Postuar më: 04 Shkurt 2016

Nga 1 shkurti, mamografia është FALAS për çdo grua shqiptare!

Nga 1 shkurti, mamografia është FALAS për çdo grua shqiptare!

Asnjë investim në 8 vjet qeverisje nga PD për urgjencën!

Replika e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, me Opozitën në Kuvend, 4/2/2016.

---###---

I nderuar drejtues i seancës,

Zonja dhe zotërinj deputetë, qytetarë që na ndiqni, por sidomos, ju në Tiranë.

Në fakt, nëse ka një aspekt të rëndësishëm shëndetësor për të cilin ish-mazhoranca duhet të heshtte, është pikërisht urgjenca mjekësore. Këtu u tha se për sa kohë shkonte thirrja e një urgjence. E vërtetë, është por ja me çfarë regjistrash i masnit ju thirrjet. Këto ishin ato që gjetëm ne; ora kur u nis..., pallati me shigjeta.., etj. Në cilën urgjencë mjekësore mund të matet koha e përgjigjes vetëm me kaq? Në 8 vjet vetëm kaq mundët që të bënit.

Ndërkohë, që nga 1 dhjetori, çdo thirrje urgjence, (edhe për ty që the të lumtë), ja ku evidentohet: Kur u nis, kur arriti, çfarë trajtimesh bën infermieri, çfarë trajtimesh bën mjeku.

Tashmë, kemi dy kopje të regjistrave, njëra kopje shoqëron pacientin në spitalin ku ai dërgohet, ose nëse kur nuk dërgohet, mbahet aty. Kjo, në radhë të parë i vjen në ndihmë mjekëve, se me këto lloj paçavuresh ju i keni lënë mjekët në çdo lloj presioni, sepse këtu nuk evidentohet asnjë gjë. E keni lënë mjekun të zbuluar përpara çdo lloj të papriture që mund të ndodhë në shërbimin shëndetësor. Dhe ky është ndryshimi rrënjësor që po ndodh.

Ja se si që nga 1 Dhjetori evidentohen rastet e urgjencës në të gjithë Shqipërinë. Është e vërtetë që Tirana është me tre autoambulanca, por ju e latë Tiranën me 3 mjete ambulance, sepse aq skuadra mund të punojnë në një turn të caktuar. Janë aty 9 autoambulanca, por duhen shoferë, duhen infermierë, duhen mjekë, duhet karburant, duhet kosto për mbajtjen e manikave, etj, etj. Dhe ne, këtë po bëjmë. Ua kam thënë që në muajin nëntor të 2015 në Komision Parlamentar që ne do të shtojmë brenda marsit volumin e skuadrave që shërbejnë me autoambulanca, dhe këtë kemi filluar të bëjmë.

Së dyti, është Urgjenca e Tiranës. Po a ka mundësi që në Tiranën prej 800 mijë banorësh të vazhdojmë t’i kemi vetëm një një vend autoambulancat, ashtu siç kanë qenë para ’90 me një Tiranë 4 herë më të vogël dhe me një Tiranë me një trafik 40 herë më pak se ky që është sot?

Jo, nuk mund ta bëjmë këtë! Sepse nuk i përgjigjemi dot thirrjeve te njerëzve në kohë. Të paktën, duhet të shkurtojmë kohën e vajtjes, dhe këtë po bëjmë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Po ndodh një çudi me urgjencën në Tiranë.

Pa më thoni se urgjenca është jashtë spitalit, por si është në spitalet e tjera të Shqipërisë? Ju jeni deputetë në të gjitha zonat e vendit. Ku e ka Durrësi urgjencën, ku e ka Shkodra, ku e ka Korça, ku e ka Elbasani, ku e ka Vlora, ku e ka Dibra, ku e ka Kukësi? E kanë në spital. Pse e kanë në spital? Sepse duke e pasur në spital është e provuar profesionalisht dhe e këshilluar nga ata që dinë ta bëjnë më mirë se ne, sepse kur personeli punon brenda shërbimit të urgjencës së spitalit është më i aftë, di të punojë më mirë me pacientin, di të reanimojë, di të intubojë. Dhe ne, këtë po bëjmë!

