Postuar më: 22 Prill 2016

Beqaj: 100 milion lekë për blerjen e protezave të Spitalit të Traumës

- Ministri i Shëndetësisë ka pohuar se nga qershori më shumë skuadra të mjekëve dhe autoambulancave do të jenë në terren për t’iu përgjigjur urgjencave mjekësore

- 5 milion euro investime me pajisje mjekësore këtë vit në Spitalin e Traumës, të kredisë italiane që ishte bllokuar prej 10 vjetësh

- Investime të rëndësishme në Urgjencën Mjekësore në territor, përveç 20 autoambulancave të reja dhe 1 helikopteri të ri

Tiranë, 22/04/2016 – Plot 100 milionë lekë do të përdoren për blerjen e protezave për pacientët që kanë pësuar trauma të ndryshme. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj sot (22/04/2016) gjatë Konferencës së 2-të Kombëtare të Traumës. “Nëse spitali nuk ka sot proteza, kjo nuk është as faji i mjekëve dhe as përgjegjësi e mjekëve, por të paktën, me buxhetin e këtij viti, meqenëse këtu u fol se në fund të fundit duhen edhe para për të bërë më shumë për traumën, janë 100 milion lekë të reja në dispozicion, vetëm për të blerë proteza. Sigurisht, me të drejtë duhet të blihen sa më shpejt, por bashkë me përfaqësuesit e QSUT-së dhe Spitalit të Traumës kemi kaluar një periudhë të parë dhe na është dashur ta bëjmë sa më mirë dhe në mënyrë sa më të qëndrueshme që pastaj, nga ky vit e në vazhdim, të kthehet në një procedurë që bëhet në mënyrë shumë më rutinore,” ka pohuar gjatë fjalës së tij kreu i shëndetësisë.

Por, një tjetër projekt që do të nisë në qershor të këtij viti ka të bëjë me shpërndarjen e autoambulancave në territorin e vendit, në mënyrë që ato të shkojnë sa më shpejt pranë vendeve të aksidenteve, ndërsa aktualish, është shtuar edhe numri i mjekëve dhe infermierëve që do të punojnë në këto skuadra. “Unë besoj se, brenda qershorit, me atë flotë aktuale autoambulancash që kemi, ne do të kemi më shumë skuadra që të mund t’i përgjigjen thirrjeve në territor, duke u përpjekur ta dekoncentrojmë pozicionimin e autoambulancave në territor të paktën nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 11:00 të natës, jo vetëm në spitale siç është sot, por edhe në pika ku, praktikisht, inxhinierët e gjeo-hapësirës po përcaktojnë si pika më optimale,” theksoi Beqaj.

Sipas tij, brenda muajit korrik do të nisë edhe blerja e më shumë pajisjeve mjekësore të cilat do të jenë brenda autoambulancave në mënyrë që pacientëve tu ofrohet ndihma e parë edhe gjatë kohës së transportit. “Padyshim nuk mjafton që ajo të jetë vetëm një mjek motorik që shkon në kohë. Duhet të jetë e pajisur me pajisjet e nevojshme mjekësore për urgjencat dhe traumat. Brenda korrikut me një pjesë të buxhetit të shërbimit kombëtar të urgjencës ne do të pajisim disa autoambulanca me shumë pajisje tepër më të mira brenda” pohuar Beqaj, duke theksuar se gjatë këtyre viteve është ulur numri i traumave në rang vendi.

---###---

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim:

Mirëdita të gjithëve,

Së pari, përgëzime për organizimin e Konferencës si dhe për angazhimin që ta ktheni këtë konferencë në një aktivitet të përvitshëm të profesionistëve të shëndetësisë që lidhen kryesisht me traumën.

Një falënderim i veçantë duhet tu shkojë edhe mysafirëve që kanë ardhur nga jashtë, që janë sot prezentë, figura të rëndësishme evropiane dhe botërore të traumatologjisë.

Profesor Leppäniemi (Dr. Ari Leppäniemi, Ish-President i Shoqatës Evropiane të Traumës dhe Kirurgjisë së Urgjencës) tha që përgjigja ndaj traumës bëhet me një sistem. Sigurisht, që janë hallkat apo pjesët e të gjithë këtij sistemi të cilat nëse në vetvete janë të ndërtuara mirë, por edhe të ndërthurrura mirë, ne mund të arrijmë të kemi rezultate edhe më të mira në kujdesin shëndetësor ndaj qytetarëve tanë.

