Postuar më: 15 Shkurt 2017

Beqaj: Pajisje e re moderne për realizimin e ndërhyrjeve që shmagin kirurgjinë e hapur

Nis nga funksionimi aplikimi i metodës së re në shërbimin e kirurgjisë në QSUT

Beqaj: Pajisje e re moderne për realizimin e ndërhyrjeve kirurgjikale

-Së shpejti nis puna për ndërtimin e godinës së re të Kirurgjisë në QSUT

Prof. Dr. Arben Beqiri: Metodë bashkëkohore, avantazh për mjekët dhe pacientët

Rektori Gjata: Pas realizimit me sukses të 2 ndërhyrjeve të para, jemi në rrugën e duhur

Manastirliu: Falë shërbimeve të reja të mirëmbajtjes, vumë në punë pajisjen e re e Angiografit ECRP, që shmang kirurgjinë e hapur

Tiranë, 15/02/2017 – Një tjetër pajisje moderne e teknologjisë së fundit i shtohet Qendrës Spitalore Universitare, “Nënë Tereza” në Tiranë, e cila rrit ndjeshëm cilësinë e shërbimit të ofruar ndaj pacientëve. Bëhet fjalë për pajisjen e njohur me emërtimin ERCP (Endoscopic Retrograde Cholangio-Pancreatogram – Kolangio-Pankreatograma Endoskopike Prapavajtëse), e cila është vendosur tashmë në funksion të plotë në shërbim të repartit të Kirurgjisë.

Pajisja bën të mundur realizimin e ndërhyrjeve në rrugët e tëmthit duke shmangur kirurgjinë e hapur, ndërsa përmes aplikimit të saj, shkurtohet ndjeshëm jo vetëm koha e realizimit të interventit, por edhe ajo e qëndrimit të pacientëve në spital pas ndërhyrjes, ul ndjeshëm përdorimin e barnave post-operatore, si dhe është një ndihmë e madhe për vetë mjekët kirurgë për ta ushtruar sa më mirë profesionin e tyre.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, inspektoi mjediset ku është vendosur kjo pajisje e re bashkëkohore, teksa u njoh nga mjekët në lidhje me përdorimin e saj, si dhe ndoqi nga afër një ndërhyrje, e cila u realizua me sukses të plotë. “Kjo do të shërbejë edhe për mjekët që janë me specializim që në kohën e specializimit, të mund të punojnë me teknika edhe më të avancuara, për t’u dhënë dhe atyre një shpresë që edhe në Shqipëri, me gjithë problemet që kemi në sistemin shëndetësor, edhe për shkencë, edhe për mjekësi të avancuar ka hapësirë”, u shpreh z. Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë bëri të ditur gjithashtu se të tjera investime pritet të realizohen gjatë këtij viti në QSUT, duke njoftuar se së shpejti do të nisin punimet për ndërtimin e godinës së re të kirurgjisë. “Unë besoj se, ju keni filluar ta ndjeni, përgjithësisht në Kirurgji, fillimisht në QSUT, elementët e rinj që ka sjellë  furnizimi i instrumentave (kirurgjikalë) të sterilizuar, më në fund, jemi në fazën pothuajse përfundimtare që të fillojmë ndërtimin edhe të kirurgjisë së re, e cila do ta kompletojë shumë më tepër të gjithë shërbimin”, theksoi z. Beqaj.

Ndërkohë, drejtorja e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu, u shpreh se pajisja është instaluar rreth vitit 2007. “Nuk është përdorur, e kemi futur në funksion, pasi duke qenë se nuk është përdorur është dashur të ribëhen disa shërbime të mirëmbajtës për tu rifutur në punë,” – tha më tej ajo, duke theksuar se, “aktualisht, është në gjendje pune, dhe për herë të parë, po aplikohet një procedurë e re, që është procedura ERCP, që mjekët do ta shpjegojnë vetë, shmang kirurgjinë e hapur duke tentuar rrugët biliare, ndërkohë, që bëhet e mundur në saj të angazhimit të mjekëve kirurgë, mjekëve radiologë dhe mjekëve gastrohepatologë”.

Nga ana e tij, Prof. Arben Beqiri, kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, thekson se metoda e re që po përdoret është një metodë që shërben për trajtimin e një kategorie të të sëmurëve, që më parë kishin vetëm një alternativë, ndërhyrjen kirurgjikale. “Përmes një metode më pak agresive për pacientët, përmes një metode më të lehtë, duke prodhuar avantazhe në qëndrimin spitalor, në një kohë shumë më të shkurtër, përdorim të medikamenteve shumë më të pakët. Është bashkëkohore dhe na jep mundësinë që ne si mjekë të mund të aplikojmë ato metoda që janë të reja sot. Pacientët e parë që kemi realizuar kanë qenë të suksesshëm”, deklaroi Prof. Beqiri.

