Postuar më: 15 Mars 2016

Drejt një sistemi të vetëm të integruar të informacionit shëndetësor

Drejt një sistemi të vetëm të integruar të informacionit shëndetësor

Beqaj: Asnjë sistem shëndetësor nuk mund të funksionojë pa informacion të saktë

- Për herë të parë, 92 tregues të unifikuar të shëndetit të shqiptarëve

- Nismat që kemi ndërmarrë në 2 vjet e gjysëm në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit janë në rrugën e duhur të garantimit të angazhimit për Mbulim Universal apo Shëndetësinë Falas

- Ngritja e një  sistemi informacioni që mbledh dhe shpërndan të dhëna shëndetësore dhe informacione të krahasueshme, përmirëson monitorimin e shëndetit për të gjithë shoqërinë, veçanërisht për pjesën më të pafavorizuar dhe në nevojë, dhe është një parakusht themelor për të adresuar pabarazitë shëndetësore.

- Implementimi i kornizës ECHI
(“European Core Health Indicators”), përveç të tjerave, mundëson krijimin e sistemeve efektive të monitorimit të pabarazive dhe të progresit esencial në trajtimin e tyre, si dhe hartimin e politikave publike më në përgjigje të nevojave të shtresave të margjinalizuara të popullatës. 

- Kontrolli mjekësor bazë i popullatës 40-65 vjeç ofron informacion shumë të vlefshëm për llogaritjen dhe raportimin e shumë treguesve shëndetësorë të paraqitur në këtë manual.  

- Manuali i treguesve shëndetësorë që janë konsideruar të rëndësishëm dhe relevantë për Shqipërinë është një dokument shqiptar, natyrisht në përputhje të plotë dhe bazuar në rekomandimet e OBSH-së dhe të gjitha organizatave të tjera të Kombeve të Bashkuara sipas mandateve të tyre përkatëse. 

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Takimin për paraqitjen e Manualit të Treguesve Shëndetësorë për Shqipërinë  të organizuar sot nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Zyra e UNICEF-it në Tiranë.

---###---

Për shumë kohë, informacioni, mundësitë dhe burimet kanë qenë pengesa, ndërkohë që do të duhet të ishin ura”. Është një konstatim me të vërtetë me vlerë, por që bëhet edhe më kuptimplotë, kur e kupton se autori i saj është një i ri vetëm 22 vjeç.

Sharad Sagar, djaloshi i renditur nga fondacioni Rockefeller si një nga 100 inovatorët më të spikatur socialë të shekullit të 21-të, ishte vetëm 14 vjeç kur lançoi nismën që përmes fuqisë së informacionit çoi në krijimin e platformave sociale që sollën risi në fushat e arsimit, mjedisit, të drejtat e njeriut dhe ndryshimit shoqëror.

Është një prej mijëra historive të suksesit që nxjerrin në pah fuqinë e jashtëzakonshme që informacioni ka për të shndërruar dhe përmirësuar rrënjësisht jetën e njerëzve.

Përkon ky diskutim edhe me lançimin vetëm para pak ditësh, më 9 mars në Nju Jork, të nismës së “Bashkëpunimit për të Dhënat Shëndetësore” të mbështetur nga OBSH-ja dhe agjencitë e tjera të ngjashme, donatorë të ndryshëm, si dhe institucione akademike nga shumë vende të botës, e cila sjell sërish në qendër të vëmendjes argumentin se asnjë sistem shëndetësor nuk mund të funksionojë pa informacion të saktë.

Qëllimi i kësaj nisme është fuqizimi i kapaciteteve të të gjitha vendeve për përmirësimin e të dhënave dhe informacionit shëndetësor (“health data”) përmes bashkëpunimit dhe partneritetit global që krijon një sinergji të domosdoshme për përballimin e sfidave dhe adresimin e nevojave sipas specifikave të çdo shteti.      