Por në fund të fundit, nëse Tirana ka pasur një pikë urgjence në ’90, Tirana e sotshme është sa tre Tirana të atëhershme. Pra, ku janë këtu? Janë në tre pika. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar për qytetarët. Këta të fundit do të marrin në telefon po atë numër telefoni fiks apo çfarëdolloj operatori celular, do iu përgjigjet po një njeri, dhe ai njeri do të dijë ku bëhet thirrja dhe cila autoambulancë duhet t’i përgjigjet.

Dhe nëse po i dërgojmë në 3 spitale, nga data 1 Prill nuk do të duhet të rrinë më brenda në spitale, do të rrinë në territor, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Po e përsëris, të paktën kohën e vajtjes ta kenë më të shkurtër.

A thoni gjithmonë që urgjenca vjen me vonesë? Po sa me vonesë vjen? A latë ndonjë standard, a latë ndonjë strategji, që të themi në vitin kaq në qytete ne i përgjigjemi për X minuta një thirrje rgjence, apo në vitin kaq ne i përgjigjemi një urgjence në një zonë rurale të asfaltuar në Y min? Nuk latë asnjë gjë, asnjë standard! Pse? Sepse nuk donit që të ishit të kontrollueshëm, nuk donit të organizonit.

Ne këtë po bëjmë. Po bëjmë një sistem që të jemi në gjendje të përgjigjemi  në mënyrë të unifikuar të gjithë Shqipërisë, si në të gjithë Evropën. Dhe kemi detyrë nga MSA-ja për një sistem unik të urgjencës me një numër 112 që është në Ministrinë e Brendshme dhe që kontrollon njëherësh shërbimin mjekësor, zjarrëfiksin dhe autoambulancën. Kjo i duhet shqiptarëve, na duhet për të mbështetur turizmin, na duhet për të mbështetur investimet e huaja dhe për t’i përthithur ato. Dhe këtë po bëjmë.

Dhe është e provuar, është e krahasueshme që me numrin e autoambulancave që kemi në numër, - jo të pajisura siç duhet, është e vërtetë që duhet të pajisen më mirë me pajisje mjekësore, - ne duhet të ofrojmë një shërbim shumë më të mirë se ky që kemi sot. Kjo e fundit për dy arsye, sepse ka pak skuadra në dispozicion. Që një autoambulancë të ofrojë shërbim në 24 orë, 7 ditë në javë, duhet të ketë, minimalisht, pesë skuadra me shoferë dhe infermierë. Çfarë kemi ne? Më pak se dy. Dhe kjo është arsyeja pse ka tre. Dhe, prandaj, po shtohet personeli me shoferë dhe infermierë në të gjithë spitalet që të bëjmë shumë më tepër volum. Kjo është arsyeja.

Ua kam shpjeguar në nëntor, të gjitha spitaleve. I kanë marrë organigramat dhe brenda marsit do ta plotësojnë këtë gjë.

Çfarë ndodhi të hënën? Të hënën, pikërisht se mungon një qendër kombëtare e koordinimit për komandën dhe kontrollin duhet të merreshin disa drejtues të ministrisë me spitalin e Librazhdit, me Spitalin e Korçës për të çuar më shumë autoambulanca në Pogradec apo në fshat ku ndodhi ngjarja.

Dhe të paktën, nëse doni të bëni politikë me fatkeqësitë, me sëmundjet apo me tragjeditë e fatalitetet, unë ndihem mjaftueshmërisht i qetë që ata 23 pacientë, të cilët i sollëm për tre orë në QSUT, morrën jo vetëm shërbim cilësor nga mjekët, por nuk mungoi asnjë bar dhe asnjë material mjekimi. Këtë ka për detyrë të garantojë drejtimi i shëndetësisë, dhe sigurisht, shërbimin e bëjnë mjekët dhe infermierët.

