Postuar më: 31 Maj 2018

Dita Botërore Kundër Duhanit, Manastirliu ka një mesazh për duhanpirësit

Ministrja e nis ditën me një ecje ndërgjegjësuese pranë liqenit artificial: Zgjidhni Shëndetin, JO duhanit

“Duhani të thyen zemrën” – Zgjidh Shëndetin, JO Duhanit”. Me këtë moto, në Ditën Botërore Kundër Duhanit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e nisi ditën me një ecje ndërgjegjësuese pranë liqenit artificial të Tiranës.

“Sot është një ditë për t’u ndërgjegjësuar për rreziqet shëndetësore që lidhen me përdorimin e duhanit. Dhe këto rreziqe nuk janë të pakta. Duke filluar nga sëmundjet kardiovaskulare –që janë dhe tema e këtij viti- që kanë ndër shkaktarët kryesore duhanpirjen. Ndaj jemi këtu me miqtë tanë për të përcjellë mesazhin: Të zgjedhim shëndetin, jo duhanin. Sepse, sic është edhe moto e këtij viti: Duhani thyen zemrën”, tha Manastirliu.

Në këtë iniciativë u bashkuan edhe personazhe të njohur të artit dhe ekranit, për t’I thonë JO Duhanit dhe për të bërë një jetë sa më të shëndetshme.

Duhanpirësit janë rreth 4 herë më shumë të predispozuar për tu prekur nga sëmundjet kardiovaskulare – të cilat edhe në Shqipëri, si në të gjithë Botën, janë shkaku nr 1 i vdekjeve.