Sipas dokumentit të publikuar nga OBSH-ja, më shumë se dy të tretat e popullsisë botërore jetojnë në vende që nuk prodhojnë statistika shëndetësore të besueshme edhe për tregues bazë si niveli i vdekshmërisë sipas gjinisë dhe grup-moshës, apo shkaqet specifike të vdekjeve. Tregues të tillë bazë informojnë në mënyrë sintetike për gjendjen shëndetësore të popullatës dhe sugjerojnë hartimin e strategjive dhe politikave përkatëse për përmirësimin gradual të profilit shëndetësor të popullatës.

Situata është akoma më problematike nëse i referohemi informacionit lidhur me financimin e sistemit shëndetësor, personelin shëndetësor, apo aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore.    

Në këtë kuadër, bazuar në këto zhvillime të fundit në arenën globale, duhet që edhe ne të investojmë në Shqipëri për fuqizimin dhe modernizimin gradual të sistemit të informacionit shëndetësor bazuar në rekomandimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.   

Është pra koha, për të dhëna më të sakta dhe më të mira për shëndetin e njerëzve.

Nga kjo pikëpamje, paraqitja e këtij manuali shëndetësor sot është një hap shumë i rëndësishëm në operacionalizimin, forcimin dhe përsosjen e sistemit të informacionit shëndetësor në vendin tonë. 

Dhe nuk ka forum më të përshtatshëm se ky i sotshmi, për të diskutuar për risitë që kemi sjellë dhe hapat që kemi ndërmarrë deri më sot drejt përmbushjes së një prej angazhimeve tona themelore të programit qeverisës, lidhur pikërisht me sistemin e informacionit dhe treguesve të shëndetit.

Trashëguam një sistem të dhënash, ku informacioni i deritanishëm për shëndetin, treguesit e shëndetit dhe kujdesin shëndetësor, si dhe lidhja e tyre me tregues bazë socialë, në nivel individual dhe kombëtar ka qenë i mangët, i pasaktë, i fragmentarizuar dhe jokoherent.

Për herë të parë ja arritëm, që në janar 2015, të kurorëzojmë me sukses punën për hartimin, përgatitjen dhe paraqitjen e një raporti gjithëpërfshirës në nivel kombëtar, që informon mbi gjendjen shëndetësore të popullatës shqiptare, i cili është një hap i qenësishëm në drejtimin e duhur për vendosjen e individit në qendër të sistemit shëndetësor.

Por cilat janë hapat e tjerë që kemi ndërmarrë për ngritjen e një sistemi unik dixhital shëndetësor, të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në rrugën e garantimit të angazhimit për Mbulim Universal apo Shëndetësinë Falas?

Më lejoni të citoj regjistrin elektronik të kontrollit bazë shëndetësor, kartën e shëndetit, shëndetësinë elektronike, recetën elektronike, nënshkrimin elektronik, prenontimin elektronik të vizitës, regjistrat e sëmundjeve dhe llogaritë kombëtare të shëndetësisë.

Në këtë këndvështrim, përmirësimi i sasisë dhe i cilësisë së të dhënave administrative të kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet do t’i mundësojë Ministrisë së Shëndetësisë hartimin e politikave dhe programeve për përcaktimin e prioriteteve dhe politikave shëndetësore bazuar në fakte (evidencë) shkencore.

Bazuar në të gjitha këto zhvillime, edhe në vendin tonë lindi nevoja e përditësimit të kornizës së treguesve shëndetësorë, duke aplikuar qasjen “Drejt një sistemi të vetëm të integruar (OBSH–Bashkim Evropian) të informacionit shëndetësor” për të mundësuar një  sistem informacioni që mbledh dhe shpërndan të dhëna shëndetësore dhe informacione të krahasueshme, duke përmirësuar monitorimin e shëndetit për të gjithë shoqërinë, veçanërisht për pjesën më të pafavorizuar dhe në nevojë. Kjo e fundit është parakusht themelor për të adresuar pabarazitë shëndetësore.

Nga kjo pikëpamje, implementimi i kornizës ECHI (“European Core Health Indicators”), përveç të tjerave, mundëson krijimin e sistemeve efektive të monitorimit të pabarazive dhe të progresit esencial në trajtimin e tyre, si dhe hartimin e politikave publike më në përgjigje të nevojave të shtresave të margjinalizuara të popullatës.  