Edhe me Tiranën çfarë po ndodh? Duke qenë se shtohet numri i personelit te urgjenca e Tiranës dhe bëhet shumë i madh do të ndahet në tre spitale. Dhe drejtuesit e tre spitaleve, shefat e urgjencës së tre spitaleve janë njohur më ketë projekt që në muajin tetor. Kemi diskutuar detajet, kemi bërë planet në mënyrë që brenda 1 Prillit ta bëjmë efektiv.

Personelit vetë nuk i ndryshon as natyra e punës, as shpërblimi. Madje, unë do të thoja që kushdo qoftë, mjek apo infermier, ka dëshirë të punojë në spital universitar, sepse minimalisht, ata vetë rrisin cilësinë dhe aftësitë e tyre profesionale. Sigurisht, një autoambulancë që është pjesë e Spitalit të Traumës do të jetë e vendosur ndoshta në Vorë, nga ora 7 e mëngjesit deri në 11 të mbrëmjes, dhe kur të shkojë një urgjencë do ta vlerësojë ai mjek, sikurse edhe sot, se ku do ta çojë pacientin, te Trauma (Spitali Universitar i Traumës), QSUT apo në Sanatorium (SU “Shefqet Ndroqi”).

Ndërkohë, edhe tek Trauma, ne kemi urgjencë të sëmundjeve të brendshme që trajton rreth 30-40 raste në ditë. Edhe shërbimi i urgjencës tek “Shefqet Ndroqi” është i përgatitur, madje ne duam të fillojmë që në ditë të caktuara, ai të marrë edhe urgjencën kirurgjikale të Tiranës. Pasi ka salla shumë të mira, personel me mjek kirurgë, infermierë dhe reanimatorë për të përballuar edhe urgjencën kirurgjikale të Tiranës.

Sigurisht, kjo që kemi arritur sot është zbatimi i angazhimeve të një plani të studiuar, të konsultuar. Por, ka një ligj për urgjencën mjekësore, ka një program të veçantë buxhetor për të financuar shërbimin e urgjencës për herë të parë.

Ka një Qendër Komande dhe Kontrolli, ka një godinë që po ndërtohet. Ka një sistem dispeçerie që po prokurohet. Ndërkohë që 20 autoambulanca të reja i janë shtuar flotës së ambulancave në Shqipëri, një helikopter mjekësor emergjence i është shtuar flotës së helikopterëve, dhe ndërkohë, në mënyrë modeste, në 2014 por në mënyrë më të plotë në 2015, ne iu përgjigjëm me seriozitet mbarëvajtjes së sezonit turistik veror me 22 qendra shëndetësore që punuan 24 orë në 7 ditë dhe iu shërbyen 25 mijë pushuesve.

Kjo është urgjenca ambulatore, meqenëse pretendoni se ku është urgjenca ambulatore! Kjo është! Dhe sigurisht, brenda marsit ne po realizojmë në të gjithë Shqipërinë se kush janë qendrat shëndetësore në të cilat duhet të ofrojmë shërbim shëndetësor 24 orë.

Kush janë kriteret që përdoren në të gjithë botën sot? Dendësia e popullsisë për metra katrorë, rrjeti rrugor me asfalt për kilometra katrorë dhe distanca nga spitalet, kur rasti i urgjencës duhet të shkojë. Nuk po i shpikim, është mënyra se si duhet të funksionojë sot urgjenca, si funksionon me të njëjtën flotë autoambulance shumë më mirë se tek ne në vende që i kanë këto modele më të përparuara.

