Postuar më: 23 Janar 2017

Mbulim Universal, Barna #FALAS për 600 mijë të pasiguruar

Tiranë, 23/02/2017 - 600 mijë shqiptarë, nga fillimi i këtij viti do të marrin falas ilaçet nga gjithë lista e ilaçeve të rimbursueshme. Ata janë qytetarë të pasiguruar, të cilët janë në vështirësi dhe që deri dje duhet të paguanin me para në dorë, te gjitha barnat e përshkruara nga mjekët - një hap i rëndësishëm ky, drejt rilindjes së shëndetësisë përmes mbulimit universal dhe shëndetësisë falas për të gjithë.

Sot, u zhvillua në Durrës një takim i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me pjesëmarrjen e mjekëve, personelit spitalor, punonjës të shëndetësisë e pacientë, ku të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Erion Manohasa, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Kryeministri Edi Rama.

Ministri i Shëndetësisë Beqaj, duke evidentuar se ka ende shumë për të bërë, sidomos në lehtësimin e barrës administrative dhe burokratike, theksoi se shndërrimi i sektorit të shëndetësisë i ndodhur në 4 vjet është në drejtimin e duhur. “Në 2016 ne u shërbyem për herë të parë me dializë 150 pacientëve të rinj. Ky shërbim kushton 1,9 milionë euro në vit dhe u ofrua falas. Në 2016 ofruam falas barna për shërimin e hepatitit C për rreth 40 pacientë dhe trajtimi i tyre kushtoi 1,9 milionë euro. Në 2016 u shërbyem për herë të parë me akselerator linear 300 pacientëve onkollogjikë. Kushton rreth 700 mijë euro në vit dhe ofrua falas. ”- u shpreh ai. Të gjitha këto janë pjesë e një përpjekje që vazhdon për të përmbushur ambicien e kujdesit kombëtar shëndetësor sipas nevojës, jo sipas xhepit.

---###---

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin “Barna falas për 600 mijë të pasiguruar”:

Përshëndetje të gjithëve!

Sot është një tjetër moment i rëndësishëm për t’u shënuar në rrugën tejet të vështirë drejt Rilindjes së Shëndetësisë. Meqë jemi në Durrës, do të bëja një krahasim me tre vjet e gjysmë më parë kur ishim në këtë sektor, por jo vetëm në këtë sektor, por në gjithë sektorët e jetës, - në det të hapur.

Nuk e kemi arritur portin, por kemi një busull që na orienton në drejtimin e duhur dhe falë një pune të mirë organizuar në një kantier reformash tërësore, por edhe specifikisht masash për të mbështetur çdo reformë, ne jemi në kushtet kur mund t’ju themi njerëzve me krenari që ju kemi ulur në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për shëndetin dhe me shumë vetëdije dhe modesti se ende jo vetëm ka shumë për të bërë, por dimë ekzaktësisht se si do ta bëjmë.

600 mijë shqiptarë, nga fillimi i këtij viti do të marrin falas ilaçet nga gjithë lista e ilaçeve të rimbursueshme. Janë gra e burra, vajza e djem që nuk janë të siguruar, që janë në vështirësi dhe që deri dje duhet praktikisht të paguanin, edhe pse janë padyshim shtresa më e dobët dhe më e pambrojtur nga kjo pikëpamje.

Sot, të gjithë kanë akses falas në shërbimin shëndetësor për çdo ilaç dhe po të kemi parasysh rrëfimet që sapo dëgjuam, apo rrëfimet që mund të na tregojnë në të gjithë Shqipërinë të sëmurët kronikë, është një lehtësim i jashtëzakonshëm që fshin një herë e mirë dilemën për shkak të pamundësisë financiare, “a të vazhdoj të kurohem apo jo, a ta lë këtë muaj e ta vazhdoj muajin tjetër se nuk kam mundësi financiare, etj”. Nga ana tjetër i bën të gjithë qytetarët të barabartë në raport me aksesin në shërbimin shëndetësor për sa i përket ilaçeve. Kur them ilaçet, nuk harroj që tanimë mjeku i familjes është falas. Nuk harroj që tanimë tarifat e shërbimit janë simbolike, në raport me çka ishin për të gjithë ata që janë të pasiguruar. Nuk harroj po ashtu, një sërë lehtësirash të tjera që kanë sjellë një ulje 25% nga viti 2014, në vitin 2015, sepse për 2016 do të duhet të presim statistikat përkatëse, të barrës së shpenzimeve për shëndetin.

