Postuar më: 13 Shkurt 2017

Beqaj: Viti i tretë që vijojmë me hapjen e specializimeve të reja në mjekësi

Specializimet në mjekësi, 279 aplikantë për 185 vende

Beqaj: Viti i tretë që vijojmë me hapjen e specializimeve të reja në mjekësi

-Raporti, 2 në 3 aplikantë kanë mundësi të zgjedhin specialitetin që duan

Prof. Dr. Gjata: Risia, organizimi kalon në Universitet, mbi bazën e Ligjit të ri të Arsimit të Lartë

Tiranë, 12/02/2017 – Për të tretin vit radhazi, janë hapur specializimet për të gjithë studentët e Mjekësisë që duan të vijojnë studimet e Nivelit të Tretë. 185 vende është kuota e përcaktuar këtë vit, ndërsa janë regjistruar për të garuar 279 aplikantë.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata, ndoqi nga afër për disa minuta ecurinë e procesit. Ditën e sotme, ishte faza e parë e testimit, ajo e intervistës me gojë. 19 komisione të përbëra me nga 6 anëtarë bënë vlerësimet për të gjithë kandidatët pas seancës së pyetje-përgjigjeve.

Në prononcimin e tij, z. Beqaj e vuri theksin tek vijimësia e këtij procesi, duke shtuar se këtë vit, procesi i përzgjedhjes së specializantëve në mjekësi po bëhet në bazë të Ligjit të ri të Arsimit të Lartë.

“Ka filluar sot procesi i përzgjedhjes së specializantëve në mjekësi, apo studimet e nivelit të tretë në mjekësi, siç quhen dhe ndryshe, në përputhje dhe me reformën, tashmë në zbatim, të Arsimit të Lartë. Është viti i tretë që vazhdon të ketë specializime të reja në mjekësi, gjë që, së pari, na ndihmon për të plotësuar boshllëqet e krijuara në trupën mjekësore me specialistë në të gjithë vendin. Krijojmë një vijimësi, shpresojmë që kjo të vazhdojë vit pas viti për tu dhënë një lloj sigurie dhe garancie studentëve që mbarojnë mjekësinë e Përgjithshme, që procesi është një proces në vijim”, nënvizoi z. Beqaj.

Duke falënderuar Universitetin dhe Fakultetin e Mjekësisë për organizimin e procesit, i cili tashmë është kthyer në një normalitet, Ministri Beqaj tha se procesi është çliruar edhe nga përfoljet që ka pasur vitet e tjera.

“Këtë vit, praktikisht raporti është 2 me 3, pra në çdo 3 mjekë të përgjithshëm që marrin pjesë në konkurs, ka mundësi që 2 prej tyre, të mund ta zgjedhin specialitetin që është një situatë, -unë mendoj,- përgjithësisht e favorshme. Sigurisht, që përgëzimet më të mira shkojnë, në radhë të parë, për Universitetin e Mjekësisë, për Fakultetin e Mjekësisë për organizimin, sepse tashmë ky është një proces i kthyer në normalitet, por edhe një proces, i cili është çliruar nga përfolje të ndryshe që ka patur në vite të tjera, vite të mëparshme, ku ka patur edhe akuza për situata jo të ligjshme apo tentativa për mitmarrje”, theksoi z. Beqaj.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata, u shpreh se “është viti i tretë që zhvillohen konkurset. Është një risi, sepse kemi tre vjet rresht që vazhdojmë të marrim specialistë. Nuk ka pasur ndërprerje siç ka ndodhur në vitet përpara. Risia e këtij viti është që gjithë organizimi kalon në Universitet mbi bazën e Ligjit të ri të Arsimit të Lartë”. Gjata sqaroi më tej se “risi sivjet është, gjithashtu, që dhe intervista që po merret bëhet mbi bazën e një skeleti të përgatitur, ku të paktën të gjithë komisionet të kenë të njëjtën skelet pyetjesh që të mos kemi diferenca vlerësimesh me qenë se janë shumë komisione”.