Përmende PPP (Partneriteti Publik-Privat). Nëse do të na rezultojnë më të suksesshme se në fushat e tjera, pse të mos i përdorim? I kemi  prezantuar që në mars të vitit 2014, në një konferencë ndërkombëtare në Tiranë. Për sa kohë ai mund të jetë një instrument efektiv për t’iu përgjigjur shpejt, me standardet normale sot që është për 10-12 minujta, në 90% të rasteve në qytete, ke një urgjencë të mirë. Sepse ajo çka sot përdoret është zona ku qytetarët kanë banim të përhershëm, apo kanë punësimin e përhershëm. Ato janë territore ku ti duhet t’i përgjigjesh me një standard si në qytet ashtu edhe në fshat. Dhe këtë po bëjmë!

Të paktën, nëse nuk keni kurajë të kërkoni të falur, për ibret si e latë urgjencën në të gjithë shëndetësinë, të paktën heshtni!

Minimalisht, latë 40 milion dollarë borxhe.

Sot nuk ka asnjë borxh!

Meqenëse ke merak fasadën, sot kemi bërë një vizitë pune dhe është i gatshëm për të filluar nga funksionimi shërbimi modern i radioterapisë në Shqipëri. 6 milion dollarë investim. Kredia është miratuar në Kuvend në marsin e vitit 2014, ndërtimet kanë filluar vjet, mbaruan sivjet në kohë, dhe duke paguar qindarkë më qindarkë çdo detyrim, ndryshe nga ju që bënit punë dhe nuk paguanit fatura!

Është shërbimi modern i radioterapisë për të sëmurët me sëmundje tumorale dhe simbolikisht zgjodhëm sot ditën që është Dita Botërore e Kancerit. Thirrja që vjen nga bota për këtë vit është, “Të gjithë bashkë,” sepse praktikisht, është një sëmundje me barrë shumë të lartë në shoqëri. Në vendet e zhvilluara, 1 në 4 vdekje vjen nga sëmurjet tumorale.

Por, sigurisht për të shmangur vdekjen duhet ta fillojnë nga parandalimi, nga promocioni, nga Check-Up. Ti fto qytetarët shqiptarë që t’i bashkohen atyre 270 mijë të tjerëve që kanë bërë Chek-Up, të shkojë ta bëjnë. Prandaj, njësitë e mamografisë të lëvizshme i kemi vënë më së shumti në funksion të qytetarëve. Dhe, që nga 1 shkurti, përveç atyre njësive mobile, tarifa është zero për këdo. Nuk duhet të paguash më 10 mijë lekë të vjetra për të bërë një mamografi nëse nuk je e siguruar, është zero lekë për këdo grua të siguruar në Shqipëri! Sigurisht, nëse e zbaton në bazë të protokolleve mjekësore, kur ka një referim nga mjeku i familjes, mjeku specialist, e me radhë.

Unë e pranoj dhe jam i vetëdijshëm që ende nuk i plotësojmë të gjitha nevojat tona me barna citostatike. Por minimalisht, shërbimi i onkologjisë, që ofrohet për herë të parë në Durrës, shtimi i listës së barnave të rimbursueshme me citostatikë, e kanë rritur ndjeshëm volumin e punës që ne ofrojmë.

Nëse nuk ka barna dhe asnjë gjë në spital, pse ka më shumë vizita, pse ka më shumë shtrime? Sepse njerëzit nuk paguajnë. Është e vërtetë që u prish aparati i kobaltit (Kobaltoterpia), por ka një aparat të dytë dhe tjetri do të rregullohet. I latë në mëshirë të fatit, pa kontrata mirëmbajtjeje, pa kontrata, pa asnjë gjë! Ne, në shumicën e tyre jemi përpjekur për t’i vendosur në një regjim normal kontrolli. Nuk është më lajm që u prish rezonanca (magnetike), nuk është më lajm në Shqipëri që u prish skaneri (CT Scan). Dhe, nëse prishet, rregullohet për dy ditë. Nuk është më lajm që duhet të presim 3 muaj për rezonancë. Nga 3 muaj tashmë është 20 ditë, skaneri po ashtu, urgjenca kardiake po ashtu.

