Postuar më: 01 Shkurt 2016

Beqaj: Regjistrohen 125 barna të rinj origjinatorë që prej 1 janarit 2014

Beqaj: Regjistrohen 125 barna të rinj origjinatorë në vend që prej 1 janarit 2014

55 mln euro të kursyera për 17% më tepër barna të importuara në 2015

Në 2015, barnat origjinatorë arritën 56% e importit përkundrejt 35% në 2013

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën Vjetore me temë:
“Sfida dhe Alternativa të Reja në Parandalimin dhe Mjekimin e Tromboembolive me Antikoagulantë”, të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Neurologjisë, Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë, Shoqata Shqiptare e Hipertensionit dhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Tiranë, 30/01/2011

---###---

Mirëmëngjes,

Faleminderit per ftesen dhe përgëzime për organizimin e këtij aktiviteti!

Prof. Goda (Prof. Dr. Artan Goda, Shefi i Repartit të Hemodinamikës dhe Shërbimit të Kardiologjisë në QSUT) tha që këtu bashkohen disa komunitete, sigurisht nga këndvështrimi i tij, kurse për mua është një komunitet. Komuniteti i mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, sigurisht pozicione të ndryshme na bëjnë që të kemi edhe këndvështrime të ndryshme. Por, fakti që janë bashkë disa specialitete mua më kënaq sepse arrij të kuptoj që edhe tek ne po fillojnë përpjekjet për të bërë takime të përbashkëta të kësaj natyre, sepse edhe sëmundshmëria po ndryshon. Qoftë spostimi i barrës tek sëmundjet jo të transmetueshme, qoftë ndryshimet demografike, kanë bërë që edhe në Shqipëri, ne të fillojmë t’i hasim përherë e më tepër me më shumë probabilitet.

Dhe besoj, se përpjekja në nivel specialitetesh dhe shërbimesh universitare për të trajtuar këtë profil të ri të sëmundjeve në Shqipëri do të duhet gradualisht të përcillet edhe në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, dhe padyshim, në Parësor. Do të duhet që ajo çka arrini të krijoni këtu, edhe me ndihmën tuaj, të krijojmë kanalet që të përcillet edhe në Parësor.

Në temën e konferencës, midis të tjerash, është edhe fjala parandalim. Unë besoj se parandalimi, diagnostikimi i hershëm, duhet të jenë baza e përpjekjeve që duhet të bëjmë në një kontekst, ku po e përsëris, barra po spostohet gjithmonë e më shumë tek sëmundjet jo të transmetueshme, dhe nga na tjetër, ne kemi tashmë në zbatim angazhimin politik për Mbulimin Universal.

Ky profil i ri i sëmundshmërisë dhe ky angazhim politik, që në fakt në gjykimin tonë, përveçse angazhim politik është edhe diçka që qytetarët duhet ta kenë sepse u takon, na bën që gjithmonë e më tepër të merremi me parandalimin dhe me diagnostikimin e hershëm. Por, sigurisht të vetëdijshëm që nuk mund të mbetemi vetëm aty.

OBSH-ja ka përcaktuar gjashtë aspekte kryesore se si shkohet tek Mbulimi Universal, dhe midis të tjerash, dy prej tyre kanë të bëjnë me Aksesin sa më të zgjeruar në barna të cilat nuk kthehen në barrë financiare për ata që i përdorin apo për të gjithë sistemin, dhe sa më shumë sistem informacioni.

Po e nis nga kjo e fundit, sistemi i informacionit. Me sa pashë në program, këtu do të prezantohet edhe përpjekja për të mbajtur regjistrin e këtyre sëmundjeve, gjë të cilën unë dua ta përgëzoj por, nga ana tjetër, dua të sjell në vëmendje faktin që duhet të bashkojmë përpjekjet dhe energjitë, sepse ka tashmë prej një viti i gjysmë, një kuadër të përgjithshëm rregullator se si duhet të merremi me regjistrat e sëmundjeve.