Procedura e ERCP-së për trajtimin e patologjive të rrugëve biliare dhe pankreatike, - apo rrugëve të tëmthit siç njihen në gjuhën e përditshme, - realizohet për herë të parë në kabinetin e angiografisë pranë Shërbimit të Imazherisë në QSUT. Realizimi me sukses i kësaj procedureje te, u bë e mundur në sajë të angazhimit të ekipit të mjekëve kirurgjë dhe gastrohepatologë, radiologë, të cilët kanë filluar prej disa ditësh trajtimin e pacientëve me këtë metodë të re në QSUT. Edhe pse kjo aparaturë, tashmë, kishte vite e instaluar në shërbimin e Imazherisë, vetëm këtë vit u bë e mundur rivendosja e saj në unë pas blerjes së materialeve të nevojshme mjekësore dhe përfundimit të ciklit të trajnimit të mjekëve. Gjatë këtij viti presim që pajisja e Angiografit të mund të realizojë edhe ndërhyrjet invazive vaskulare dhe interventa të tjera.

---###---

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Së pari, unë dua t’ju përgëzoj, dua t’ju përgëzoj edhe për faktin që, me thënë të drejtën, edhe pse kjo në radhë të parë është gjë e mirë për pacientët, për qytetarët, edhe ju keni mundësi që të mund të shprehni aftësitë tuaja, vetë shërbimi apo shërbimet, dhe spitali janë me këtë procedurë të re edhe më të fuqizuara, por më shpëtoni edhe faqen mua, se do thoshnin erdhi, iku, 4-vjet pajisja ngeli në qese. Kështu që, të paktën, edhe për këtë ju them faleminderit!

Ndërkohë që unë dua t’ju përgëzoj për ambiciet pozivite që gjithmonë keni, po besoj të përgëzoj dhe drejtuesit e spitalit që kanë arritur që midis shumë nevojave që kemi, midis buxheteve relativisht të kufizuara që s’mund ti plotësojmë nevojat e gjithë shërbimeve, por kanë bërë një qasje të drejtë, sepse në një farë mënyre, janë investime që nuk duhet të rrinë të fjetura. Ju e dini më mirë se unë, se këto teknologji amortizohen edhe moralisht. Ne duhet të bëjmë maksimumin që ti shfrytëzojmë sa më shumë, përsa kohë ne këto pajisje, unë besoj kemi bërë zgjedhjen e duhur që i kemi mbajtur me mirëmbajtje “full-risk”, duhet ti përdorim sa më shumë, sepse përndryshe, jo vetëm investimet, por dhe shpenzimet e mirëmbajtjes nuk janë më shumë efiçente.

Dhe besoj, se kjo do të shërbejë edhe për mjekët që janë me specializim që, në kohën e specializimit, të mund të punojnë me teknika edhe më të avancuara, për t’u dhënë dhe atyre një shpresë që edhe në Shqipëri, me gjithë problemet që kemi në sistemin shëndetësor, edhe për shkencë, edhe për mjekësi të avancuar, ka hapësirë.

Përgëzime, edhe shpresoj që të mund të kemi sa më shumë, këtu pacientë, por dhe përgjithësisht, kemi fuqizim të kapaciteteve në QSUT. Unë besoj se ju keni filluar ta ndjeni, përgjithësisht në Kirurgji, fillimisht në QSUT, elementët e rinj që ka sjellë furnizimi i instrumentave të sterilizuar, më në fund, jemi në fazën pothuajse përfundimtare, që të fillojmë ndërtimin edhe të Kirurgjisë së re, e cila do ta kompletojë shumë më tepër të gjithë shërbimin që kemi, por në fakt, edhe me spitalet rajonale kemi filluar disa procedura ku, përtej instrumentave që është programi kombëtar, edhe atje, në 5 spitale prej tyre brenda mesit të vitit, do të furnizojmë me Laporaskop të ri, në mënyrë që të mund të ofrojmë një shërbim relativisht të mirë jo vetëm në Tiranë po dhe në spitalet rajonale.