Natyrisht që duhet shumë më tepër dhe nuk ka dyshim që shëndetësia është sektori më i paragjykuar, e jo pa të drejtë për hir të së vërtetës, pasi është dhe sektori që lidhet drejtpërdrejtë me jetën e njerëzve, me kujdesin për njerëzit më të dashur dhe ku çdo dobësi përkthehet në kërcënim për shëndetin e njeriut. Por një gjë është e sigurt, ata që marrin sot shërbim shëndetësor janë shumë më pozitiv ndaj mënyrës si ofrohet sot ky shërbim sesa ata që për fat të mirë të tyre nuk kanë pasur nevojë të shkojnë nëpër spitale dhe të shohin ndryshimin, dhe që mbeten jo vetëm dyshues, por edhe jashtëzakonisht negativ në raport me sektorin.

Një sektor që më duhet ta kujtoj në vitin 2013 ishte pasqyra më kuptimplotë e një rrënimi të gjithanshëm. Po ashtu më duhet të kujtoj sot, se në vitet 2012-2013 gjendja e shëndetësisë në Shqipëri u kthye në subjekt për mediat e huaja. Kam sjellë këtu një nga shumë shembujt që mund të sillja të një prej gazetave më të mëdha spanjolle, e cila shkruante në mars të 2013 se keqadministrimi dhe korrupsioni e sundojnë shëndetin publik në Shqipëri, përmes “kushtesh të mjerueshme të spitaleve, ku nuk ka ilaçe, ku kushtet higjienike janë katastrofike, dhe të sëmurët duhet t’i japin ryshfet stafit për shërbimin më të vogël”.

Natyrisht që nëse do të pretendonim se ryshfeti nuk është më pjesë asgjëkundi e jetës së përditshme të shërbimit tonë shëndetësor, do të gabonim rëndë. Por nga ana tjetër, ajo që sot vlen të nënvizohet është se duke reformuar sistemin, ne po e sprapsim hap pas hapi, korrupsionin dhe ryshfetin edhe nga shërbimi ynë kombëtar shëndetësor. Kur them po e sprapsim hap pas hapi, nuk pretendoj aspak të them se e kemi nxjerrë matanë derës së këtij shërbimi. Edhe receta elektonike, e cila u projektua dhe u aplikua si një projekt pilot këtu në Durrës me sukses, do të hyjë në fuqi gjatë muajit shkurt dhe gjatë dy muajve të tjerë, në pranverën e këtij viti, do të jetë e vetmja recetë në rrafsh kombëtar. Që do të thotë se të gjitha historitë e hidhura që i kemi dëgjuar apo shumë të tjera që nuk i kemi dëgjuar, se nuk i ka marrë vesh kush, të korrupsionit sistemik me fondin, duke ushqyer kanale zullumesh nga farmacitë që shkruanin me dorë receta për ilaçe që nuk i shisnin, tek agjencia shtetërore që hynte në këtë raport korruptiv, - marrin fund. Pasi çdo recetë, tanimë do të jetë elektronike dhe asnjë farmaci nuk mundet më të prodhojë recetat e veta me dorë, pasi për çdo ilaç që do të shesë do të duhet të ketë të përputhur mallin e shitur me databazën elektronike të recetave në mbarë Shqipërinë.

