Postuar më: 31 Maj 2018

Ditë Botërore Kundër Duhanit, Manastirliu: Forcojmë masat kundër duhanpirjes

Të mbyllen subjektet që gjobiten mbi 3 herë! Vendosim imazhe të sëmundjeve të tmerrshme në çdo paketë që konsumohet në Shqipëri”

 

Tiranë, 31 Maj – “Duhani është shkaktar për 1 në 4 vdekje të shkaktuara nga sëmundjet kardiovaskulare, ndaj ne do të forcojmë masat për frenimin e duhanpirjes në ambjentet publike”.

Në ditën Botërore kundër Duhanit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi në një konferencë për shtyp se janë intensifikuar kontrollet për konsumimin e duhanit në ambjente publike.

“Vetëm në muajt e parë të këtij viti, u realizuan 15.761 kontrolle nga inspektorët e shëndetësisë, aq sa janë kryer gjatë gjithë vitit 2017. Janë marrë 134 masa administrative, çka tregon për një zbatueshmëri të mirë të ligjit anti-duhan”, tha Manastirliu.

Sipas raportit të vitit 2017 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria renditet në vendet që ka pasur arritjet më të larta lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit dhe zbatimin e legjislacionit kundër duhanit dhe zbatimin e penaliteteve për reklamimin e duhanit.

Qeveria shqiptare, në paketën e re fiskale rriti akcizen për duhanin me 117 lekë/paketë në krahasim me 110 lekë/paketë që ishte në më pare, si një masë për të frenuar duhanpirjen.

“Por- tha Manastirliu- ne do të propozojmë disa ndryshime ligjore për të përmirësuar akoma më shumë ligjin që ndalon duhanin në ambjentet publike”.

“Kemi mbledhur komitetin  ndërministror për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe tashmë kemi propozime konkrete për ta bërë më efikas ligjin që ndalon duhanpirjen, edhe për ta përshtatur atë me fenomene të reja që deri tani nuk janë adresuar, si përdorimi I cigares elektronike apo shisha-barit. Gjithashtu do të propozojmë që ato për ato subjekte që gjobiten mbi 3 herë për një periudhë të shkurtër kohe, të bëhet mbyllja e aktivitetit”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Një hap tjetër I rëndësishëm që po ndërmarrim lidhet me imazhet fotografike që do të kenë paketat e duhanit edhe në Shqipëri. Brenda muajit qershor, do të miratohen imazhet e “sëmundjeve të tmerrshme”  që do të vendosen në paketat e duhanit dhe brenda vitit nga miratimi, edhe në Shqipëri, si në vendet e BE, imazhet e sëmundjeve të tmershme që shkakon duhanpirja do të jenë në cdo paketë që konsumohet në vendin tonë.

Duke falenderuar publikun dhe median për bashkëpunimin, Ministrja Manastirliu dhe kreu I inspektoriatit shëndetësor Eltar Deda, i bënë thirje qytetarëve të vijojnë të jenë bashkëpunues, të denoncojnë çdo rast abuziv që shohin në numrin pa pagesë 0800 40 40, për zbatimin sa më të mirë të ligjit antiduhan.  

 

Në konferencë merrte pjesë edhe drejtorja e OBSH-së për Shqipërinë, Nazira Artykova, e cila vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në luftën kundër duhanit. Znj. Artykova bëri thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit pasi duhani vret çdo vit 7 milion njerëz në Botë.

 

Dita Botërore Kundër Duhanit, është një ditë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për dëmet e pamata që shkakton duhanpirja.

Në Shqipëri tre faktorët e rrezikut të vlerësuar si më të rëndësishëm që kanë ndikimin më të madh në barrën e sëmundjeve janë dieta e pashëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe duhanpirja. Vetëm duhanpirja është përgjegjëse për rreth 1 në 4 vdekje nga sëmundjet kronike. Gjithashtu 1 në 4 vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare ka në bazë duhanpirjen. Për tumoret ky ndikim është edhe më i lartë, duke arritur në mbi 83% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive.

Në vendin tonë prevalenca ditore e duhanpirësve është rreth 48% te meshkujt mbi 15 vjeç, por vihet re një tendencë ulje. Ndërsa te gratë, ka një tendencë rritje nga 5 në 10%.

 

 

###