Drejtorja e Përgjithshme e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu:

Pajisja është instaluar rreth vitit 2007. Nuk është përdorur, e kemi futur në funksion, pasi duke qenë se nuk është përdorur, është dashur të ribëhen disa shërbime të mirëmbajtës për tu rifutur në punë. Aktualisht, është në gjendje pune, dhe për herë të parë, po aplikohet një procedurë e re që është procedura ERCP, -që mjekët do ta shpjegojnë vetë,- shmang kirurgjinë e hapur, duke tentuar rrugët biliare. Ndërkohë, kjo bëhet e mundur në sajë të angazhimit të mjekëve kirurgë, mjekëve radiologë dhe mjekëve gastrohepatologë. Kjo është procedura e parë e re, për herë të parë në QSUT, po aplikohet ndërkohë që presim që gjatë vitit 2017, nëpërmjet kësaj aparature të mundemi të realizojmë gjithashtu edhe stent-imin e vazve periferike, duke qenë se ky Angiograf, pra kjo pajisje, një pajisje shumë e mirë e teknologjisë së lartë, është vendosur edhe për të realizuar ndërhyrjet invadive në vazat periferike.

Prof. Arben Beqiri, kirurg grastro-hepatolog, shërbimi i Kirurgjisë, QSUT:

Është një moment kur kemi filluar procedurat e para të ERCP-së. Është një metodë që shërben për trajtimin e një kategorie të të sëmurëve që kishin vetëm një alternativë, ndërhyrjen kirurgjikale, ndërsa përmes ERCP-së ose Kolangio-Pankreatogramës Endoskopike Retrograde, përmes kombinimit të Radiologjisë, Fluoroskopit dhe Endoskopisë digjestive me pamje laterale, bëhet e mundur që këtyre pacientëve të mund tu hiqen gurët në kanalin kryesor të tëmthit, siç njihet nga njerëzit.

Përmes një metode më pak agresive për pacientët, përmes një metode më të lehtë, duke prodhuar avantazhe në qëndrimin spitalor, në kohë shumë më të shkurtër, përdorim të medikamenteve shumë më të pakët. Është bashkëkohore dhe na jep mundësinë ne si mjekë, të mund të aplikojmë ato metoda që janë të reja sot. Pacientët e parë që kemi realizuar kanë qenë të suksesshëm, dhe besoj që do të vazhdojnë. Ne kemi sot përsëri një pacient tjetër, të hënën përsëri dy pacientë të tjerë, që do të thotë e ardhmja paraqet perspektivë të mirë për këtë kategori njerëzish të cilëve do tu shërbehet në mënyrë shumë më cilësore.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, z. Arben Gjata:

Problemi i procedurave të reja është një sfidë për të gjithë specialistët, aq më tepër, kjo është një procedurë që ne kemi tentuar dhe në vite më përpara ta realizojmë me një përqindje të ulët suksesi, gjë e cila shpeshherë na ka bërë që dhe të tërhiqemi dhe për shkak të mungesave që kemi pasur. Fatmirësisht, sot, i kemi të gjithë mundësitë teknike për t’u realizuar, gjë që dhe në dy procedurat e para që janë kryer rreth para një jave, i përfunduam me sukses, të shpresojmë të vazhdojmë në këtë drejtim.

Dhe nga ana tjetër, ashtu siç tha dhe Ministri, këto janë procedura shumë të rëndësishme, sidomos për mjekët e rinj, për mjekët që do të formohen, sepse nuk mendoj që duhet të mbetet vetëm në QSUT teknologjitë e reja dhe futja e procedurave të reja. Por, nga ana tjetër, ne nuk duhet të nxitohemi duke bërë investime dhe nëpër spitale rajonale të teknologjive të reja në qoftë se ne nuk kemi njerëzit e trajnuar siç duhet për këto. Dhe kjo është një nga propozimet që ne i kemi bërë si Universitet i Mjekësisë, dhe që Ministri, parimisht, ka qenë dakord që një pjesë e specialistëve të spitaleve rajonale të kalojnë në mënyrë periodike, herë pas herë në QSUT për tu update-uar me procedura të reja, me teknologji më të re, etj., sepse teknologjia vrapon, ndërsa dija e ndjek mbrapa me një çikë vështirësi.

Shef i Repartit të Imazherisë, spitali Urgjencës, QSUT, Dr. Maksim Basho:

Ky është fryti i parë i kësaj aparature. Më e rëndësishmja është që u vu një herë në punë më në fund. Falenderojmë drejtoreshën, që ka qenë këmbëngulja e saj. E dyta është që kjo aparaturë nuk është vetëm për procedurat që foli Profesor Beni, por është një gamë kaq e gjerë që mund të bësh edhe periferikët, mund të bësh edhe embolizmat, mund të futësh edhe problemet kirurgjikale të Urologjisë, duke filluar që nga prostata, tumoret pelvike, të gjitha.

---###---