Postuar më: 07 Mars 2017

Godinë e re moderne për shërbimin e Urgjencës në spitalin e Beratit

300 milionë lekë është fondi i parashikuar për këtë investim

Beqaj: Godinë e re moderne për shërbimin e Urgjencës në spitalin rajonal të Beratit

-Afro 100 persona në ditë do të marrin një shërbim më cilësor

-Brenda verës, 4.8 mln euro pajisje mjekësore për 11 spitalet rajonale në vend

Berat, 07/03/2017 – Spitali rajonal i Beratit do të këtë së shpejti një godinë tërësisht të re moderne të shërbimit të Urgjencës Mjekësore. 300 milionë lekë është fondi i parashikuar për këtë investim, i cili përfshin zgjerimin e mjediseve, përshtatjen e mjediseve të brendshme sipas teknologjisë mjekësore të shërbimit të urgjencës, si dhe furnizimi me pajisjet mjekësore të nevojshme për të shërbyer në urgjencë.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, dhe deputetë të qarkut të Beratit, ishin në spitalin rajonal të qytetit të lashtë ku panë nga afër mjediset ku do të realizohet ky investim si dhe u njohën me projektin e parashikuar.

“Bashkë me riorganizimin e flotës në territor, me përqendrimin e komandës dhe dekoncentrimin e vendndodhjes së autoambulancave, sigurisht ishte e domosdoshme edhe përmirësimi i ndjeshëm i mjediseve në urgjencës pritëse. Janë 300 milionë lekë, nga buxheti i shtetit për vitin 2017, që do të zgjerojnë mjediset, do të përshtasin mjediset e brendshme sipas teknologjisë mjekësore të një shërbimi të urgjencës, do të furnizohen dhe pajisjet mjekësore të nevojshme për të shërbyer urgjencës”, u shpreh Ministri Beqaj, duke theksuar se “infrastruktura, pajisjet, furnizimi, teknologjia dhe burimet njerëzore do të mund të rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit në spitalin Rajonal të Beratit”.

Afro 35 mijë qytetarë marrin shërbimin në urgjencën e spitalit rajonal të Beratit gjatë gjithë vitit dhe në saj të këtij investimi, u shpreh z. Beqaj, ata do të shërbehen më me cilësi dhe në një mjedis shumë më të mirë. “Kjo urgjencë trajton rreth 35 mijë vetë në vit, trajton rreth 100 veta në ditë, domethënë këta 100 veta në ditë do të shërbehen më me cilësi, më mirë, po do të ketë dhe një mjedis shumë më të mirë edhe për të komunikuar me ata që shoqërojnë pacientë të ndryshëm, me familjarët, por edhe besojmë se, pastaj, lidhja e brendshme e urgjencës me pjesët e tjera të spitalit do të jetë edhe ajo një element shumë i rëndësishëm”, tha z. Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë bëri të ditur, gjithashtu, se “këto janë 300 milionë që po investohen në urgjencë dhe njëherësh spitali rajonal i Beratit, ashtu si spitalet e tjera, brenda verës do të furnizohet edhe me pajisje të tjera mjekësore sepse është një fond prej 4.8 milionë eurosh që po furnizon me pajisje mjekësore 11 spitalet rajonale të vendit”.

Nga ana e tyre, Dr. Idlir Frashëri, Drejtor i Spitalit Rajonal të Beratit dhe Dr. Arben Konomi, shef i Shërbimit të Urgjencës në këtë spital, duke shprehur falënderimin e tyre ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për këtë investim, theksuan se kjo njësi e re do të rrisë ndjeshëm performancën e shërbimit të urgjencës, duke i shërbyer të gjithë rajonit dhe jo vetëm qytetit të Beratit, por edhe Skraparit e Kuçovës.

---###---

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Bashkë me riorganizimin e flotës në territor, me përqendrimin e komandës dhe dekoncentrimin e vendndodhjes së autoambulancave, sigurisht, ishte i domosdoshsëm edhe përmirësimi i ndjeshëm i mjediseve në urgjencës pritëse.

Janë 300 milionë lekë, nga buxheti i shtetit për vitin 2017, që do të zgjerojnë mjediset, do të përshtasin mjediset e brendshme sipas teknologjisë mjekësore të një shërbimi të urgjencës, do të furnizohen dhe pajisjet mjekësore të nevojshme për ti shërbyer urgjencës, dhe besoj se, edhe me trajnimin që do ti bëhet personelit të urgjencës, por edhe me shtesën e veçantë që do të marrin me rritjen e pagave, përveç rritjes 10% edhe 25% shtesë për shërbimin e urgjencës, ne besojmë se infrastruktura, pajisjet, furnizimi, teknologjia dhe burimet njerëzore do të mund të rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit në spitalin Rajonal të Beratit.

Kjo urgjencë trajton rreth 35 mijë vetë në vit, trajton rreth 100 veta në ditë. Domethënë, këta 100 veta në ditë, do të shërbehen më me cilësi, më mirë, po do të ketë dhe një mjedis shumë më të mirë edhe për të komunikuar me ata që shoqërojnë pacientë të ndryshëm, me familjarët, por edhe besojmë se, pastaj, lidhja e brendshme e urgjencës me pjesët e tjera të spitalit do të jetë edhe ajo një element shumë i rëndësishëm.

Këto janë 300 milionë që po investohen në urgjencë, dhe njëherësh, spitali rajonal i Beratit, ashtu si spitalet e tjera, brenda verës do të furnizohet edhe me pajisje të tjera mjekësore, sepse është një fond prej 4.8 milionë eurosh që po furnizon me pajisje mjekësore 11 spitalet rajonale të vendit.

---###---