Kjo pjesë, sigurisht, fillon me parandalimin dhe duhet të shkojë deri te rehabilitimi. Parandalimi, është në radhë të parë minimizimi i shkaqeve që të çojnë në trauma, dhe sigurisht, nëse unë si ministër i shëndetësisë, apo Qeveria, përpiqet të thotë se çfarë është bërë që nga dita që është në detyrë, me të drejtë publiku, media, opozita, profesionistët, gjithmonë kanë detyrë të evidentojnë se çfarë ngelet për t’u bërë. Aq më shumë, kur vjen puna tek kujdesi shëndetësor nuk ka tavan, gjithmonë, me të drejtë, njerëzit kërkojnë më të mirën, sepse e meritojnë më të mirën.

Nga statistikat 2-3 vjeçare në Spitalin e Traumës vijnë të dhëna që numri i traumave nga aksidentet që paraqiten në spital ka ardhur duke u ulur, ose të paktën, nuk është rritur, dhe kjo besoj unë mund të asociohet edhe me përpjekjet që Qeveria ka bërë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, dhe sidomos, sinjalistikën rrugore.

Ne, sigurisht, në rrjetin tonë rrugor i kemi disa hot spot-e ku kemi më shumë numra të raportuar të traumave. Por padyshim, shumë më e rëndësishme është përgjigjia sa më e shpejtë. Sigurisht që, kush pret një autoambulancë i duket çdo sekondë pa mbarim, por të paktën, ne kemi që nga data 1 nëntor 2015 një sistem shumë më të detajuar me teknologji të avancuar që monitorojmë në mënyrë transparente përgjigjen ndaj çdo thirrjeje për një autoambulancë në territorin e vendit.  

Nëse ka pasur raportime të ditëve të fundit që u vonua autoambulanca 40 – 50 – 60 minuta, të paktën, këto raste janë të provuara, të dokumentuara dhe mund t’i shohë kushdo, që përgjigja ka qenë brenda 10 apo 15 minutash. Duhet ta shkurtojmë kohën e përgjigjes, por sot, sidoqoftë, e kemi mundësinë ta kemi më të matshme, më të kontrollueshme, dhe sidomos, me elementë autokontrolli.

Unë besoj se brenda qershorit, me atë flotë aktuale autoambulancash që kemi, ne do të kemi më shumë skuadra që të mund t’i përgjigjen thirrjeve në territor, duke u përpjekur ta dekoncentrojmë pozicionimin e autoambulancave në territor të paktën nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 11:00 të natës, jo vetëm në spitale siç është sot, por edhe në pika ku, praktikisht, inxhinierët e gjeo-hapësirës po i përcaktojnë si pika më optimale.

Padyshim nuk mjafton që ajo të jetë vetëm një mjek motorrik që shkon në kohë. Duhet të jetë e pajisur me pajisjet e nevojshme mjekësore për urgjencat dhe traumat. Brenda korrikut, me një pjesë të buxhetit të shërbimit kombëtar të urgjencës, ne do të pajisim disa autoambulanca me shumë pajisje tepër më të mira brenda.

Pastaj vjen momenti i tretë, që ka të bëjë me kompetencat profesionale të njerëzve që ne kemi sot në këto autoambulanca. Janë bërë përpjekje, ka pasur mbështetje edhe nga partnerë të huaj për të rritur cilësinë profesionale të personelit infermieristik apo mjekë, që i përgjigjen këtyre urgjencave.

Sigurisht pastaj vijmë tek, çfarë ofrojmë në spitale? Çfarë mundësie kemi sot në spitalet rajonale apo në Spitalin Universitar të Traumës. Kemi bërë përmirësime me investime të mirëfillta të buxhetit në diagnostikë, laboratorike dhe imazherike. Dhe volumet e punës të bëra në Spitalin Universitar të Traumës në këto tre vite janë rritur me disa herë.

Për fat të mirë, një angazhim financiar i Qeverisë Italiane që kishte rreth 10 vjet që ishte disponibël, sot që flasim kontratat janë të lidhura. Janë 5 milion euro investime me pajisje mjekësore që këtë spital do ta fuqizojnë shumë më tepër.

Por, sigurisht që, për të mjekuar më mirë, duhen edhe barna edhe materiale mjekësore. Edhe furnizimi me barna dhe materiale mjekësore në spital është përmirësuar. Sot, ndoshta lidhur me atë, që e thashë pak më parë, që opinioni, media kërkon gjithmonë të na evidentojë se çfarë nuk kemi siç duhet. Një kartolinë na vinte sot për këtë konferencë duke thënë që në Spitalin e Traumës mungojnë antibiotikët, por me sa më konfirmuan drejtuesit e spitalit, për fat të mirë, antibiotikët janë aty. Kështu që duhet të kemi një komunikim më transparent dhe më të vazhdueshëm me mediat, për të qetësuar qytetarët dhe profesionistët, spitali është i furnizuar me ato antibiotikë.