Ka një Vendim Qeverie (VKM) të datës 28 maj 2014, ku janë të përcaktuara në detaje të gjitha mënyrat, se si çdo institucion shëndetësor publik apo jopublik duhet të raportojë në detaje gjithçka që ndodh në shëndetësinë shqiptare sipas një perioditeti të caktuar. Midis të tjerash, po iu them që është edhe regjistri spitalor për sëmundjet e arterieve koronare dhe regjistri spitalor për aksidentet cerebralo-vaskulare.

Për më tepër, për këtë vit në buxhet janë të përcaktuara rreth 40 milionë lekë për të filluar këtë punë, - po përdor fjalën, - regjistri do të “flejë”, do të vendoset në ISHP, dhe aty çdo institucion shëndetësor do të ketë detyrimin për të raportuar çdo ngjarje sipas përcaktimeve që janë bërë tashmë prej një viti e gjysmë. Informacioni është jashtëzakonisht i nevojshëm në vendimmarrjen efektive që duhet të marrim.

Tashmë ne kemi, në dy projekte që po zbatojmë, informacion të bollshëm në kontrollin bazë shëndetësor falas, dhe jemi në hapat e para sa i përket recetës elektronike. Për të dy këto kemi bërë analizën e parë shkencore, ku sigurisht gjetjet kanë qënë shumë interesante. Kemi konfirmuar perceptime të ndryshme që kishim apo për t’i ndryshuar ato, për të bërë praktika edhe më efektive.

Kështu, kemi një ide shumë më të qartë sa është shkalla e sëmundshmërisë, p.sh., të tensionit, diabetit në grupmoshën 40-65 vjeç, dhe e ndarë në 5 vjeçarë midis këtyre 25 viteve, cili është aspekti gjinor, por edhe shpërndarja territoriale.

Ndërsa në Durrës, ku prej tre muajsh po zbatojmë recetën elektronike, kemi informacion të hollësishëm dhe të detajuar për çdo lloj bari që përshkruhet atje.

Vijmë te barnat. Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të falenderuar përfaqësinë e “Bayer” në Tiranë që e bën të mundur këtë aktivitet, që është një dëshmi e asaj që kompanitë me emër janë prezente në Shqipëri, një lloj vetëpërgjigje e atyre që kanë akuzuar se politikat e MSH-së i kanë bërë kompanitë farmaceutike që të largohen nga Shqipëria. Ky aktivitet tregon se kjo gjë nuk është e vërtetë, por edhe fakti që nga 1 janari 2014, deri në 31 dhjetor 2015, janë regjistruar rreth 125 barna origjinatorë në Shqipëri, mes të cilave, 6 janë të Bayer, tregojnë që kompanitë farmaceutike të mëdha prodhuese janë prezente në territorin e Shqipërisë me barnat e tyre.

Gjithashtu, unë besoj se politikat e ndjekura nga Qeveria në fushën e barnave, kanë dhënë tashmë rezultate të kënaqshme. Kanë shtuar prezencën e barnave në treg, kanë shtuar volumin e tyre, kanë ulur jo pak çmimin e tyre duke rritur aksesin në këto mjekime. Praktikisht, vlera e imortit të barnave në vitin 2013 ka qenë 175 milion euro me çmimet CIF, kurse në 2015 është 120 milion euro. Pra, kemi 55 milion euro më pak vlerë të paguar për barnat kur vijnë në Shqipëri. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka lëshuar rreth 35 milion pulla kontrolli në vitin 2015, dhe 28 milion në vitin 2013. Do të thotë që në import kemi 55 milion euro më pak shpenzime, në volum kemi 17% rritje. Nga ana tjetër kemi një ndryshim të peshës që zenë barnat origjinatorë në barnat që importohen në Shqipëri.

Kjo është një tjetër përgjigje e asaj që po largojmë me politikat tona kompanitë e mëdha, serioze etj., etj., edhe pse ne garantojmë që çdo bar që regjistrohet në Shqipëri, procesi i regjistrimit të tij i ndjek të gjitha etapat, dhe çdo bar është i vlefshëm për tregun Shqiptar.

