Postuar më: 04 Prill 2017

Faqe e re në shërbimin e kirurgjisë

 

Tiranë, 4/4/2017 - Sallat e operacioneve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” punojnë tashmë me instrumente kirurgjikalë të standardeve më larta, si rezultat i një prej investimeve më të rëndësishme në shëndetësi  për zëvendësimin e instrumenteve të vjetër. Instrumente të pandryshuar në 30 vjet, jashtë çdo lloj standardi sterilizimi ishin dhe një ndër shkaqet e infeksioneve të rënda post-operacion tek pacientët. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ku instrumentet e rinj tashmë janë në duart e mjekëve. Pas shtrirjes së tij në të gjithë shërbimet kirurgjikale në QSUT, ku ndodhet edhe centrali qendror i sterilizimit, të gjitha spitalet në vend do kenë në dispozicion rreth 6 mijë lloje instrumentesh dhe rreth 96 mijë instrumente kirurgjikale, që do të rrisin imunitetin ndaj infeksioneve për 50 mijë pacientë që u nënshtrohen operacioneve çdo vit.

Ministrja e Shëndetësia Ogerta Manastirliu dha një vlerësim të ecurisë së programit të zëvendësimit të instrumenteve mjekësorë. “Mbaruam me sukses implementimin e programit në QSUT dhe vazhdojmë deri në fund të majit, duke përfshirë të gjithë spitalet universitare, maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, maternitetin “Koço Glozheni”, spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe Spitalin e Traumës dhe deri në fundi të dhjetorit mund të shtrihemi në të gjithë Shqipërinë”.

Sigurimi i instrumenteve të reja kirurgjikale dhe sterilizimi i tyre hap një faqe të re në shërbimin e kirurgjisë shqiptare, duke garantuar standardet më të larta, higjienë të lartë dhe zgjerim të gamës së ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalet publike. Shtysë për ndërmarrjen e këtij programi, nënvizoi Kryeministri, ishte raporti tronditës i Ministrisë së Shëndetësisë për rastet e infeksioneve si pasojë e instrumenteve mjekësore larg edhe standardeve minimale.

 “Kur e kemi konsumuar çështjen e instrumenteve, - u shpreh Kryeministri,- ideja ishte se është domosdoshmëri, por buxheti nuk ishte i mundur. Atëherë duhej bërë në partneritet me privatin. Ajo që më ka dhënë mua shtytjen finale ishte një raport që kishte bërë Ministria e Shëndetësisë për infeksionet, vetëm për shkak të instrumenteve shëndetësore që përdoreshin në operacione, që krijonin konsekuenca ekstra, sepse ishin jashtë standardeve.”

 “30 vjet që kemi qenë me vegla që kur hynim në operacion kishim frikë. Aq të konsumuara ishin. Tani është nata me ditën,” – shprehet një nga mjekët e njohur Nikita Manoku.

Një tjetër mjek, Albert Cakoni shprehet se nga ky aspekt ndjehen konkurrues me spitalet private. “Kemi marrë instrumente që siç punojnë kirurgët në Gjermani, punojmë edhe ne. Ndoshta kemi vegla më të mira sesa privatët këtu”.

“Ku janë marrë këto instrumente prodhoheshin 85% e instrumenteve të kirurgjisë të gjithë botës”. -shprehet mjeku i njohur Nikita Manoku.

Një tjetër hap mbështetës, për të cilën mjekët shprehën kënaqësinë është rritja e pagave  që, siç shprehet një prej tyre, gjithmonë ka qenë me pikatore. “Ka një evolucion goxha të dukshëm, sidomos këtë 3-vjeçarin e fundit, ndryshimi është goxha i madh.” – u shpreh doktor Manoku.

Ministrja Manastirliu theksoi se një skemën e re do të aktivizohet po ashtu për mbështetjen e mjekëve, të cilët do të shkojnë për konsulta në spitale të tjera. “Ky është kompensimi financiar më i ri, skema më e re për mjekët që shërbejnë nga spitali rajonal në një spital rajonal dhe nga spitali universitar  në spital  rajonal. Është 50 mijë lekë në ditë nga rajonali në rajonal dhe 100 mijë lekë në ditë nga universitari në rajonal.”

 

Treguesit në shifra të shëndetësisë si sektor prioritar

Falë reformave në rrugën për të bërë shtet është arritur që edhe buxheti i shëndetësisë për vitin 2017 të rritet në 2,94 % të PBB-së, që shënon edhe nivelin më të lartë të financimit publik të shëndetësisë në 25 vjet.

Shpenzimet publike të shëndetësisë për banor në periudhën 2013 – 2017 kanë qenë 2 herë më të larta, krahasuar me periudhën 2009 – 2013.  Në 4 vitet, 2013 – 2017, shpenzimet për banor u rritën në  4,027 lekë nga 2,329 lekë që ishin ne 2009-2013

Ky buxhet ka edhe nivelin më të lartë të investimeve në 25 vjet. Në vitet 2014 – 2017 janë investuar, po investohen dhe pritet të investohen rreth 15,2 miliardë lekë.

Ndërkohë që buxheti përfshin edhe rritjen me 10 milionë dollarë për pagat e mjekëve, infermiereve e sanitareve. Paga e sanitarit rritet me 36%; e infermierit me 10%; e mjekut me 10%.​