Postuar më: 16 Maj 2017

Investime që po transformojnë Shkodrën

Spitali i Shkodrës, falë investimeve të kryera në tre vjet sot është në spitalin e dytë më modern në vend. Në tre vjet, investimet prej 5 milionë dollarësh e kanë shndërruar Spitalin Rajonal të Shkodrës në një model të shërbimit mjekësor. Për herë të parë në 25 vjet, ky spital, i projektuar për t'u kthyer në një qendër referenciale për zonën veriore, ofron 4 shërbime të reja shëndetësore; koronarografia, kimioterapia, protezat ortopedike dhe rezonanca magnetike në shërbimin e imazherisë. Së fundmi, spitalit të Shkodrës i shtohet edhe reparti i ri i reanimacionit, i rindërtuar nga themelet sipas standardeve më të mira bashkëkohore. 500 milionë lekë janë investuar jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në pajisjet mjekësore të këtij reparti. Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, inspektuan mjediset e reja. Ndryshimi, siç e vlerëson vetë personeli mjekësor, është rrënjësor.

"Reanimacion kishte vetëm emrin. Ishte një sallë, ku vetëm dy respiratorë punonin. S’ishte lyer asnjëherë. Tani ka parametra shumë moderne si të strukturës së reanimacionit, me fushëpamje, me veshje antibakteriale," - thotë një prej mjekëve në shërbimin e reanimacionit.

Investimet e deritanishme e kanë kthyer spitalin e Shkodrës, pas Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, një nga qendrat shëndetësore me kapacitet më të mirëndërtuara dhe fuqizuara në vend. "Reanimacioni i ri, polivalent i spitalit të Shkodrës, - shprehet ministrja Manastirliu - ka dyfishuar kapacitetet dhe me pajisje tërësisht të reja. Spitalin e Shkodrës, duke qenë se duam ta kthejmë në qendër referenciale për të gjithë veriun, kemi 3 vite e gjysmë që investojmë intensivisht në shërbime që nuk janë ofruar më parë. Kemi ofruar për herë të parë shërbimin e Hemodinamikës; Kemi hapur Qendrën e Kimioterapisë, një shërbim i ri që nuk ekzistonte më parë; Kemi shërbimin e ri të Dializës; Kemi forcuar edhe shërbimin e Imazherisë me një rezonancë që kryen rreth 3000 diagnostikime në vit; Që do të thotë që ky spital, sot është ndër spitalet, pas QSUT, më të fuqizuarit, me kapacitetet më të ngritura dhe me një staf dhe ekip profesionistësh."

Në një bisedë me një prej punonjëseve të Spitalit të Shkodrës e falenderoi Kryeministrin për të gjithë punën e bërë: “Kena ardh me t’falenderu se ke ba tana t’mirat për Shkodrën. T’rujt Zoti. T’pacim!”

Me batutë Kryeministri iu përgjigj:“Shkodrës s’i kam bërë gjë, i ka bërë Voltana.”

Punonjësja këmbënguli në falenderimin e saj: “Voltana s’na ka ba kurrgjë. Ti i ke ba të tana.”

###