Postuar më: 27 Tetor 2016

Beqaj: UFSH, partner në rrugën e vështirë të reformës së shërbimit farmaceutik

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në ceremoninë e 10-vjetorit të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë

Tiranë, 27/10/2016

Mirëdita!

Faleminderit për ftesën dhe përgëzime për këtë ditë jubilare!

Sigurisht që detyra që kryej, pashmangshmërisht, e bën punën tuaj shumë të rëndësishme. Këtu u tha që janë rreth tre mijë profesionistë, 2900 plus me provimin e ri të shtetit tani në dhjetor, do të arijmë tek tre mijëshi, besoj, dhe nga ana tjetër, shpenzimet e barnave zënë 28% të shpenzimeve që ne shqiptarët bëjmë për shëndetin.

Pra, vetëvetiu, mjaftojnë këto dy numra për të kuptuar rëndësinë e profesonit tuaj, e punës tuaj. Për të mos thënë pastaj që vetë barnat i shërbehen çdo vit, le të themi, gjysëm milionë pacientëve në Shqipëri. Presidentja (zj. Diana Toma, Presidente e UFSH) e paraqiti pothuajse në mënyrë shterruese, qoftë atë çfarë ka ndodhur në 10 vjet, por praktikisht, në 13 vjet, që nga gjeneza e krijimit të idesë, dhe pastaj materializimit, por dhe problematikat e ndeshura në vite.

Unë besoj se midis të tjerash ne jemi përpjekur që ta lehtësojmë punën tuaj me qëllim që të ketë më shumë kohë për ti shërbyer pacientëve dhe padyshim për ti shërbyer edhe me cilësi. Nga ana tjetër, unë u kam kërkuar me insistim, qoftë trupave rregulluese, qoftë trupave inspektuese, që lidhen me profesionin tuaj, por edhe me punën tuaj, por edhe me jetën tuaj, - sepse një pjesë e shumicës tuaj profesionin e kanë dhe aktivitet ekonomik me të cilin jetojnë, mbajnë familjet, - që të paktën mjedisi tregëtar dhe profesional ku ju ushtroni aktivitetin, të jetë sa më transparent edhe sa më konkurues.

Sigurisht, këtu u fol për Urdhrin, Shoqatën, Sindikatën, dhe në një farë mënyre, në prezantimin që bëri Presidentja, shumë nga figurat që kanë kryer në kohë të ndryshme detyra shtetërore dhe kanë marrë pjesë tek ju, i kanë patur detyra të përkohshme, ndërsa këtu, ju praktikisht keni shtëpinë tuaj të përjetshme. D.m.th., njerëz që kanë qenë edhe në Ministri, edhe në Fond, mbasi kryejnë një detyrë administrative për disa vite rikthehen, dhe kjo, në fakt, ndihmon.

Ndihmon sepse, sidomos këta persona kanë mundësi që ta shohin nga këndvështrime të ndryshme, të jenë një moment edhe në kostumin e zyrtarit, të administratorit, pastaj edhe të profesionistit. Në mënyrë që qëllimin e përbashkët, por këndëvështrimet e ndryshme, në kohë të ndryshme, ti shohim me pozivitet dhe të përpiqemi të jemi komplementar.

Sigurisht, ju keni një rol shumë të rëndësishëm edhe në edukimin në vazhdim. Ndoshta, unë do të dua ta korrigjoj pak Dianën (zj. Diana Toma, Presidente e UFSH-së) kur tha që Urdhri ka ofruar ½ e krediteve falas, - ka mundësuar, se ta ofrosh duket sikur e ke vënë në program ti. D.m.th., keni mundësuar që të bëhen aktivitete, dhe kush ka dashur nuk ka shpenzuar për këto aktivitete; pastaj, a i marrin, apo jo, kreditet, e themi në fund të aktivitetit. Dhe pastaj, kjo është shumë e rëndësishme.