Po ashtu, më lejoni që të kthehem pak mbrapa dhe të kujtoj se shërbimet që jepeshin deri në 2013 ishin mizerabël dhe shumë nga aparaturat nëpër spitale, jo vetëm ishin aty si rezultat i blerjeve sporadike një këtu e një atje, - pa asnjë vizion, pa asnjë plan, pa asnjë rend gjërash hap pas hapi, - por dëshmonin ekzaktësisht rrënimin e sistemit. Ministri solli shifra për rritjen me herë të numrit të shërbimeve të kryera në spitalin e Durrësit. Është e njëjta gjë në gjithë Shqipërinë. Natyrisht jo të gjithë spitalet e Shqipërisë kanë pësuar transformimin shembullor që ka pësuar e po pëson Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Jo të gjitha spitalet e Shqipërisë mund të krahasohen me Spitalin e Durrësit, që është një ndër spitalet më të mira, por, pa asnjë dyshim, nuk ka një spital të Shqipërisë, ku të mos ketë filluar të ndihet ndryshimi që vjen si rezultat i kësaj reforme, të shoqëruar me masa specifike dhe mbi bazën e një harte veprimesh hap pas hapi për të ndërtuar themelet e shtetit në shëndetësi.

Le të vijmë tek instrumentet kirurgjikale. Kishim instrumente të trashëguara që ishin jashtë çdo lloj standardi të sterilizimit, dhe që sipas studimit të kryer nga konsulentë ndërkombëtarë, e rrezikonin drejtpërdrejtë jetën e çdonjërit prej 50 mijë pacientëve që i nënshtroheshin operacioneve në Shqipëri, vetëm për shkak të mungesës së sterilizimit sipas standardeve.

Sot kemi instrumente kirurgjikale ekselente, të cilat janë një ndër rezultatet e partneritetit publik privat, apo e atyre që mallkohen përditë nga gjithfarë demagogësh dhe injorantësh si koncesione ku u pasuruan disa dhe u varfëruan të tjerët.

Më lejoni të ndalem tek koncesionet e ashtuquajtura, - pasi janë partneritete publike, private të mirëfillta, - për të shpjeguar se ka 2 mënyra për të hyrë në partneritet me sektorin privat. Njëra është mënyra e vjetër e qeverisë së mëparshme, që partneritetin e shtetit me privatin e paguan qytetari.

Tjetra është mënyra jonë, që nga partneriteti i shtetit me privatin përfiton qytetari.

Sot, ne kemi kontrollin bazë falas, që do të thotë se asnjë qytetar nuk paguan për një gamë të domosdoshme analizash që sjellin si rezultat parandalime spektakolare sëmundjesh, që zhvillohen në trupin e njerëzve pa dijeninë e tyre dhe që na japin për herë të parë një bazë statistikore për politikat tona shëndetësore. Shteti natyrisht paguan. Por pse shteti paguan privatin e nuk e bën vetë? Sepse shteti nuk ka mundësi të bëjë vetë investimin fillestar. Nuk është ashtu siç tregohet që “shteti iu jep lekë privatëve, privatët marrin lekët e ikin dhe këtu e pësojnë qytetarët”. Kjo është një çmenduri. E kundërta është e vërtetë. Privatët investojnë dhe shteti në vite shlyen pjesë-pjesë investimin e tyre dhe brenda 7-10 vitesh, sipas kontratave, shteti bëhet pronar i laboratorëve, bëhet pronar i instrumenteve kirurgjikale, bëhet pronar i pavijoneve të reja të dializës, bëhet pronar i gjithë këtyre investimeve që në start janë private.

Ajo që është më e rëndësishmja nuk ndodh si me koncesionin e skanerëve, koncesioni famëkeq që bën që të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri me një mall duhet të paguajnë një faturë edhe po të mos skanohen. Pra, një bashkëpunim me privatin që e paguajnë qytetarët.

