Postuar më: 05 Dhjetor 2017

Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu në Kuvend

Fund dhunës ndaj grave dhe vajzave! Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu në Kuvend

Të dashur qytetarë,
Të nderuar deputetë,

Dhuna ndaj grave, dhuna në familje për fat të keq nuk mund të zhduken as në 16, as në 60 dhe as në 365 ditë!

Hurma, Lumturi, Demirka, Natasha, Jenie, Sosja, Firdesi, Dija, Migena, Vera janë gratë që humbën jetën gjatë këtij viti. Me humbjen e tyre, humbi familja, humbi shoqëria!

Ndaj kërkohet akoma më shumë për të bërë që mos të ketë më viktima të dhunës. Nuk do të doja kurrë të vija këtu për të folur për jetë të humbura...por fatkeqësisht sot dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje është ende prezente në shoqërinë tonë siç është prezente edhe në Botë. Çdo ditë e më shumë duhet të forcojmë çdo mekanizëm parandalues dhe mekanizëm mbrojtës.
Të drejtat e grave janë pjesë integrale e të drejtave të njeriut dhe Qeveria Shqiptare shpreh angazhimin e saj për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave e vajzave dhe dhunës në familje, bazuar në Konventat e ratifikuara si Konventa e OKB për Eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave (CEDAW), protokolleve të saj apo Konventën e Stambollit, të cilat që janë si udhërëfyese kryesore për harmonizimin e legjislacionit tonë kombëtar.


Në 24 Nëntor të këtij viti, Komiteti i ekspertëve të Këshillit të Europës (GREVIO), ka publikuar Raportin e Parë për Shqipërinë, ku përgëzon autoritetet shqiptare për masat legjislative dhe masat rregullatore të ndërmarra deri më sot, por kërkon hapa të reja shtesë për të trajtuar të gjitha format e dhunës ndaj grave.
Angazhimi i Qeverisë pasqyrohet qartazi në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Planin e Veprimit 2016-2020, me synim përfshirjen e çështjeve gjinore dhe dhunës në familje në politikat publike, nëpërmjet planeve konkrete të veprimit, të detajuara dhe buxhetuara, për të hedhur bazat për avancimin e barazisë gjinore dhe minimizimin e fenomenit të dhunës në familje në të ardhmen, mbështetur në dokumentat, rekomandimet dhe instrumentat ndërkombëtare.
Inisiativa e fundit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është rishikimi i ligjit “Për masa ndaj dhunës në marëdhëniet familjare”. Nisur nga nevoja për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian; përputhshmëria me standartet e Konventave ndërkombëtare, por për së pari, dhe mbi të gjitha, në përgjigje të rasteve të shtuara të dhunës në familje, në disa raste me pasoja tragjike, rishikimi i këtij ligji tashmë është domosdoshmëri.


Ne do të vijojmë punën në adresimin e barazisë gjinore dhe dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, paralelisht me nismat që synojnë rritjen e mirëqënies për gratë dhe vajzat në Shqipëri. Do të vijojmë mbështetjen dhe forcimin e strehëzave për gratë dhe viktimat e trafikimit si dhe ngritjen dhe mbështetjen e qendrave sociale në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe organizatat e shoqërisë civile.
Qeveria katër vitet e fundit ka mbështetur programet e nxitjes së punësimit të grave nga grupet e veçanta.
Duke njohur fuqinë e edukimit, kemi përfshirë më shumë vajza e gra në arsim dhe formim profesional, si një nga rrugët më të mira drejt punësimit të sigurtë.
Nëpërmjet programit të ndërmarrjeve sociale po synojmë promovimin e barazisë gjinore përsa i përket rritjes së mundësive në aksesimin e tregut të punës dhe nxitjen e frymës së përgjegjshmërisë shoqërore.


Me ngritjen e Urdhrit të Psikologut dhe shumë shpejt dhe të Urdhrit të Punonjësit Social, viktimave të dhunës ju jepet një ndihmë e specializuar për më shumë efikasitet në trajtimin e rasteve.
Sa i përket shërbimeve në territor, viktimave të dhunës ju ofrohen shërbime në familje, në Strehëzën Kombëtare si dhe ato rajonale. Shërbimet e ofruara në Strehëzën Kombëtare për viktimat e dhunës në familje kanë ardhur duke u rritur dhe kjo duket dhe në numrin e grave të cilat janë riintegruar pas marrjes së këtyre shërbimeve në strehëz. Vetëm gjatë këtij viti kanë marrë shërbime në strehëz 35 gra, nga këto 30 janë të integruara. Po të bëjmë një krahasim me katër vite më parë është trefishuar numri i grave që janë riintegruar duke u punësuar.
Gjithashtu, një punë e konsiderueshme është bërë, duke miratuar standartet e ofrimit të shërbimit në lidhje me Linjës Kombëtare të Këshillimit për viktimat e dhunës.
Fuqizimi i mekanizmit kombëtar për barazinë gjinore është gjithashtu një objektiv i Qeverisë Shqiptare dhe një pjesë e rekomandimeve të vazhdueshme të dhëna në kuadrin e disa Konventave dhe integrimit të Shqipërisë në BE.

Faleminderit!