Postuar më: 31 Maj 2017

Dita Botërore Kundër Duhanit

z. Beqiri, Ministër i Shëndetësisë: Duhani, kosto e lartë dhe pasoja katastrofike në shëndet

Znj. Artykova, përfaqësuese e OBSH-së në Shqipëri: 7 milion njerëz në botën vdesin nga sëmundje të shkaktuara nga duhani

Ministria e Shëndetësisë ka organizuar sot, më 31 Maj 2017, në kuadër të Ditës Botërore Kundër Duhanit, një aktivitet në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Beqiri, Përfaqësuesja e OBSH-së në Shqipëri dhe Drejtoresha e Zyrës Vendore të OBSH-së, Znj. Nazira Artykova, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Kryeinspektori i ISHSH, z. Eltar Deda si dhe përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik.

Ministri i Shëndetësisë z. Arben Beqiri në fjalën e tij e konsideroi luftën me duhanin, “një sfidë për çfarë duhani paraqet në vetvete, si një ndër drogat më adiktive të njohura”.

Ministri tha midis të tjerash se “duhani ka një kosto tejet të lartë për individët, familjet dhe shoqëritë që e përballojnë”.

Krahas efekteve katastrofike në shëndet z.Beqiri u ndal edhe në gjashtë strategjitë që ndihmojnë në luftën kundër duhanpirjes e që përmblidhen nën emërtesën "MPOWER”.

“Kemi 6 strategji ku një pjesë juaja jam i bindur që kanë ndihmuar në hartimin e tyre bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe institucionet e tjera. Jam  gjithashtu i sigurt që shumë prej jush do të na jepnit leksion për këtë strategji se ku kemi ecur  para dhe se ku kemi ngelur. Po t’i shohim të gjitha këto strategji, kanë dëshirën e mirë për t’i zbatuar por ka edhe gjëra që i pengojnë. Ne, akoma nuk kemi një sistem të ndihmës për njerëzit që kërkojnë ndihmë për ta lënë duhanin. Ne akoma nuk kemi një sistem për paralajmërimin për rreziqet e shkaktuara nga duhani, nuk po flasim për posterat sporadikë” u shpreh ministri.

Në fund të fjalës së tij, ai solli në vëmendje një shembull të aplikuar në shumë vende të zhvilluara të botës, përmes të cilit synoi të tregojë sesi sistemi shëndetësor me mekanizmat e veta, mund të harmonizojë nevojat e njerëzve në mbrojtjen e tyre ndaj produkteve, si duhani.

E pranishme në këtë aktivitet,  përfaqësuesja e OBSH-së në Shqipëri dhe Drejtoresha e Zyrës Vendore të OBSH-së, Znj. Nazira Artykova, tha se “pothuajse 7 milion persona në të gjithë botën vdesin nga sëmundje të shkaktuara nga duhani.

“Nga ana tjetër kostot dhe shpenzimet që shkaktohen në shëndetësi kalojnë 1.5 trilion dollar, që nuk janë vetëm shpenzime në shëndetësi por gjithashtu rezultojnë në një produktivitet, në një rediment të humbur të personave që janë në gjendje pune. Duhani gjithashtu është i mundshëm që të kërcënojë dhe zhvillimin në të gjitha vendet e ndryshme të botës jo vetëm në Europë por edhe në Shqipëri, duke ndikuar të individi, te familja, dhe në mjedis. Prevalenca e duhanpirjes në popullsinë e përgjithshme është rreth 27%. 43% në meshkuj dhe 11% në femra. Një pjesë e madhe e fëmijëve gjithashtu preken prej sëmundjeve që shkaktohen prej duhanpirjes. Prevalenca e fëmijëve gjithashtu që janë duhanpirës në moshën 16 vjeç, shkon në 4%” tha përfaqësuesja e OBSH-së.

Krahas kësaj znj. Artykova u ndal edhe të përpjekjet e mëdha që ka bërë qeveria shqiptare në kuadër të kontrollit të duhanit.

“Në vitin 2006 Qeveria Shqiptare ka ratifikuar Konventën Kuadër mbi Kontrollin e Duhanit sipas OBSH-së. Gjithashtu, miratoi ligjin për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.

Mbeten akoma çështje që duhet të adresohen për fëmijët, që duhet të adresohen nga mësuesit, nga fëmijët vetë dhe shkollat. Dhe në këtë duhet të përfshihet jo vetëm Ministria e Shëndetësisë por edhe Minsitria e Arsimit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë.