Postuar më: 02 Mars 2017

600 mjekë të rinj përfituan në 3 vjet me rihapjen e specializimeve

Mbyllet procesi i konkursit për studimet e nivelit të tretë në Universitetin e Mjekësisë

Beqaj: 600 mjekë të rinj përfituan në 3 vjet falë rihapjes së specializimeve

-Proces transparent, me bazë merite dhe i papërfolur, ndryshe nga historia e viteve të tjera dhe bllokimi shumëvjeçar i specializimeve

Prof. Gjata: Konkursi i specializimit, sipas të gjithë parametrave

Tiranë, 2/3/2017 – Është përmbyllur me sukses të plotë edhe këtë vit procesi i përzgjedhjes së aplikantëve që do të vijojnë të ndjekin studimet e nivelit të tretë në Universitetin e Mjekësisë, ku për 185 kuota specialitetesh të e përcaktuara këtë vit garuan gjithsej 279 aplikantë. Ky proces, po ecën normalisht, për të tretin vit radhazi, duke u dhënë mundësi afro 600 studentëve për të vijuar studimet e mëtejshme në mjekësi.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ndoqi nga afër procesin ku vetë aplikantët përzgjodhën degën në të cilën dëshirojnë të specializohen. Në fjalën e mbajtur, z. Beqaj tha se ka qenë një nga angazhimet kryesore të Qeverisë rifillimi i këtij procesi.

“Ka qenë një angazhim për ta rifilluar këtë proces, për ta futur në një rrjedhë normale. Kur erdhëm në fillim të punës në qeveri, prej disa vitesh, ky proces ishte ndërprerë, kishte krijuar një boshllëk shumë të madh në trupën mjekësore të specializuar, por kishte hequr dhe shpresat tek brezat e rinj të mjekëve, me diplomë të Mjekësisë së Përgjithshme për specializim”, u shpreh z. Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë, theksoi se janë afro 600 studentët të cilët kanë përftuar të drejtën për studime në nivelin e tretë në Universitetin e Mjekësisë gjatë këtyre tre viteve. “Po ti marrim të tre vitet bashkë, janë rreth 600 vajza dhe djem, që bashkë me këta të këtij viti, specializohen për të marrë specialitetet e nevojshme në mjekësi. Edhe këtë vit, Ministria e Shëndetësisë, për atë pjesë që quhen kuota të mbuluara, pra që do të garantojmë ne financiarisht këto studime, do të lidhim një kontratë të përgjithshme për të gjithë vendin duke u kërkuar atyre që pranojnë që kur të përfundojnë, pas 4-vjetësh, të shkojnë të punojnë aty ku do të ketë nevojë Ministria e Shëndetësisë”, nënvizoi z. Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë vlerësoi procesin e ndjekur duke e cilësuar si tejet transparent ndryshe nga historia e viteve të mëparshme. “Është një proces, për fat të mirë në këto tre vite krejt i pa përfolur, ndryshe nga historia e viteve të tjera kur ka qenë një proces shumë i përfolur qoftë edhe me akuza për ryshfet, për korrupsion. Gjë që për fat të mirë këta vajza dhe djem të rinj që në fillim të karrierës së tyre profesionale fillojnë në mënyrë shumë të ligjshme dhe shumë transparente”, theksoi z. Beqaj.

 

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata, u shpreh se i gjithë konkursi është zhvilluar brenda parametrave ligjore. “Ky është viti i tretë që bëhet konkursi i specializimit. Fatmirësisht, edhe sivjet, konkursi i specializimit ka vajtur sipas të gjithë parametrave, ankesat kanë qenë minimale dhe sot (1/3/2017) është dita përmbyllëse e cila bëhet në mënyrën më transparente të mundshme duke renditur sipas renditjes që kanë fituar aplikantët, bëjnë përzgjedhjen e degës, të mbuluar ose të pambuluar”, theksoi Prof. Gjata.

