësor, do të ketë po të njëjtin shpërblim. Madje, nga një institucion (i shërbimit) Parësor, tashmë do të jenë pjesë e spitaleve, madje pjesë e spitaleve universitare. Sigurisht, aty do të rrisin edhe cilësinë e tyre profesionale.

Ne kemi investuar deri tani 11 milionë dollarë për përmirësimin e Shërbimit të Urgjencës në Shqipëri. 20 autoambulanca të reja, një helikopter të ri mjekësor, dhe padyshim, përmirësim të ndjeshëm në Qendrën e Komandës dhe të Kontrollit.

Vetëm për autoambulancat e Tiranës, këtë vit, ka para në buxhetin vjetor të ministrisë për të fuqizuar kapacitetin e tyre me infrastrukturë dhe pajisje mjekësore brenda autoambulancave. Ndërkohë, që për këdo që nuk është i informuar, qoftë ky mjek, qytetar, apo njeri i medias, mund të shkoni të vizitoni se sa të mira i ka mjediset e urgjencës Spitali “Shefqet Ndroqi”, që është i gatshëm të presë edhe aty urgjencë.

Por, edhe një herë, qytetarët do të marrin në të njëjtin numër. Do të ketë një qendër që do të shpërndajë autoambulancat kur, dhe ku, është nevoja, dhe ashtu sikurse deri më sot, mjekët dhe infermierët kur të triazhojnë rastin aty, do të vendosin se në cilin spital do ta çojnë pacientin, ashtu sikurse bëjnë edhe sot.

Një urgjencë që thirret sot në Urgjencën e Tiranës kur shkon tek pacienti e triazhon dhe aty vendoset nëse është për traumë, është për QSUT-në apo është për në Senatorium. 

Së fundi, dua të them se është e qartë që Partia Demokratike ka vendosur ta shpenzojë kohën e mandatit të saj të parë në opozitë për të përbaltur me shpifje e sharje çdo reformë.

Puna e tyre.

Kanë vendosur të më përbaltin mua personalisht duke shpifur për çdo vendimmarrje, që në fakt bëhet në funksion të reformës në sistemin shëndetësor, rritjes së cilësisë së shërbimit, uljes së çmimit të barnave, lehtësimit të të sëmurëve që kanë nevojë për hemodializë, parandalimit të sëmundjeve përmes Check-Up, etj...

Puna e tyre.

Unë nuk tërhiqem, sepse ky është drejtimi i duhur për të arritur rezultatet që shqiptarët presin nga puna e shërbimit të kujdesit shëndetësor shqiptar.

---###---