Në qoftë se në vitin 2013, midis 170 milion eurove, barnat origjinatorë përbënin vetëm 35% të sasisë së importit, në 2015 ato janë 56%. Pse ndodhi kjo? Sepse ne kishim një situatë krejt anormale në Shqipëri. Vetëm Shqipëria dhe Meksika ishin dy vendet e vetme në Botë, ku gjenerikët ishin më të shtrenjtë se origjinatori përkatës, nga të cilët kishin marrë formulën e principit aktiv. Çfarë ka sjellë kjo? Më shumë barna në spitale, më shumë barna në listën e rimbursimit, duke mbajtur pak a shumë të njëjtin nivel fondesh të shpenzuara. Ne kemi 45 princime të reja aktive të shtuara në dy vjet, 85 barna të reja nga të cilat kanë përfituar rreth 150 mijë pacientë, që kanë marrë për herë të parë.

Meqënese jemi këtu, nga 2014, për herë të parë është edhe Enoxaparin-a në listën e rimbursimit, sigurisht, me kufzime të caktuara në përdorimin e saj. Dhe pastaj, po ta vazhdojmë edhe më gjerë, nëse do të rrimë tek sëmundjet kardiovaskulare, të cilat kanë edhe barrën më të madhe të sëmundshmërisë në Shqipëri, për këtë arsye janë të cituara edhe më qartë në Program, si më shumë në fokus, përpjekjet për t’u marrë me këto sëmundje, unë them se tashmë kanë filluar të japin rezultatet jo të vogla.

E para, më shumë barna për këto sëmundje të regjistruara, më të lira dhe më shumë akses te këto barna. Rritje të ndjeshme të kapaciteteve diagnostikuese, sepse sot kemi 14 kabinete të plota kardiologjie në spitalet rajonale dhenë tre poliklinika të Tiranës. Padyshim, jemi të vetëdijshëm që do të na duhet t’i përgjigjemi me ndjekje të plotë rezultateve të këtij Chek-Up-i (Progami i kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë për grupmoshat 40-65 vjeç).

Përfshijmë kontrollin bazë për të gjithë shqiptarët në atë grupmoshë, dhe për ata që dalin të sëmurë duhet t’u krijojmë korsi të lëvizjes së lirshme për atë sëmundje që u zbulohet. Prandaj, që nga e mërkura, edhe mjeku i familjes është falas për këdo në Shqipëri. Pastaj, edhe specialisti pasi nuk mund të mjaftohemi që të japin rekomandim dhe të vijnë të gjithë në QSUT. Ne jemi të vetëdijshëm që do të kemi më shumë sëmundshmëri të zbuluar hershëm, dhe prandaj po i përgjigjemi me kapacitete dignostikuese aty në territorin ku janë qytetarët.

Të ofrosh Mbulimin Universal ligjërisht, në qoftë se nuk e shoqëron me Akses Universal, që do të thotë sa më pranë vendbanimit me Cilësinë Universale, që do të thotë me kompetenca kudo që ato ku janë, kemi bërë diçka në letër, por asnjë zgjidhje për shëndetin e qytetarëve.

Apo përmirësimet e ndjeshme në volumet që financohen në kardiologjinë mini-invazive apo në kardiokirurgji. Ne ofrojmë sot shumë më tepër volum në QSUT, paguajmë me paratë e buxhetit fondin e sigurimeve të 5 spitaleve private, që na shtojnë shërbimin që u ofrojmë qytetarëve, dhe sigurisht, që të vetëdijshëm, që me gjithë këto përpjekje, apo edhe më shumë me këto që ju do të diskutoni sot, nuk i shmangim dot traumat që burojnë nga këto grup sëmundjesh.

