Postuar më: 12 Shkurt 2017

Kombinat, Shërbimi i ri 24/7 i urgjencës më pranë qytetarëve

Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Punëve të Brendshme inspektojnë QSH nr. 6 në zonën e Kombinatit, Tiranë

Beqaj: Shërbimi i ri 24-orë i urgjencës mjekësore, tashmë mëpranë qytetarëve

-Brenda Prillit rinovojmë flotën e autoambulancave të Tiranës

Tahiri: Shërbim në kohë rekord për banorët e Kombinatit

Tiranë, 12/02/2017 – Shërbimi i urgjencës mjekësore, pas riorganizimit, është tashmë prezent në territor në disa pika të qarkut të Tiranës. Autoambulanca, stafi mjekësor, i përbërë nga dhënësi i ndihmës së parë (drejtuesi i automjetit), si dhe një infermier, janë të stacionuar në disa zona të qarkut të Tiranës, ashtu sikundër në të gjitha qarqet e vendit.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, së bashku me Ministrin e Brendshëm, z. Saimir Tahiri, ishin në Qendrën Shëndetësore numër 6 në kryeqytet, në zonën e Kombinatit, ku panë nga afër mënyrën e re të ofrimit të këtij shërbimi. Pranë kësaj Qendreje Shëndetësore është e vendosur një autoambulancë, e pajisur me staf mjekësor, e cila është e gatshme për t’ju përgjigjur thirrjeve dhe nevojave të qytetarëve në çdo moment.

“Qytetarët të jenë të informuar që në rast nevoje, autoambulanca nuk është më e vendosur në një pikë të Tiranës siç ishte deri javën e kaluar, por tashmë, rri këtu, është gjithmonë e stacionuar këtu. Nevojat që do të kenë, koha e vajtjes së autoambulancës deri tek vendi i thirrjes, tek pacienti apo qytetari i sëmurë do të jetë shumë më e shkurtër”, theksoi zoti Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë u shpreh se, tashmë, me riorganizimin e vendosjes në territor të shërbimit të urgjencës mjekësore, autoambulancat janë të stacionuara në disa zona në kryeqytet. “Ne besojmë se kalimi nga një pikë për Tiranën në disa pika, - një është në Kombinat, një është tek “21 Dhjetori”, një është në QSUT, një është tek spitali i Traumës, një do të vazhdojë të rrijë aty ku është edhe sot, tek stadiumi “Dinamo”, apo edhe në pika të tjera, - do të bëjnë që koha e vajtjes të jetë më e shkurtër, që ne të përpiqemi që brenda qyteteve të arrijmë në një standard të pranueshëm rreth 12 minuta”.

Zoti Beqaj, bëri të ditur, gjithashtu, se “brenda Prillit do të kemi dhe një rinovim të flotës së autoambulancave, por do të vazhdojmë të përqendrohemi shumë edhe në edukimin e vazhdueshëm të personelit në autoambulancë, që duhet të jenë ata që japin ndihmën e parë”.

Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri, falënderoi Ministrin Beqaj për këtë shërbim të ri, duke theksuar se, tashmë, banorët e zonës së Kombinatit do të mund të marrin një shërbim në një kohë shumë më të shpejtë. “Dua të falënderoj edhe Ministrin Beqaj që bashkë me ju, duke filluar nga sot, kemi një shërbim emergjence 24-orë në Kombinat, që ekzaktësisht nuk do jetë vetëm për Kombinatin po i vjen shumë më shpejtë në ndihmë edhe banorëve të Tiranës së Re tashmë, pra Prushit, Vaqarrit, deri në Ndroq. Kjo është shumë e rëndësishme, në qoftë se deri dje të shkonte qytetari tek urgjenca dhe kjo ishte diku në qendër të Tiranës, sot shërbimi i emergjencës është këtu dhe i shërben qytetarëve të Kombinatit në kohë rekord”, u shpreh Ministri Tahiri.

Nga ana e tij, drejtori i Qendrës Shëndetësore numër 6, mjeku Romeo Bani, deklaroi se “është një shërbim i munguar prej vitesh, është një shërbim që do t’ju vijë në ndihmë 24-orë, të rinjve, të moshuarve, të sëmurëve akutë dhe kronikë, për të gjitha rastet emergjente, dhe është një shërbim, kam përshtypjen, me shkurtimin e kohës fizike përkthehet në ofrimin e shërbimit pranë komunitetit dhe jo komunitetin tek shërbimi”.


Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Qytetarët të jenë të informuar që, në rast nevoje, autoambulanca nuk është më e vendosur në një pikë të Tiranës siç ishte deri javën e kaluar, por tashmë rri këtu, është gjithmonë e stacionuar këtu. Nevojat që do të kenë, koha e vajtjes së autoambulancës deri tek vendi i thirrjes, tek pacienti apo qytetari i sëmurë do të jetë shumë më e shkurtër.