Ndërkohë që nga këto bashkëpunime me privatin në sektorin e shëndetësisë, por dhe në të gjithë rastet e tjera, ne nuk kemi lejuar dhe nuk lejojmë në asnjë rast që një shërbim publik të përmirësohet duke i vënë një tarifë plus qytetarit, por kemi mundësuar që qytetari ta marrë shërbimi publik me kushte tërësisht të ndryshme dhe me një cilësi tërësisht të re që shteti paguan në vite investimin. Kjo nuk është një shpikje e jona. Kjo është rruga e re e çelur vite më parë nga vende shumë më të zhvilluara se ne.

Nëse flasim për Turqinë, si një nga vendet ku transformimi në sektorin e shëndetësisë ka qenë spektakolar dhe botërisht i admiruar, baza e këtij transformimi në Turqi është partneriteti publik privat.

Janë privatët që investojnë masivisht dhe është shteti që i paguan ata pjesë-pjesë, duke mos rritur borxhin publik, sepse rruga tjetër do të ishte të shkonim të merrnin borxh në banka dhe ta bënim ne si shtet investimin. Por Shqipëria nuk mund të marrë më borxh. Ju e dini shumë mirë pse dhe si. Nga ana tjetër, nuk mund dot t’i bëjë menjëherë këtë volum investimesh.

Në këto vite është bërë volumi më i madh i investimeve në shëndetësi në 25 vitet e fundit. Natyrisht, është bërë duke shtuar jo vetëm buxhetin e shtetit, por duke shtuar para private që shkojnë për përdorim publik, shëndetësor.

Buxheti i këtij viti për shëndetësinë është për herë të parë në historinë e këtyre 26 viteve gjysmë miliardë dollarë. Kurrë nuk ka qenë kaq. Por gjysmë miliardë janë para publike, janë dhe para private. Për këto para private, që hyjnë menjëherë në sistem dhe që përmirësojnë shërbimet në mënyrë të menjëhershme, shteti shlyen detyrimet në një hark kohor prej 7 apo 10 vitesh, sipas kontratave të veta.

Po ashtu është shumë e rëndësishme të nënvizohet edhe transformimi rrënjësor që do t’i ndodhë shumë shpejt urgjencës. Ngritja e “Qendrës Kombëtare e Urgjencës Mjekësore’, dhe një riorganizim tërësor të gjithë transportit mjekësor në të gjithë Shqipërinë bashkë me trajnimin e stafit të urgjencës mjekësore, do të sjellë një përmirësim rrënjësor. Ashtu sikundër ka sjellë një përmirësim rrënjësor vënia në funksion të shërbimit të urgjencës mjekësore 24 orë në 7 ditë për sëmundjet kardiake dhe ato vaskulare cerebrale ku përfitojnë diçka themelore për jetën e tyre, 4000 njerëz në vit, të cilët më parë ishin të gjithë kërcënuar.

Nuk po zgjatem me listën e kabineteve kardiologjike në 11 spitaleve rajonale, me poliklinikat e reja, me kabinetet e diabetit të spitaleve rajonale, me njësi të shërbimit neurovaskular dhe me krijimin e një sistemi të ri shërbimi në “Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”, - që sot e themi me krenari nuk e ka asnjë spital privat, - por dua të ndalem tek domosdoshmëria që ky proces historik transformimi edhe në sektorin e shëndetësisë të vazhdojë. Patjetër që ky proces do vazhdojë, pasi reforma është shumë e qartë dhe masat që e shoqërojnë atë janë të mirëpërcaktuara. Ashtu sikundër, kur erdhëm Durrës një vit më parë një pjesë e mirë e sallës ishin krejt skeptikë, për vendosjen e recetës elektronike dhe sot receta elektronike është një realitet i përshëndetur nga të gjithë mjekët e familjes dhe një tregues i qartë sesi shpenzimi i parave publike për rimbursimet i bazuar tek receta elektronike është një histori suksesi.