Mua më vjen mirë që ju akuzoni, sepse përditë përballeni me përmirësimin që ka ndodhur në spitalet tona.

Sigurisht, e filluam me kontrollin bazë shëndetësor. Nga data 27 janar, mjeku i familjes është falas për këdo. Ia kishit mohuar mjekun e familjes falas 600 mijë shqiptarëve. Atë model kishit zgjedhur. Bindja juaj politike dhe ideologjike, po 600 mijë veta në moshë aktive mbeteshin jashtë. Nga 27 janari, pra prej një jave, ata e kanë falas.

Por edhe kjo nuk mjafton. Prandaj nga data 1 shkurt, tarifat e vizitave në mjekë specialistë apo në spitale janë ulur 5 deri në 8 herë. Dhe nëse deri para dy javësh një person i pasiguruar shkonte tek mjeku i familjes 10 mijë lekë, shkonte tek specialisti 15 mijë lekë dhe pastaj shkonte në QSUT 30 mijë lekë, pra 55 mijë lekë. Ndërsa sot, e ka zero mjekun e familjes, 1 mijë lekë mjeku specialist dhe 5 mijë lekë QSUT.

Pra, para dy javësh, një nga ata 600 mijë që ishte i pasiguruar duhet të paguanin 55 mijë lekë për 3 vizita, sot paguan 6 mijë lekë. Pjesëtimin bëjeni vetë! Ne kemi marrë përsipër tu ofrojmë shërbim shëndetësor të gjithë shqiptarëve pa pagesë. Sepse të gjithë ne bashkë do të duhet të përballojmë nevojën për çdo njeri që jeton në Republikën e Shqipërisë.

Ndërsa lidhur me akuzat e tjera, ua kam thënë që nuk më bëjnë përshtypje. Vijnë nga ato lobe që iu kanë financuar dikur dhe iu janë prekur financimet. 100 milionë dollarë në vit iu keni borxh shqiptarëve për barnat më të shtrenjta. I keni aty, i keni edhe në arkivat tuaja madje, edhe këtu në Kuvend ku keni pohuar se barnat vijnë 70% më shtrenjtë se vendet e origjinës. Apo në shtator të vitit 2013 që regjistronit barna për dy ditë dhe linit barna të tjerë prej dy vjetësh pa i regjistruar. Nuk ka më kështu sot! Barnat regjistrohen për dy muaj! Në dy vitet 2014-2015 janë 125 barna patentë që janë regjistruar në Shqipëri.

Dhe i thonë atij kryetarit të mos flasë më emra patentash ,shpjegojani se si është dhe të mos flasë për kompanitë që iu kanë prerë financimet.

Sigurisht që unë jam i vetëdijshëm që ajo që ne duam të bëjmë në shëndetësi ka nevojë edhe për reforma të thella radiale. Preken interesa, prekin lobe, prekin status quo. S’kam pasur asnjë dyshim që ditën e parë, por nuk mund të pranoj që të drejtoj një dikaster që ka marrë përsipër që të zbatojë Programin e një Qeverie që kryefjalë të saj ka reformën ditë pas dite, sepse në radhë të parë, kemi detyrim ndaj qytetarëve tanë që meritojnë më shumë, kemi detyrime ligjore.

Lidhur me akuzat për shkeljen e Kushtetutës, unë jam një ministër që kam qenë më shumë se kushdo në Komisionin e Shëndetësisë (Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë i Kuvendit të Shqipërisë). I jam përgjigjur çdo thirrjeje! Por, nuk financoj shfaqje teatrale! Nuk ka asnjë nen apo pikë të rregullores që të thotë se ministri shkon dhe ballafaqohet me grupe interesi! Ju, në radhë të parë të zbatoni rregulloren! Bëhen dëgjesa me grupe interesi, me ministër, me zyrtare, me institucione.