---###---


Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Ka filluar sot procesi i përzgjedhjes së specializantëve në mjekësi, apo studimet e nivelit të tretë në mjekësi, siç quhen dhe ndryshe, në përputhje dhe me reormën, tashmë në zbatim, të Arsimit të Lartë. Është viti i tretë që vazhdon të ketë specializime të reja në mjekësi, gjë që, së pari, na ndihmon për të plotësuar boshllëqet e krijuara në trupën mjekësore me specialistë në të gjithë vendin. Krijojmë një vijimësi, shpresojmë që kjo të vazhdojë vit pas viti për tu dhënë një lloj sigurie dhe garancie studentëve që mbarojnë mjekësinë e Përgjithshme që procesi është një proces në vijim. Por, edhe krijojmë vijimësi edhe në mënyrën se si do dalin specialistët në vite.

Praktikisht, mbas kësaj interviste me gojë, provim me gojë, do të ketë një provim me shkrim në Qendrën Kombëtare të Provimeve, Agjencinë Kombëtare të Provimeve, dhe pastaj, sipas rezultateve më të larta të gjithësecilit nga mundësitë që ofrohen këtë vit në specializim, mjekët e përgjithshëm do të mund të zgjedhin se ku duan të studiojnë.

Këtë vit, praktikisht raporti është 2 me 3, pra në çdo 3 mjekë të përgjithshëm që marrin pjesë në konkurs, ka mundësi që 2 prej tyre, të mund ta zgjedhin specialitetin që është një situatë, -unë mendoj,- përgjithësisht e favorshme. Sigurisht, që përgëzimet më të mira shkojnë, në radhë të parë për Universitetin e Mjekësisë, për Fakultetin e Mjekësisë për organizimin, sepse tashmë ky është një proces i kthyer në normalitet, por edhe një proces i cili është çliruar nga përfolje të ndryshe që ka patur në vite të tjera, vite të mëparshme, ku ka patur edhe akuza për situata jo të ligjshme apo tentativa për mitmarrje.

Është shumë e rëndësishme që mjekët e rinj të mund të binden që që në hapat e para të karrierës së tyre profesionale të fillojnë një proces i cili është i ligjshëm sepse pastaj ky proces do ti shoqërojë gjatë gjithë jetës së tyre.


Fjala e plotë e Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata:

Është viti i tretë që zhvillohen konkurset. Është një risi sepse kemi tre vjet rresht që vazhdojmë të marrim specialistë. Nuk ka pasur ndërprerje siç ka ndodhur në vitet përpara. Risia e këtij viti është që gjithë organizimi kalon në Universitet mbi bazën e Ligjit të ri të Arsimit të Lartë. Unë dua të falënderoj të dy Ministritë, qoftë Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen, por sidomos Ministrinë e Arsimit për gjithë mbështetjen dhe asistencën që na kanë dhënë, qoftë në përgatitjen e akteve nënligjore, -sepse duhet ti përgatiste vetë Universiteti,- qoftë në ndihmesën për të përcaktuar kuotat, nivelet dhe standardet e këtyre konkurseve.

Risi sivjet është, gjithashtu, që dhe intervista që po merret bëhet mbi bazën e një skeleti të përgatitur, ku të paktën, të gjithë komisionet të kenë të njëjtën skelet pyetjesh që të mos kemi diferenca vlerësimesh me qenë se janë shumë komisione. Besoj që koha është e mjaftueshme, nuk do kenë ngarkesë shumë të madhe komisionet, për arsye se është bërë një numër i madh komisionesh, gjë që është absolutisht një ide shumë e mirë e Fakultetit të Mjekësisë në mënyrë që dhe njerëzit të jenë më të përqendruar gjatë gjithë kohës së komisioneve.

Shpresojmë që kjo të mbyllet me sukses dhe shpresojmë gjithashtu që të mbyllet me sukses dhe procesi i testimit dhe të fillojmë sa më shpejtë me specializimet edhe sivjet.

---###---