Sigurisht, te trauma, ne kemi patur dhe vazhdojmë ta kemi edhe sot një boshllëk, i cili kohët e fundit ka qenë pjesë edhe e një lloj shkëmbimi opinioni me pak qefmbetje nga mjekët, por nuk ka qenë një pretendim ndaj mjekëve. Nëse spitali nuk ka sot proteza, kjo nuk është as faji i mjekëve dhe as përgjegjësi e mjekëve, por të paktën me buxhetin e këtij viti, meqenëse këtu u fol se në fund të fundit duhen edhe para për të bërë më shumë për traumën, janë 100 milion lekë të reja në dispozicion vetëm për të blerë proteza. Sigurisht me të drejtë duhet të blihen sa më shpejt, por bashkë me përfaqësuesit e QSUT-së dhe Spitalit të Traumës kemi kaluar një periudhë të parë dhe na është dashur ta bëjmë sa më mirë dhe në mënyrë sa më të qëndrueshme, që pastaj, nga ky vit e në vazhdim, të kthehet në një procedurë që bëhet në mënyrë shumë më rutinore.

Por, padyshim, na duhet edhe cilësia e mjekëve. Bëri një kërkesë drejtori i Spitalit të Traumës ku kërkon ndihmën e Ministrit të Shëndetësisë që të ndikojë për të patur edhe një Departament të Traumës në Universitetin Mjekësor. Së pari, ne kemi një ligj të ri të Arsimit të Lartë, i cili besoj do të fillojë të zbatohet duke krijuar me shumë hapësira që universitetet të mund të zhvillojnë linjat e tyre akademike. Ka një angazhim nga Qeveria që ne, ministrat, të mos përzihemi direkt në Arsimin e Lartë edhe pse Arsimi i Lartë në Mjekësi lidhet shumë me shëndetësinë, por unë besoj se kjo kërkesë vjen në një moment që mund të jetë ndoshta, kush janë profesorë të vjetër në mjekësi mund të më saktësojë, unë nuk di qysh fëmijë që të ketë ndodhur ndonjë herë që Rektori i Mjekësisë (Dr. Arben Gjata) dhe Dekani i Mjekësisë (Dr. Xhelal Draçini) të jenë kirurgë. Tani Gjovalin (Dr. Gjovalin Bushi, Drejtor i Përgjithshëm i SUT-së) unë do bëj kontributin tim, por me drejtuesit e Universitetit Mjekësor Shqiptar kirurgë, nëse nuk e zgjidhni edhe këtë herë, besoj se nuk do të mund ta zgjidhni më.

Megjithatë, departament apo jo, unë besoj se brenda specializimit 4-vjeçar, qoftë të Kirurgjisë, qoftë të Urgjencës që është edhe kjo në vitin e dytë, qoftë të Anestezi-Reanimacionit, elementë të mirëfilltë në atë spital mund dhe duhet të bëhen.

Nuk po vazhdoj më tej, por nëse nuk do të ketë hapësirë për të bërë fillimisht një 4-vjeçar, e kam folur edhe një herë, mbas 4 vjetëve Kirurgji, në Urologji, në Traumë apo diçka tjetër, të bëhet një vit shtesë nëse nuk arrijmë të ndërtojmë shumë shpejt një kurrikulë të plotë 4-vjeçare, apo nëse duam të plotësojmë edhe disa boshllëqe më shpejt se sa të presim të miratohet programi një herë në Ministrinë e Arsimit, dhe të fillojë specializimi në 2017 dhe të mbarojë në 2021. Pra, mund ta shfrytëzoni edhe ju, sepse ligji i ri i Arsimit të Lartë ju jep më shumë hapësirë në këtë drejtim.

Këto janë ato që kanë qenë disa nga përpjekjet me arritje të bëra nga Qeveria bashkë me programet që vazhdojnë, por dua t’i përsëris. 5 milion euro investime, investimet e mëdha që po bëhen në Urgjencën Mjekësore në territor. Kemi një helikopter të ri modern, kemi 20 autoambulanca të reja, do t’i pajisim edhe më mirë, do të vendosim edhe më shumë në territor.

Kemi bashkë me ato, edhe pse nuk janë trauma, ne kemi sot një përgjigje shumë më të mirë ndaj Urgjencës Kardiake 24 orë në 7 ditë, sepse ka 5 muaj që këtë e ofrojmë. Kjo do të thotë se, përgjithësisht, kuadri i përgjithshëm i përgjigjes ndaj emergjencave po fillon të zgjerohet në mënyrë që të shpëtojmë jetë, por besoj se është po aq e rëndësishme të pakësojmë invaliditet në numër, të shkurtojmë edhe periudhën e invaliditetit, në mënyrë që investimet që familja bën, shoqëria bën për shqiptarët të mund të jenë sa më afatgjata dhe sa më të qëndrueshme.

Edhe një herë punë të mbarë të kësaj konference,

Faleminderit!

---###---