Postuar më: 14 Mars 2018

Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu, në sesionin e 62-të plenar të Komisionit mbi Statusin e Grave  (CSW62)

I nderuar Kryetar i Sesionit,
Zonja dhe Zotërinj,
 
Është një nder për mua si Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të adresoj në emër të qeverisë shqiptare sesionin e 62-të plenar të Komisionit mbi Statusin e Grave.
Shqipëria e konsideron sesionin e këtij viti si një mundësi për të riafirmuar angazhimin ndaj Axhendës 2030, Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim dhe mbi të gjitha bashkëpunimin me të gjithë aktorët për një zbatim sa më të mirë të tyre. Qeveria shqiptare është duke punuar për përmirësimin e politikave dhe programeve me në fokus përfshirjen e barazisë gjinore në të gjithë nivelet, si dhe forcimin e kapaciteteve zbatuese të institucioneve tona.
Gjithashtu jemi duke punuar për harmoniyimin e kuadrit ligjor me standardet ndërkombëtare, përmirësimin e mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave statistikore, krijimin e mekanizmeve të duhur monitorues, zgjerimin e shërbimeve sociale në bashkërendim me aktorë të ndryshëm.  
Dua të ndaj me ju lajmin se rishtazi ne rikonstituam Këshillin Kombëtar të Barazisë Gjinore, një organ ndërministerior që drejton, përcakton, këshillon dhe monitorin zbatimin e politikave të barazisë gjinore.
Një tjetër mekanizëm i rëndësishëm kombëtar për barazinë gjinore është dhe ligji i kaluar së fundmi nga Kuvendi për krijimin e nën-kominitetit të përhershëm të barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës ndaj grave.
Këto masa shërbejnë për forcimin e Mekanizmit Kombëtar të Barazisë Gjinore dhe janë në përputhje me Rekomandimet e Konventës CEDAW.
 
 
Zonja dhe zotërinj,
Kryeministri shqiptar qartazi ka deklaruar në Programin katërvjeçar të qeverisë angazhimin për përmirësimin e barazisë gjinore.  
Përfaqësimi dhe përfshirja e grave në pozicione drejtuese vendimmarrëse është një tregues i rëndësishëm për një shoqëri që është e hapur dhe aspiron barazi gjinore në të gjithë aspektet.
Në këtë drejtim, Shqipëria ka ndërmarrë hapa pozitiv veçanërisht në fuqizimin e grave në jetën politike dhe vendimmarrëse.
Kabineti ynë qeveritar ka numrin më të lart të zonjave Ministre, një tregues ky që e vendos Shqipërinë krah vendeve Evropiane, që kanë një pjesëmarrje të lart të grave në ekzekutiv.
Gjithashtu 45% e Zëvendësministreve janë dhe 30% e vendeve në parlament mbahen nga gra dhe vajza.  
Si rezulat i rritjes së përfaqësimit të grave në qeveri dhe vendim marrje, renditja e Shqipërisë në Indeksin Global të Hendekut Gjinor është përmirësuar ndjeshëm, duke u renditur në vendin e 38-të në vitin 2017 krahasuar me vendin e 53 në vitin 2016.
Pavarësisht kësaj vijojmë të kemi pengesa në pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi,
Hendeku gjinor në punësim është në masën 12% dhe pjesa më e madhe e grave dhe vajzave janë të punësuara në sektor me të ardhura të ulëta ose informalitet.
Janë një sërë inisiativash të përbashkëta të qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat, të cilat janë duke u formësuar.
Çështjet e barazisë gjinore në ekonomi janë gjithashtu të adresuara në strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Planit të Veprimit 2016 – 2020, si një hap i rëndësishëm në kuadër të mbështetjes së fuqizimit të rolit të grave dhe vajzave në ekonomi.
Gratë e varfëra dhe që jetojnë në zona të thella rurale, janë veçanërisht duke përfituar nga programe të dedikuara financiare të qeverisë në formën e granteve për fuqizimin e grave në sipërmarrje si dhe rritjen e kapaciteteve dhe njohurive profesionale të tyre.
Punësimi i grave është një tjetër prioritet i adresuar në Strategjinë për Punësim dhe Aftësim, si dhe ndryshimet në Kodin e Punës që kanë pasur si qëllim kryesor përmirësimin e kushteve të punës të grave dhe vajzave.
Një tjetër hap pozitiv është dhe e drejta e grave mbi pronën, një ndryshim ky i arritur falë asistencës së UN Women.
Për të siguruar akses të barabartë mbi pronën duke përfshirë edhe pronësinë mbi tokën bujqësore janë miratuar ndryshimet ligjore, si dhe janë unifikuar produrat administrative të nevojshme.
Falë unifikimit të procedurave kemi lehtësuar procedurat e regjistrimit, si dhe kemi garantuar akses të barabartë të grave dhe vajzave mbi pronën dhe tokën.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria ka përfshirë parimin e barazisë gjinore si pjesë të parimeve kyçe në përgatitjen e buxhetit. Rezultatet e arritura në përfshirjen efektive të Buxhetimit Gjinor në nivel qendror dhe lokal si dhe ndryshimet ligjore në fushën e Menaxhimit të Financave Publike kanë mundësuar hartimin dhe zbatimin e politikave me ndjeshmëri gjinore, si dhe kanë rritur përgjegjësinë institucionale të institucioneve qendrore dhe vendore.  
Në Planin Buxhetor Afatmesëm 2.3 për qind e buxhetit të shtetit është alokuar për programe dhe investime me ndjeshëmri gjinore 24 programe sektoriale.
Gjatë viteve të fundit janë përmirësuar ndjeshëm treguesit e raportimeve të rastëve të dhunës me bazë gjinore. Sot gratë dhe vajzat ndihen më të sigurta për të raportuar rastet e dhunës.
 