Të gjithë jemi njohur me faktin që njerëzit ankohen që autoambulanca vonohet, kur pret autoambulancën çdo sekondë është vonë, dhe të gjithë do ta donim, por ne besojmë se kalimi nga një pikë për Tiranën në disa pika, një është në Kombinat, një është tek “21 Dhjetori”, një është në QSUT, një është tek spitali i Traumës, një do të vazhdojë të rrijë aty ku është edhe sot, tek stadiumi “Dinamo” (stadiumi i futbollit “Selman Stërmasi”), apo edhe në pika të tjera, do të bëjnë që koha e vajtjes të jetë më e shkurtër, që ne të përpiqemi që brenda qyteteve të arrijmë në një standard të pranueshëm rreth 12 minuta.

Do të vazhdojmë të fuqizojmë urgjencën duke fuqizuar dhe përqendruar administrimin e thirrjeve por duke dekoncentruar pozicionimin e autoambulancave në territor. Dhe praktikisht, personeli i autoambulancës, infermierë, shoferë, i kemi vendosur pranë Qendrave Shëndetësore që të mund të kenë një dhomë ku ata të mund të rrinë që të mos rrinë në autoambulanca.

Besoj se, brenda Prillit, do të kemi dhe një rinovim të flotës së autoambulancave, por do të vazhdojmë të përqendrohemi shumë edhe në edukimin e vazhdueshëm të personelit në autoambulancë, që duhet të jenë ata që japin ndihmën e parë.


Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri:

Unë së pari dua t’ju falënderoj ju për punën e palodhur që bëni ditë-natë për banorët e Kombinatit! Kjo është shumë e vyer për çdo qytetar, pavarësisht debateve, pavarësisht baltës që hedhin padrejtësisht mbi ju, pavarësisht llumit dhe akuzave që hedhin përditë mbi ju, puna juaj e palodhur është realisht shërbimi më i mirë që mund ti bëni komunitetit.

Dua të falënderoj edhe Ministrin Beqaj që bashkë me ju, duke filluar nga sot, kemi një shërbim emergjence 24-orë në Kombinat, që ekzaktësisht nuk do jetë vetëm për Kombinatin po i vjen shumë më shpejtë në ndihmë edhe banorëve të Tiranës së Re tashmë, pra Prushit, Vaqarrit, deri në Ndroq. Kjo është shumë e rëndësishme, në qoftë se deri dje shkonte qytetari tek urgjenca, dhe kjo ishte diku në qendër të Tiranës, sot shërbimi i emergjencës është këtu dhe i shërben qytetarëve të Kombinatit në kohë rekord.

Me shumë gjasë, për politikën e ditës ky është lajm i vogël, por të jeni të bindur që për banorët e Kombinatit ky është lajmi i madh dhe shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë drejtpërdrejtë me shëndetin dhe me jetën e qytetarëve. Ashtu siç është puna juaj e vyer, ashtu dhe është ndihma dhe suporti që jep Ministria e Shëndetësisë në këtë rast për Kombinatin, por edhe për të gjithë Tiranën. Hapëm një Qendër Shëndetësore në “Unazë të Re”, ku është një komuniteti i ri, është thuajse një qytet i ri me mijëra banorë, ndërkohë që tani hapim edhe shërbimin e urgjencës 24-orë në Kombinat që do i vijmë më shpejt në shërbim të qytetarëve. Unë dua t’ju falënderoj realisht për punën që bëni!


Fjala e plotë e z. Romeo Bani, drejtori i Qendrës Shëndetësore numër 6, Tiranë:

Së pari, më lejoni që, po dua ta them kështu, falënderimet e mia nuk vijnë thjeshtë si drejtues i Qendrës Shëndetësore, por si qytetar i Kombinatit. Dhe ndihem i priveligjuar që këto falënderime të banorëve të Kombinatit shprehen tashmë publikisht, pasi është një shërbim i munguar prej vitesh, është një shërbim që do t’ju vijë në ndihmë 24-orë të rinjve, të moshuarve, të sëmurëve akutë dhe kronikë, për të gjitha rastet emergjente dhe është një shërbim, kam përshtypjen, me shkurtimin e kohës fizike përkthehet në ofrimin e shërbimit pranë komunitetit dhe jo komunitetin tek shërbimi

Gjej rastin të falënderoj zotin Beqaj, Ministër i Shëndetësisë për këtë konceptim bashkëkohor të implementimit të shërbimit të urgjencës, decentralizimin e urgjencës, dhe zotin Tahiri që, sigurisht, është gjithnjë i pranishëm dhe përtej angazhimeve që ka në të gjithë territorin e Republikës, gjen kohë dhe është pranë komunitetit të Kombinatit. Faleminderit! Ta gëzojmë shërbimin e urgjencës!

---###---