Postuar më: 27 Shkurt 2017

Korça, spitali i pestë rajonal ku tashmë ofrohet Kimioterapia

Beqaj: Korça, spitali i pestë rajonal ku tashmë ofrohet shërbimi i Kimioterapisë

Këtë vit buxheti 100 milionë lekë për kimiopreparate      

Ministri i Shëndetësisë: Shërbimi pranë vendbanimit, lehtësi e kujdes cilësor për njerëzit

Zëvendëskryeministri Peleshi: Sfidë, dekoncentrimi shërbimeve drejt spitaleve rajonale

Korçë, 27/02/2017 – Spitali Rajonal i Korçës i bashkohet spitaleve të Shkodrës, Elbasanit, Vlorës dhe Durrësit, ku ofrohet tashmë shërbimi i Kimoterapisë për pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale. Falë investimit të realizuar në këtë spital për ofrimin e shërbimit të njohur si “Day Hospital” dhe garantimit të përgatitjes së mjekimit me barna pranë Kapave (aparaturave të specializuara për këtë qëllim), pacientët e prekur nga këto sëmundje nuk ju duhet më të udhëtojnë tre herë në javë në drejt Tiranës pasi ky shërbim ofrohet falas tashmë edhe pranë vendbanimit të tyre.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe Zëvendëskryeministri, z. Niko Peleshi ishin në spitalin Rajonal të Korçës ku panë nga afër mjediset e reja të përgatitura posaçërisht për ofrimin e këtij shërbimi.

“Këtë standard kemi dhe në Tiranë, në mënyrë që tashmë që u bëmë gati për të financuar spitalin me kimiopreparatet, kjo teknologji të ishte gati. Në fakt, kemi filluar vetëm me dy nga diagnozat onkologjike që janë më të përhapura, gjirin dhe zorrën e trashë. Edhe me mbështetjen shkencore dhe profesionale të shërbimit të Onkologjisë në Tiranë, Korça i bashkohet spitaleve të Shkodrës, Elbasanit, Vlorës dhe Durrësit, ku ne ofrojmë Kimioterapi edhe në spitalin rajonal”, theksoi z. Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë u shpreh se ofrimi i këtyre shërbimeve në disa spitale Rajonal në vend është një lehtësim i madh për të pacientët e prekur nga këto sëmundje. “Jemi përpjekur të biem dakort që, ndoshta, edhe ti japim prioritet rasteve të reja, pra ato raste që fillojnë për herë të parë, kanë këtë fat të keq me këtë sëmundje, të mund të fillojnë të trajtohen të gjithë në spitalin e Korçës. Kemi këtë vit në buxhet 100 milionë lekë për rreth 8-9 kimiopreparate që ka paketa që është e domosdoshme për këto dy patologji, dhe do ta ndjekim në vijimësi në mënyrë që të krijojmë besimin, sigurinë, eksperiencën, por ajo që është më e rëndësishme, shërbimi shumë më i lehtësuar për njerëzit. Një herë në tre javë, të shkosh në Tiranë, domosdo që do të duhet një familjar të të shoqërojë, ajo shoqërohet me efekte anësore, psikologjike, fizike, kështu që të paktën, këtë pjesë, besoj se edhe në Korçë kemi bërë hapat e parë për ta lehtësuar”, theksoi Ministri.

Z. Beqaj takoi edhe një prej pacientëve, i cili po kryen tashmë seancat e Kimioterapisë në spitalin Rajonal të Korçës të cilin e informoi se “kemi filluar me dy terapitë e para të këtyre sëmundjeve. Besoj se dora-dorës do ta zgjerojmë shërbimin edhe në sëmundje të tjera, sepse të paktën, kemi filluar furnizimet me barna, skuadra e mjekëve dhe infermierëve po konsolidohet, dhe sigurisht, sfida jonë është ta shtrijmë shërbimin sa më pranë njerëzve, t’ju shërbejmë juve sa më pranë, por edhe ngarkesat e panevojshme në Tiranë ti eliminojmë”.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Peleshi e vuri theksin tek decentralizimi i shërbimeve duke shtuar se “kjo është sfida në fakt, si të dekoncentrojmë shërbimet tona drejtë spitaleve rajonale, siç kemi bërë këtu me dializën në Korçë, siç po bëjmë me këtë shërbim të Kimioterapisë”.

---###---