Postuar më: 27 Mars 2017

Manastirliu: Enkeled Joti, Drejtori i ri i Përgjithshëm i QSUT-së

Prezantohet Drejtori i ri i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Manastirliu: Enkeled Joti, Drejtori i ri i Përgjithshëm i QSUT-së

-Drejtori i ri, aftësi të shkëlqyera menaxheriale. Do të çojë përpara projektet e nisura

Tiranë, 27/03/2017 – Zoti Enkeled Joti është Drejtori i ri i Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ministrja e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu, prezantoi sot (27/03/2017) para personelit mjekësor të QSUT-së, kreun e ri të institucionit shëndetësor më të rëndësishëm në vend.

Në fjalën e saj, znj. Manastirliu, vlerësoi figurën e z. Joti si një menaxher me shumë eksperiencë. Ministrja u shpreh e sigurt se, z. Joti do të vërë me sukses në zbatim, projektet e nisura, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimit, në qendrën më të madhe spitalore në Shqipëri.

“Jam e sigurt z. Joti, në krye të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të çojë përpara të gjithë ato projekte zhvillimi që janë nisur tashmë, por edhe të tjerë që do të nisim në të ardhmen e afërt. Jam e bindur se në një bashkëpunim të ngushtë me Shefat e Shërbimeve, të gjithë stafin mjekësor e infermieror të QSUT-së, si edhe stafin mbështetës, z. Joti do të punojë për ta zhvilluar më tej Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza””, u shpreh znj. Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë shprehu falënderimet për të gjithë personelin shëndetësor të QSUT-së për bashkëpunimin dhe rezultatet e arritura, gjatë tre viteve e gjysmë, që ajo ishte në drejtimin e këtij institucioni.

“Më vjen mirë që, në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm, vjen një njeri me aftësi të shkëlqyera menaxheriale. Ndërkohë, gjej rastin si Ministër i Shëndetësisë, por edhe në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm, t’ju falënderoj përzemërsisht për të gjithë mbështetjen tuaj, si dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë këtyre tre viteve e gjysmë. E di mirë, se pa këtë mbështetje dhe bashkëpunim, nuk do kishim arritur të realizonim ato projekte që së bashku i vumë në zbatim, në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, por dhe në funksion të zhvillimit të Qendrës më të madhe Universitare në vend”, theksoi znj. Manastirliu.

---###---