---###---

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Tashmë është ngjarje e përvitshme që zhvillohet konkurrimi për studimet e nivelit të tretë në Mjekësi, apo specializimet, siç i quajmë në mënyrë më të përgjithshme. Ka qenë një angazhim i yni, -edhe pse është një proces, në fakt i mirëfilltë i Arsimit të Lartë, por trupa mjekësore është e domosdoshme për kujdesin shëndetësor,- ka qenë një angazhim për ta rifilluar këtë proces, për ta futur në një rrjedhë normale. Kur erdhëm në fillim të punës në qeveri, prej disa vitesh ky proces ishte ndërprerë, kishte krijuar një boshllëk shumë të madh në trupën mjekësore të specializuar, por kishte hequr dhe shpresat tek brezat e rinj të mjekëve, me diplomë të Mjekësisë së Përgjithshme për specializim.

Për çdo mjek, specializimi është pjesë e formimit të tij profesional, dhe tashmë, po ti marrim të tre vitet bashkë, janë rreth 600 vajza dhe djem, që bashkë me këta të këtij viti, specializohen për të marrë specialitete e nevojshme në mjekësi.

Edhe këtë vit, Ministria e Shëndetësisë, për atë pjesë që quhen kuota të mbuluara, pra që do të garantojmë ne financiarisht këto studime, do të lidhim një kontratë të përgjithshme për të gjithë vendin duke u kërkuar atyre që pranojnë që kur të përfundojnë, pas 4-vjetësh, të shkojnë të punojnë aty ku do të ketë nevojë Ministria e Shëndetësisë.

Veç të tjerash, unë dua të përgëzoj Universitetin e Mjekësisë, Fakultetin e Mjekësisë, për organizimin shumë të mirë, sepse është një proces, për fat të mirë në këto tre vite krejt i pa përfolur, ndryshe nga historia e viteve të tjera kur ka qenë një proces shumë i përfolur qoftë edhe me akuza për ryshfet, për korrupsion. Gjë që për fat të mirë këta vajza dhe djem të rinj që në fillim të karrierës së tyre profesionale fillojnë në mënyrë shumë të ligjshme dhe shumë transparente.

Gjithashtu, kjo trup tashmë prej 600 specializantësh, që janë përditë në QSUT, janë dhe një vlerë e shtuar në shërbimin mjekësor që ofrohet në QSUT.

Fjala e plotë e Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata:

Ky është viti i tretë që bëhet konkursi i specializimit. Fatmirësisht, edhe sivjet, konkursi i specializimit ka vajtur sipas të gjithë parametrave, ankesat kanë qenë minimale dhe sot (1/3/2017) është dita përmbyllëse, e cila bëhet në mënyrën më transparente të mundshme, duke renditur sipas renditjes që kanë fituar aplikantët, bëjnë përzgjedhjen e degës, të mbuluar ose të pambuluar.

Dua të përgëzoj, sidomos Fakultetin e Mjekësisë dhe të gjithë grupin e punës, dhe komisionin që është marrë me këtë proces të specializimit, për shkak të dedikimit shumë të lartë të orëve të tëra që kanë ndenjur qoftë edhe për të marrë njerëzit në intervistë, qoftë për të llogaritur pikët, dhe ajo që është e re këtë vit, është që konkurset e specializimeve, pra ky cikli i tretë, në bazë të ligjit të ri të Arsimit të Lartë është bërë kryesisht dhe specifikisht nga Universiteti i Mjekësisë.

Do doja të falënderoja në këtë rast dhe mbështetjen shumë të madhe që kemi marrë nga Ministria e Arsimit për realizimin e të gjithë këtij procesi, qoftë nga AKP-ja, qoftë ndihma ligjore që na kanë dhënë për të larguar disa ngërçe ligjore që mund të krijoheshin.

Dhe të shpresojmë që kjo të vazhdojë dhe në të ardhmen, dhe ne si Universitet jemi të interesuar që vit për vit, të hapim specializimet dhe do jetë një proces, i cili do vazhdojnë në dinamikë. Nuk ka më mundësi tani që të mos ketë specializime, sepse, më parë, kanë qenë ndonjëherë dhe vullnet i qeverisë, kurse duke qenë në interesin e Universitetit, Universiteti ka të drejtë të hapi këto specializime. Dhe do ti hapi këto specializime vit pas viti. Megjithëse bashkëpunimi nga të dy Ministritë në këtë proces ka qenë maksimal.

---###---