Manuali i treguesve shëndetësorë që janë konsideruar të rëndësishëm dhe relevantë për Shqipërinë është një dokument shqiptar, natyrisht në përputhje të plotë dhe bazuar në rekomandimet e OBSH-së dhe të gjitha organizatave të tjera të Kombeve të Bashkuara sipas mandateve të tyre përkatëse. 

Qasja jonë “shqiptare” e kornizës ECHI u realizua nëpërmjet identifikimit të tipit (llojit) të të dhënave specifike, burimit të informacionit bazuar në kontekstin dhe situatën konkrete të vendit tonë, periodicitetit të mbledhjes dhe raportimit të informacionit shëndetësor, të dhënave ekzistuese kombëtare nga burime të identifikueshme, si dhe komenteve dhe rekomandimeve për zbatimin e tyre.

Më konkretisht, manuali i treguesve është i ndarë në 5 rubrika të treguesve shëndetësorë:

1. Treguesit social-ekonomikë;

2. Treguesit e gjendjes shëndetësore;

3. Determinantët (përcaktorët) e shëndetit;

4. Shërbimet shëndetësore;

5. Promocioni shëndetësor.

Treguesit shëndetësorë të ofruar nga kontrolli mjekësor bazë i popullatës 40-65 vjeç që në kemi filluar ta zbatojmë prej tashmë një viti, ofrojnë informacion shumë të vlefshëm për llogaritjen dhe raportimin e e shumë treguesve shëndetësore që janë pjesë edhe e këtij manuali.

Kontrolli bazë na mundëson sot të kemi të dhëna shumë më të plota, për:

  • Prevalencën e infarktit akut të miokardit
  • Prevalencën e diabetit
  • Prevalencën e SPOK-ut (sëmundja pulmonare obstruktive kronike)
  • Prevalencën e depresionit
  • Vetë-raportimin e gjendjes shëndetësore të përgjithshme
  • Prezencën e çdo sëmundjeje tjetër kronike
  • Kufizimet afatgjata të aktivitetit 
  • Kufizimet funksionale sensore dhe fizike
  • Stresin psikologjik 


Gjithashtu edhe informacion për përcaktorët e shëndetit si:

  • Treguesin e masës trupore (mbipesha dhe obeziteti)
  • Presionin arterial i gjakut
  • Duhanpirjen
  • Konsumin e alkoolit
  • Aktivitetin fizik
  • Faktorët nutricionalë (ushqyes)


Nga vetë natyra, këto tregues maten (vlerësohen) vetëm nëpërmjet studimeve direkte në popullatë (“health surveys”). Duhet theksuar se, deri tani, shumica e këtyre treguesve nuk janë vlerësuar dhe raportuar në Shqipëri në kontingjente të mëdha të bazuara drejtpërdrejtë në popullatë (komunitet).

Prandaj, kontrolli mjekësor bazë është një instrument shumë i rëndësishëm që, krahas epërsive të tjera (në veçanti Mbulimin Shëndetësor Universal), synon edhe fuqizimin dhe konsolidimin e sistemit të informacionit shëndetësor në vendin tonë.

Për herë të parë pas kaq shumë vitesh, ky shtet po krijon një bazë të dhënash që do t’i shërbejë për politikëbërje dhe për të racionalizuar deri edhe qindarkën e fundit, në shpenzimet që bën për kujdesin shëndetësor, por do të bëjë të mundur gjithashtu që të ndërveprojë me njerëzit, për të lehtësuar betejat e tyre me sëmundjet, duke i kapur ato në një fazë pak të avancuar dhe duke bërë diagnostikim të hershëm të tyre.

Por, në mënyrë që të plotësohet akoma më tej lista e treguesve të raportuar përmes studimeve të bazuara në komunitet, krahas konsolidimit dhe përsosjes së ekzaminimit mjekësor bazë të popullatës 40-65 vjeç, duhet që të ndërmarrim edhe raundin e dytë të Studimit Demografik dhe Shëndetësor (“Demographic and Health Survey”) i cili informon me hollësi mbi gjendjen shëndetësore të fëmijëve, nënave, dhe popullatës në moshë të ré dhe të mesme të të dy gjinive.      