Nga 1 nëntori kemi urgjencën kardiake 24/7 në QSUT për herë të parë. Dhe nëse kemi çdo ditë 2-3 raste përgjatë turnit të tretë, mund të them që natën e ndërrimit të viteve kemi pasur 7 urgjenca, pra 7 pacientë që ose nuk kaluan në fatalitet ose i kursyen gjithësecilit prej nesh 3 mijë euro që duhet të shpenzonin në klinikat jopublike.

Deri më 31 tetor, kështu ka qënë në Shqipëri, ku nëse do të kishte një traumë të tillë, pas orës 8 apo 9 të darkës, pacientët duhet t’i drejtoheshin privatit. Tashmë, këta pacientë e kanë mundësinë të trajtohen në QSUT. Nga ana tjetër, investimi është kryer që edhe traumat cerebro-vaskulare të fillojmë t’i trajtojmë brenda muajit prill në shërbimin e Neurologjisë. Shërbimi i Stroke Unit (Urgjencës Cerebrale) është ngritur në strukturë, është pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme. Po fillojmë procedurat për hapjen e buxhetit të vitit për materialet mjekësore të nevojshme për t’u përdorur, që të paktën nga muaji maj këto dy trauma t’i dalin për zot në shëndetësinë publike 24/7.

Më shumë shërbim për qytetarët, jetë të shpëtuara edhe para të kursyera, sepse një pjesë e tyre kalojnë në invaliditete të thella, që janë kosto të mëdha për individin, për familjen, për buxhetin, për shoqërinë, por besoj, edhe përmirësimi i dy aspekteve të  tjera:

i)    rritje e imazhit dhe rolit që vetë mjekësia bën;

ii)   përmirësim i imazhit të vendit në funksion të rrtjes së turizmit dhe nxitjes së investimeve të huaja.

Kushdo që do të vijë të investojë në Shqipëri, apo vendi të jetë më i hapur për turistët e huaj, çfarëdolloj police sigurimi të ketë, 24 orët e para do të duhet t’i zgjidhë këtu problemet. Me urgjencë kardiake, me urgjencë cerebro-vaskulare, përmirësim radikal të qendrës Kombëtare të Traumës, me Shërbim Urgjence që funksionon 24 orë, por edhe me një menaxhim krejt të ri të flotës së urgjencës, duke filluar që nga muaji prill, unë besoj se ne jemi në drejtimin e duhur për të bërë përmirësime të domosdoshme në shërbimin shëndetësor.

Nuk dua të zgjatem më shumë, pasi kam parë që programi ka disa prezantime interesante, sigurisht midis të tjerash është edhe prezantimi i një bari të ri. Për nivelin e buxheteve tona, në pamje të parë duket një bar relativisht i kushtueshëm, por unë besoj se, në rradhë të parë, falë evidencave që ju keni ne mund të arrijmë që brenda disa javësh, meqënese jemi në fazën e hartimit të listës së rimbursimit, të bëjmë një vlerësim më të plotë, të paktën farmako-ekonomik, përveç aspektit social për të parë nëse brenda një kuadri të caktuar të protokollit të përdorimit edhe ky bar të mund të jetë pjesë e barnave, të cilat pacientët shqiptarë të mund të kenë askes apo shtrëngesa financiare.

Sigurisht, që ne fillimisht jemi të përqëndruar në garantimin e listës esenciale të banrnave që OBSH-ja nxjerr, por që sigurisht, nuk mund të jemi duarlidhur vetëm aty që të shfrytëzojmë hapësirat që krijohen sot në zhvillimet shkencore që bëhen në mjekësi, por edhe mundësitë për të krijuar në një farë mënyre një lloj konkurrence, jo detyrimisht mes dy alternativave të të njëjtit princip aktiv, por edhe midis princieve të ndryshme që kanë të njëjtat funksione kurative, apo pastaj duke kombinuar ndërhyrjet mjekësore, materialet mjekësore të implantueshme, të cilat kthehen në pjesë të funksonit të organeve të njeriut bashkë me barnat.

Edhe një herë faleminderit për ftesën dhe përgëzime për aktivitetin.  

---###---