Brenda pranverës në të gjithë Shqipërinë do kemi vetëm recetën elektronike. Por janë gjera që duan kohën e tyre, duan eksperiencën që krijohet nga kalimi prej projektit në letër, në realitetin e përditshëm dhe mbi të gjitha për vizionin e qartë për se ku, duam të mbërrijmë. Nuk diskutohet, që edhe rritja e rrogave për mjekët, për infermierët, për ekipin e sanitareve është një hap në këtë drejtim. Ashtu sikundër, edhe njëherë e them, nuk diskutohet që ka ende jo pak raste mes bluzave të bardha, të atyre që njollosin të gjitha bluzat e bardha me sjelljen e tyre, me qasjen e tyre korruptive dhe me e shqetësimet që u krijojnë pacienteve. Por, le të jemi shumë të qartë, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që korrupton njerëzit. Nëse duam që të kemi më pak korrupsion duhet të bëjmë reformë, dhe nëse duam që t’i shpëtojmë njerëzit nga kthetrat e korrupsionit reformat duhen të jenë të thella. Është sistemi që ngrihet përmes reformave që e bën korrupsionin një ushtrim shumë të vështirë, në mos të pamundur, siç është rasti i recetës elektronike. Është një sistem i ri që e bën të pamundur korrupsionin mes farmacive dhe zyrtarëve të korruptueshëm dhe të korruptuar në fond, pasi nuk ka më mundësi që të shkruhen me dorë sipas qejfit para që merren nga arka e shtetit, jo për të rimbursuar ilaçe të shitura, por për të rimbursuar “ilaçe” që nuk janë shitur kurrë, dhe që ndahen mes farmacisteve dhe zyrtarëve të korruptuar siç ka ndodhur 20 e kusur vite. Kjo nuk do ndodh më! E pra, është sistemi që e bën këtë të pamundur. Njerëzit janë po ata, të tundueshëm nga korrupsioni, nëse kanë mundësi që përmes korrupsionit të pasurohen në një mënyrë të shpejtë, apo përmes korrupsionit të marrin një shërbim më të shpejtë, një shërbim që përndryshe nuk e marrin dot.

Duke ju falenderuar të gjithëve për praninë tuaj dhe duke shpresuar me gjithë zemër që sa më shumë njerëz ta prekin këtë ndryshim, jo duke shkuar në spital nga halli, këtë nuk ua urojmë askujt, por ta prekin këtë ndryshim, - ne mbetemi të vendosur që ta thellojmë, ndryshimin. Sepse jemi shumë të vetëdijshëm që çka kemi bërë, është shumë, në raport me 3 vjet e gjysmë më parë, po nuk është absolutisht mjaft, në raport me ambicien që kemi për një vend ku shëndetësia jepet sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, ku shëndeti nuk është mall që blihet kur ke dhe që nuk e blen dot kur nuk ke dhe ku çdo shqiptar, pavarësisht nga gjendja e tij ekonomike dhe nga situata së tij financiare ta marrë me dinjitet të plotë shërbimin shëndetësor, në këtë vend.

Shumë faleminderit!

---###---

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në takimin “Barna falas për 600 mijë të pasiguruar”:

I nderuar Kryeministër Rama,

Të nderuar deputete dhe deputetë,

I nderuar kryetar i bashkisë Durrës Dako,

Profesionistë të shnëdetësisë,

Drejtues të Fondit,

Të dashur qytetare dhe qytetarë,

Shëndet për të gjithë, Mbulim Universal, Shëndetësi Falas!

Rreth këtyre formulimeve vërtitet dikutimi për çfarë jemi angazhuar të reformojmë në kujdesin shëndetësor, por edhe në çfarë shqiptarët presin t’u ndryshojë në sistemin shëndetëtsor të vendit.

Dhe dy janë fjalët çelës: universalizëm dhe falas.