Së dyti, praktikisht ka një normë, të mërkurën në orën 11 jam në mbledhje të Këshillit të Ministrave. Unë besoj që, për një ministër, angazhimi për të marrë pjesë në mbledhje të Këshillit të Ministrave është i rëndësishëm, ndërkohë  pjesëmarrja në një seancë dëgjimore mund të bëhet një ditë apo në një ditë tjetër.

Edhe mos i merrni në qafë ata nënshkruesit e peticionit duke i demaskuar duke nënshkruar tekstin e tij, duke thënë të shkretët se kur ju të merreni me këtë punë, na thoni edhe ne. Le ta bëjnë si të duan peticionin! Unë i kam pritur ditën e hënë në zyrë, ua kam shpjeguar që për ata nuk ndryshon asnjë gjë nga puna e tyre e përditshme. Megjithatë, gjithësecili bën zgjedhjen e tij, qoftë mjek apo infermierë

Faleminderit!

---###--

E keni zanat të gjithë, përhapet më shumë tek ju që shihni nga vrima e çelësit se çfarë bëjnë njerëzit nëpër shtëpi, nuk është habi!

Po e përsëris edhe një herë për çdo qytetar të Tiranës, do të telefonojë në të njëjtin numër! Por, ndryshe nga sot, autoambulanca nuk do të niset vetëm nga një pikë e Tiranës, po do niset nga më shumë pika. Po mjekë dhe infermierë do iu shërbejnë pacientëve! Do i çojnë po në tre spitalet ku i çojë edhe sot.

Ajo ambulancë, ajo pikë nuk është urgjenca e njësisë administrative numër 5, apo urgjenca në ish-Bllok. Ajo është urgjenca e rrethit të Tiranës. Fillon në kufi me Elbasanin në Kërrabë, shkon në Marikaj në kufi me Durrësin, dhe shkon matanë Pezës në kufi me Kavajën. Nuk mund të përgjigjet vetëm nga një pikë, sepse nuk e bën asnjë vend i Evropian apo vend në zhvillim këtë gjë! Kështu që mos thoni broçkulla por mendoni para se të flisni!

Personeli kur rri në spital punon edhe ne urgjencë spitali dhe është më i zoti! Kështu e bëjnë vendet e zhvilluara! Nuk lihet mjeku atje të vegjetojë vetëm kur t’i vijë thirrja. Duhet të punojë mjeku, duhet t’i rrisë aftësitë. Nuk mund të rrijë 30 vjet, dhe në urgjencë nuk bëhen operacione, por ju as këtë nuk keni arritur të mësoni!

Dhe po ta përsëris edhe një herë, nëse duhet të përgjigjem do të përgjigjem si gjithmonë, por 7 ditë e ka rregullorja. Ka një rregullore. Përgjigjem për 7 ditë dhe brenda 7 ditëve do të kthej një përgjigje siç të kam kthyer gjithmonë.

Ketë latë, ky është një nga turpet tuaja. Mund të regjistrohet kështu urgjenca? Më thoni. Nuk ka rëndësi të jesh mjek. As në Tiranë, dhe as në një vend të Shqipërisë nuk shënohej se kur ishte mbërritja. Po si mund të kërkosh llogari më vonë?

Lidhur me sëmundjet tumorale, po të jap dy të dhëna të thjeshta. Seanca radioterapie me kobalt në vitin 2013 janë 20 mijë. Janar–shtator 2015 janë 24 mijë.

Është e vërtetë që prej disa ditësh një nga pajisjet është me defekt, por është pajisja e dytë. Flasim për Herceptinën. Në 2013 e furnizuar spitalin me 830 flakonë, ne vjet dhe parvjet me 2300 flakonë. Nuk janë të mjaftueshme, po 3 herë më shumë se ju janë të paktën.

Ju nuk paguanit as faturat!

---###---