Postuar më: 14 Shkurt 2017

Investime të reja në Maternitetin e Kukësit

Kukës, 14/02/2017 - Pajisjet moderne dhe të teknologjisë bashkëkohore janë investimi më i ri në Spitalin Rajonal të Kukësit, e konkretisht në maternitetin e këtij spitali. Salla e imazherisë ofron një shërbim të specializuar, të munguar deri tani, përmes ECHO-s së re Obstetrike-Gjinekologjike të instaluar së fundmi.

Janë rreth 700 nëna të reja, të cilat i drejtohen spitalit të Kukësit çdo vit për të sjellë në jetë fëmijët e tyre. Deri dje ato detyroheshin ta merrnin këtë shërbim të domosdoshëm për ecurinë e shtatzënisë, tek privati apo në qytete si Prizreni e Tirana. Ndërsa tani mund t’i kryejnë këto vizita në qytetin e tyre, duke shkurtuar ndjeshëm shpenzimet, pasi për çdo shtatzëni, sipas protokolleve, duhet të kryen 4 ekzaminime të tilla.

Vetëm në muajt e fundit të vitit të kaluar në maternitetin e spitalit rajonal të Kukësit janë realizuar investime me vlerë rreth 90 milionë lekë, nga këto rreth 35 milionë lekë për ECHO-n obstetrike-gjinekologjike dhe rreth 55 milionë lekë për rinovimin e çatisë së maternitetit. Gjithashtu janë çelur procedurat për furnizimin e pajisjeve mjekësore me vlerë rreth 200 mijë euro ku, midis të tjerash, përfshihet një mamografi dhe një inkubator mobil për rastet kur bebet duhet të transferohen me autoambulancë drejt Tiranës.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në maternitetin e Kukësit ku u takua me personelin mjekësor dhe pacientë. Për mjekët e maternitetit, shërbimi i imazherisë është tejet i rëndësishëm, sepse siguron të dhëna për mbarëvajtjen e shtatzanisë. ”Kemi pasur 5 vite pa Echo dhe kjo është diçka e rëndësishme për rrethin e Kukësit, pasi gratë kanë shkuar o në Prizren, o në privat, o në Tiranë për ta kryer dhe shpenzimet ishin të mëdha. Ne kemi rreth 700 lindje në vit, kështu që besoj e justifikon plotësisht, që të kemi një Echo të re”.

Ndërsa ministri Beqaj shpjegoi se shkurtimi i shpenzimeve për nënat e reja është mjaft i ndjeshëm dhe se zerimi i tarifave të ekzaminimeve bëhet realitet i prekshëm, duke ofruar kryerjen e tyre sa më pranë vendbanimit. “ Janë të paktën 4 echo që duhen kryer në një shtatzëni, që to të thotë 60 mijë lekë për një nënë, ose 42 milionë lekë në vit, për të gjitha nënat. Nënat që lindin në Kukës i bënin echot o në privat, o në Prizren bashkë me shpenzimet e transportit. Tarifat janë zero, janë falas, por përsa kohë që s’kishte echo mbetej një gjë që nuk prekej. Tani e shtrijmë këtë shërbim edhe këtu bashkë me rikonstruksionin që i kemi bërë. Janë rreth 55 milionë lekë që i kemi shpenzuar për çatinë, nyjet hidrosanitare, dhe rreth 35 milion për echo.”

Rikonstruksioni i godinës dhe gjithë infrastrukturës së saj ishte gjithashtu një investim i domosdoshëm për spitalin “Investimi që është bërë te çatia, të them të drejtën ka qenë tepër i domosdoshëm, sepse ca binte jashtë, binte brenda. Materniteti ka qenë i pa banueshëm”, - u shpreh një mjeke.

---###---