Falas kur qytetari ka nevojë për kujdes shëndetësor dhe aty ku ka nevojë dhe universal, dmth të gjithë janë njësoj, të punësuar apo të papunë, fëmijë, të rinj, madhorë  apo të moshuar, gra apo burra, në fshat apo në qytet, në mal, në fushë apo në bregdet, të pasur, të varfër apo shtresë e mesme.

Unë besoj se këtë jemi përpjekur të bëjmë. Njëherazi, të vetdijshëm se kemi ende shumë për të bërë.

Kemi kaluar javët e fundit një situatë shumë të rënduar prej të ftohtit, borës e ngricave.

Banorë të zonave të izoluara kanë patur nevoja të ndryshme. Por, për fat të mirë, shumë pak ankesa ka patur për mungesë barnash.

Kjo, edhe pse për të tretin vit rresht ne furnizojmë rreth 90 qendra shëndetësore me barna e materiale mjekësore  për tre muaj të dimrit.

Sepse njësoj izolohen, edhe të pasurit edhe të varfërit.

Gjatë sezonit turirstik veror, u shërbyem pushuesve të ndryshëm në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura enkas.

Edhe në Durrës, edhe në Golem, edhe në Theth, edhe në Ksamil, edhe në Velipojë.

Kemi ofruar kujdes shëndetësor për çdo pushues e vizitor, madje edhe të huaj.

Sepse njësoj mund t’u prishen pushimet nga një helmim apo një pickim, edhe të kamurve, edhe jo të kamurve.

Në mars 2015 filluam të zbatojmë programin e kontrollit bazë shëndetëtsor të përvitshëm për këdo në moshën 35 – 70 vjeç.

Pa dallim i siguruar apo i pasiguruar.

Në qendrën shëndetësore të vendbanimit, nën kujdesin e mjekut të familjes.

Ofrojmë falas mundësinë e 44 analizave të ndryshme mjekësore. Për të parandaluar apo ngadalësuar sëmundje me përhapje të lartë në Shqipëri.

Prej janar 2016 vizita te mjeku i familjes mundësohet falas për këdo. Për të pasiguruarit vizitat dhe ekzaminimet te mjeku specialist kanë pagesa thjesht simbolike nëse ndiqet sistemi i referimit.

Tani, në janar 2017, edhe barnat me rimbursim mund t’i marrë kushdo kur mjeku i familjes i përshkruan ato.

Janë 600 mijë vetë, ende të pasiguruar që deri dje duhet të paguanin me para në dorë të gjithë barnat që u përshkruajnë mjekët.

Pra, të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri, 2,9 milionë vetë, janë të barabartë në sistemin shëndetësor të vendit.

Ka një debat ditët e fundit sesa është arritur drejt shëndetësisë falas.

Ka deklarime se shqiptarët shpezojnë ende shumë nga buxhetet familjare për kujdes shëndetësor.

Që ka ende shumë për të bërë drejt shëndetësisë falas jemi të vetëdijshëm.

Edhe për faktin që para shëndetit nuk ka cak. Por në të njëjtat të dhëna ku duan të bazojnë pretendimet se nuk kemi përmbushur angazhimin, dëshmohet se sa shumë kemi arritur në vetëm këto vite.

Në 2014, shpenzimet për shëndetësinë zunë 4,8 % të shpenzimeve totale të familjeve tona.

Në 2015, shpenzimet për shëndetësinë zunë 3,6 % të shpenzimeve totale të familjeve tona. Pra, 25 % u ul barra që zë shëndetësia në jetesën e përditshme.

Në 2014, familjet shpenzuan çdo muaj 33,370 lekë për shëndetin.

Në 2015, familjet shpenzuan çdo muaj 25,330 lekë për shëndetin.

Në 2015, çdo familje shqiptare shpenzoi nga buxheti familjar rreth 70 euro më pak se në 2014.

Në 2015, familjet shqiptare shpenzuan nga buxhetet familjare 50 milionë euro më pak se në 2014. 34 milionë euro më pak për barna, 16 milionë euro më pak për vizita, ekzaminime e trajtime mjekësore brenda a jashtë vendit.