Sistemi i informacionit shëndetësor në Shqipëri ka ende nevojë për reformim dhe rinovim, që të bëjë të mundur menaxhimin dhe vlerësimin e përshtatshëm të sistemit shëndetësor Shqiptar.

Statistikat më të mira, anketat shëndetësore periodike dhe përmirësimi i të dhënave administrative të kujdesit shëndetësor do të bëjnë të mundur hartimin e programeve për rritjen e cilësisë së sistemit shëndetësor Shqiptar, si dhe do të ndihmojnë në vendosjen e prioriteteve dhe politikave shëndetësore bazuar në fakte (evidencë).

Por, dua të theksoj se sa para është shpenzuar në këto 15 vite për sistemin e informacionit shëndetësor do të arrijmë shumë shpejt në konkluzionin se mund të kishim bërë shumë shumë më tepër. Sepse minimalisht, sot ju përpunoni të dhëna, që themi, ju vijnë në një format elektronik, ato i merrni nga institucione qendrore, që edhe ato i kanë mbledhur në bazë. Dhe praktikisht nëse ne do të arrijmë që çdo ngjarje që lidhet me shëndetin e individit ta regjistrojmë vetëm një herë, atëherë kur ndodh dhe aty ku ndodh do të kemi minimalisht saktësi, shpejtësi dhe koherencë.

Kush e ka bërë kontrollin bazë personalisht, janë 15 faqe që kanë marrë në përgjigjen e gjithësecilit. Sot, gjithësecili që i përket popullatës target (40-65 vjeç) rreth 930-940 mijë persona, i ka këto të dhëna dhe i ka një herë në vit. Janë në regjistrin elektronik kombëtar. Ky është një shembull.

Mund t’ju tregoj recetën elektronike në Durrës. Në momentin që ky projekt do të përfundojë në të gjithë vendin, do të jetë identike dhe në fund të ditës do të dihet çdo lloj recete e përshkruar për çdo person dhe po ashtu çdo lloj bari i përdorur po atë ditë për çdo person.

Pra, unë besoj se nëse do të arrijmë atë që unë thashë pak më parë, që çdo ngjarje ta regjistrojmë një herë atëherë kur ndodh dhe aty ku ndodh besoj se do të kemi sukses në një kohë të shpejtë. Duke qenë se jemi më të prapambetur me vendet e tjera, them se kemi një avantazh, pasi nuk kemi shumë sisteme të trashëguara që nuk komunikojnë mirë me njëri-tjetrin. Por, po i ndërtojmë tani, dhe po i ndërtojmë bazuar në disa parime më të përgjithshme që eksperienca e vendeve të tjera në vite na bën që ne ti përdorim më shpejt.

Praktikisht, në fund të vitit kemi dy elementë shumë të rëndësishëm, platformën e shëndetësisë elektronike që ne ndërveprojmë dhe fakti që duke qenë se na duhet të bëjmë recetën elektronike, çdo mjek që përshkruan recetë do të ketë një kompjuter dhe lidhje ne internet. Kështu që mund të regjistrojmë shumë gjëra dhe mund të vijmë në një moment të caktuar, ndoshta pas dy vjetësh të rishikojmë 92 treguesit që kemi këtu minimalisht për periodicitetin e raportimit.

Ndoshta me të drejtë, nga eksperienca Shqiptare, një pjesë e këtyre këtu janë një herë në 5 vjet, por në qoftë se sot një vit, çdo vaksinë për gripin që jepet në farmaci do të jetë pjesë e sistemit elektronik, nuk ka pse më për të moshuarit ta raportosh një herë në 5 vjet, por e raporton një herë në vit, madje e ke në çdo moment online.

E thashë gjithë këtë parantezë të gjatë për të thënë që ju që e keni shumë të nevojshme në Institut (Instituti i Shëndetit Publik) këtë punë duhet të jeni më kërkues dhe më agresivë ndaj institucioneve ku ne e prodhojmë këtë informacion. Nuk ka mjete, nuk ka para nuk ka njerëz është diçka që nuk ka për të përfunduar kurrë. Por unë besoj se me ato para që ne shpenzojmë mund të nxjerrim shumë më tepër.

Faleminderit!

---###---