Dy opinione të mijat për dy shqetësime që ngriti Diana: Mosprezencën më (të përfaqësuesit të UFSH-së) në KA-në e Fondit (Këshillin Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) dhe në Komisionin e Çmimit të Barnave.

Së pari, rishikimi i përbërjes së KA-së së Fondit erdhi si një detyrim ligjor për të rregulluar  tëgjithë trupat e Këshillave në Shqipëri. Pra, një ligj ndoshta i 2011-ës, vendosi që trupat duhet të ishin jo më shumë se 7. Por nga ana tjetër, vetë ajo që sapo thatë kur prezantuat këtë shqetësim, në gjykimin tim, ka një lloj kontradikte: Ju nuk mund të jeni aty ku vendoset formati i aktit, dhe pastaj të jeni palë kur kontraktoni. I bie që të kesh marrë vetë vendim se si e do kontratën me veten. Ndërsa, në Komisionin e Çmimit të Barnave, unë gjykoj se të paktën tek çmimi i barnave, ne vendosim me çfarë çmimi do të vijë bari në kufi apo do të dalë nga fabrika. Ju e prekët shumë bukur Nenin 1, po sigurisht që ju të ushtroni profesionin duhet të keni një minimum ekonomik, këtu fillojnë marzhet mendoj unë, por se si është çmimi në kufi apo në fabrikë nuk lidhet shumë me atë punë që bëni ju. Këto janë opinionet e mia për dy shqetësimet që ngritët dhe ky është këndvështrimi i Ministrisë.

Nuk dua të zgjatem më shumë. Unë besoj se ju e keni ndjerë dhe vetë se si ka evoluar edhe vetë puna që ju bëni. Unë i përkas atij brezi që, ne kemi dhe eksperienca jetësore. Unë mund të them, dy eksperiencat më të fundit i kam para rreth 20 vjetësh. Me time më, ajo ka qenë dikur ndihmës-farmaciste, merrnim ca kapsula bosh dhe i mbushnim në mënyrë të barabartë, në mos gaboj me Litium që duhet ta merrte im atë po në atë kohë s’ishte me paketim. Sot kjo gjë është praktikisht është një gjë e kaluar. Apo xhaxhai im kur la farmacinë mbas 40 vjetësh diku nga ’95-a filloi të merrej me ca kremra që prapë edhe ato sot, jo se nuk duhen, se nuk bëhen, po ka evoluar shumë. Dhe praktikisht, teknologjitë e reja na mundësojnë që të lehtësojmë disa gjëra.

Unë besoj shumë tek zbatimi i Recetës Elektronike. Besoj shumë sepse në radhë të parë, besoj se nëpërmjet saj do të ulim shumë ngarkesën të padrejtë që shpesh herë detyrohemi t’u bëjmë juve për një recetë të iniciuar në mënyrë jo shumë të saktë, dhe për të mos ju vënë ju përballë pacientit, i cili thotë - “mua ma ka thënë doktori, kush je ti që…?” - dhe nga kjo anë, kërkoj nga ju, minimalisht, edhe një gjë. Në mënyrë anominale, - mua nuk më duhen emrat, - brenda Urdhrit, duhet të nxisni një sistem edhe informimi që kur konstatoni receta jo me shumë vend, me kontradikta mjekësore, të mund ti raportoni. Edhe një herë, nuk më intereson emri! Na intereson që në qoftë se mbledhim në një kohë të caktuar raste të tilla, në diagnoza të caktuara apo në terapi të caktuara, të mund ti përgjithësojmë me qëllim lehtësimin dhe përmirësimin e shërbimit të mëtejshëm, edhe pse besoj se, receta elektronike mund ta mundësojë, po do të duam pak vite ta konsolidojmë, që një përshkrim me kontradita të mund të dedektohet pa arritur akoma tek farmacia.

Nuk dua t’ju marr më shumë kohë aq më shumë që moment sot është jubilar, faleminderit edhe suksese në misionin tuaj!         

---###---