Nëse në 2013 shpenzimet pubilke për shëndetësinë financonin më pak se gjysmën e shpenzime totale për shëndetin, tani financojnë rreth 60 %. Synimi ynë është që shpenzimet publike të mbulojmë të paktën 2/3 e shpenzimeve totale për shëndetin, por përmbysja e ndodhur në 4 vjet është mbresëlënëse. Të paktën sipas këtyre shifrave.

Kjo është arritur duke rritur financimin publik, duke zgjeruar mbulimin dhe aksesin, duke përdorur shumë më mirë burimet që disponojmë si dhe duke ulur çmimet e barnave pa cënuar efektshmërinë e tyre.

Po ju jap një shembull nga Durrësi.

Në 2013, në spitalin rajonal të Durrësit janë realizuar rreth 900 rezonanca magnetike, në 2016 u realizuan më shumë se 3600. 4 herë më shumë.

Në 2016, çdo ditë mesatarisht 10 ekzaminime, në 2013 më pak se 3 në ditë.

Në 2013 pajisja nuk punonte me javë a muaj. Në 2016 defektet riparohen brenda dy ditësh.

Ka shumë shembuj të ngjashëm.

Në 2016 ne u shërbyem për herë të parë me dializë edhe 150 pacientëve të rinj. Kushton 1,9 milionë euro në vit ky shërbim dhe u ofrua falas.

Në 2016 ofruam falas barna për shërimin e hepatitit C për rreth 40 pacientë. Kushtoi trajtimi i tyre 1,9 milionë euro.

Në 2016 ne u shërbyem për herë të parë me akselerator linear 300 pacientëve onkollogjikë. Kushton rreth 700 mijë euro në vit dhe ofrua falas.

Në 2016 financuam 9 transplante veshke. Kushton 72 mijë euro dhe u ofrua falas. Prej shtator 2013 kemi financuar 26 transplante veshke.

Në 2016 financuam 1115 angiografi më shumë se në 2015, fiancuam 540 angoplastikë më shumë, financuam 20 pacemaker më shumë, financuam 173 by pass koronar më shumë, 124 intervente valvolare më shumë. Së bashku janë rreth 2 milionë euro me cmimet e paketave apo 4 milionë euro nëse qytetarët shkojnë vetë në spitalet private.

Nëse qytetarët do të ishin lënë të vetëm përballë këtyre sëmundjeve të rënda do të duhet të paguanin të paktën 10 milionë euro.

Po të shtojmë edhe protezat, edhe stroke unit plotësojmë kolanën e shërbimeve që ofruam për herë të parë në shëndetësinë publike.  

Po e përsëris për të disatën herë. Ka ende shumë për të bërë. Sidomos në lehtësimin e barrës administrative dhe burokratike. Njerëzit vuajnë sorollatjet, referimet. Kohë e harxhuar kot, qoftë për njerëzit, qoftë për përsonelin shëndetësor.

Lehtësimin e barrës administrative në hallkat e sistemit të referimit e sjell edhe automatizimi i sa më shumë proceseve. Përdorimi sa më shtrirë i shëndetësisë elektronike. Janë investuar jo pak para për shëndetëinë elektronike në këto 4 vite.

Është koha që të gjithë të vjelim frytet e këtyre investimeve.

Qoftë qytetarë, qoftë personel shëndetësor.

Sot, Karta e Shëndetit përftohet on-line.

Sot, rezultatet e kontrollit bazë konsultohen on-line.

Para 1 viti, në Durrës prezantuam projektin pilot të recetës elektronike. Sot, prezantojmë projektin kombëtar. Nuk ka më recetë në letër. Ka një vetëm një kod me 5 shenja alfanumerike. Nuk kam ka më firmë e vulë. Edhe mjekët nënshkruajnë elektronikisht recetën.

Ja dhe një prezantim i shkurtër video i recetës elektronike.

---###---