Adresimi i fenomenit të dhunës ndaj grave dhe vajzave është prioritet në axhendën politike dhe ligjore të vendit, dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik ndaj diskriminimit dhe pabarazisë gjinore është rritur ndjeshëm.
 
Një sërë nismash ligjore për përmirësimin e kuadrit ligjor janë në proces dhe pak kohë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën që i bënte thirrje qeverisë për të ndërmarrë masa urgjente në adresimin dhe parandalimin e të gjithë formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave.  
Për herë të parë në vitin 2017 Shqipëria raportoi mbi masat e marra në kuadër të zbatimit të Konventës së Stambollit.
Raporti i vlerësimit vuri në dukje hapat pozitiv të ndërmarrë si dhe hendeqet që vijonin të ishin prezent, duke inkurajuar qeverinë për të koordinuar dhe bashkërenduar me të gjithë aktorët e përfshirë në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare. Shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare janë një zë i fort dhe një partner i rëndësishëm i luftës tonë ndaj dhunës.
Zonja dhe Zotërinj,
Sesionin i 62 i Komisionit mbi Statusin e Grave vendos theksin mbi gratë dhe vajzat rurale.
Për dekada me rradhë traktate ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut kanë vendosur në pah kontributin e pazëvendësueshëm të grave dhe vajzave rurale në sektorin e bujqësisë.
Të drejtat e grave dhe vajzave rurale vijojnë të mos adresohen mjaftueshëm në kuadrin ligjor, programet e zhvillimit në nivel lokal, strategjitë e investimit apo programet rurale.
Në Shqipëri 54 për qind e grave janë të punësuar në sektorin bujqësor dhe 87 për qind e tyre rezultojnë si kontribuese të ekonomisë familjare.
Informaliteti në punësim redukton aksesin e grave nga zonat rurale në skemën e pensionit dhe sigurimeve shoqërore dhe rrit mundësitë e grave për të rënë në varfëri në moshë të tretë.
Në raportin e katërt periodik për vendin në vitin 2016, Komiteti CEDAW në rekomandimet e lëna theksohet rëndësia e një strategjie gjithëpërfshirëse që garanton aksesin e barabartë të grave dhe vajzave që jetojnë në zonaz rurale me gratë dhe vajzat që jetojnë në zonat urbane.  
Më vjen mirë të deklaroj se Strategjia Kombëtare mbi Barazinë Gjinore 2016 – 2020 ka adresuar qartazi çështjen e fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave në zonat rurale.
Në vitet e fundit kemi ofruar mbështetje për bizneset e grave në sektorin e agro biznesit duke i ndihmuar për tu bërë pjesë e zinxhirit të vlerës, si dhe duke u dhënë më shumë mundësi për tu bërë pjesë aktive e tregut dhe krijimit të bizneseve fitimprurëse
Nëpërmjet këtij modeli integrues ne aspirojmë të mundësojmë mundësi të barabarta dhe që askush të mos mbetet i papërfshirë.
Duke vendosur në qendër të politikave dhe angazhimeve tona barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave jemi të sigurt së në këtë mënyrë do të garantojmë realizimin me sukses të Qëllimeve të Qëndrueshme të Mijëvjeçarit.
Qeveria shqiptare është angazhuar në garantimin e barazisë gjinore. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vijojë të luaj një rol drejtues në koordinimin me të gjithë aktorët institucional për zbatimin e Agjendës për Barazi Gjinore dhe Fuqiymin e Grave dhe Vajzave.
Procesi i anëtaërsimit të vendit në Bashkimin Evropian është një akselerator i angazhimit tonë për arritjen e targeve të vendosura në SDG 5 dhe në këtë frymë ne jemi të vendosur për të punuar fort në përmirësimin e jetës së grave dhe vajzave në Shqipëri.  
Ju faleminderit!