Postuar më: 12 Qershor 2018

Manastirliu: Grupe për identifikimin dhe trajtimin e fëmijëve që shfrytëzohen ekonomikisht

Mblidhet në Tiranë Komiteti Drejtues i Romacted, i Këshillit të Europës: Shqipëria progres në trajtimin e komunitetit rom

Tiranë, 12 Qershor – “Grupe terreni për identifikimin e fëmijëve që shfrytëzohen ekonomikisht, ndihmë e menjëherëshme por edhe kallëzimin penal  ndaj prindit ose kujdestarit të fëmijës, kur fëmija kthehet sërish në situatë rruge edhe pasi i është ofruar ndihmë apo alternativë punësimi prindërve”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në takimin e parë të Komitetit drejtues të programit të përbashkët rajonal të Komisionit Europian dhe Këshillit të Europës, Romacted, i cili nisi sot në Tiranë.

“Gjatë vitit 2017 nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve janë menaxhuar 1650 fëmijë në situatë risku, nga të cilët, 387 fëmijë u identifikuan të shfrytëzuar ekonomikisht dhe në situatë rruge, ku fëmijët e komunitetit rom janë më të ekspozuarit ndaj këtij fenomeni. Ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë nismën për identifikimin dhe ndihmën e menjëherëshme për fëmijët e shfrytëzuar, për të frenuar punën e fëmijëve”, tha Manastirliu, duke lajmëruar vendimin që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave “Për procedurat për identifikimin, ndihmën e menjëherëshme dhe referimin e fëmijëve të  shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë  fëmijët në  situatë  rruge”.

Ministrja u ndal gjithashtu te progresi i bërë sa i takon përfshirjes sociale dhe shërbimeve për komunitetin rom dhe egjiptian, sipas të dhënave të sistemit online Revalb.

“Treguesit sa i takon aksesit në shërbime mjekësore të përballueshëm dhe të barabartë janë në përmirësim. Në vitin 2017, kanë përfituar paketën për kujdesin ndaj nënës dhe foshnjes 2 059 nëna dhe fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian, kundrejt 300 nënave që e përfituan atë në vitin 2015. Por mbetet shumë për të bërë për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale apo fenomenit tw parandalimit të martesave të hershme, që afektojnë më së shumti këto komunitete”, tha Manastirliu.

Në takimin e komitetit drejtues tw Romacted merrte pjesë edhe Zv/Drejtoresha e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Bashkimin Europian, znj. Katarina Mathernova, drejtues rajonalë dhe kryetarët e disa bashkive në vend. Znj. Mathernova vlerësoi progresin e Shqipërisë në përmirësimin e legjislacionit, në përputhje me standartet dhe konventat ndërkombëtare, të cilat kanw ndikim tw drejtpwrdrejtw në  përfshirjen e Romëve dhe Egjiptianëve.

“Shqipëria është një shembull i shkëlqyer për tregues që lidhen me aksesin në shërbime shëndetësore për komunitetin rom, masat për strehimin apo shërbime të tjera, por sipas studimit rajonal të kryer gjatë dy viteve të fundit, të gjitha vendet e rajonit duhet të bëjnë më shumë sa i takon punësimit të personave që i përkasin këtij komuniteti”, tha përfaqësuesja e drejtorisë për negociatat e zgjerimit në Bashkimin Europian.

Shqipëria po zbaton Planin Kombëtar të Veprimit për Romët dhe Egjiptianët 2015-2020, duke synuar më shumë përfshirje në strehim, arsim, punësim, shëndetësi, mbrojtje sociale, etj.

Aktualisht Shqipëria ka miratuar ligjin "Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Shqipëri", i cili siguron të drejta dhe mbrojtje të veçantë për personat që u përkasin pakicave kombëtare, ku adresohet edhe njohja dhe mbrojtja e  pakicave rome dhe egjiptiane lidhur me të drejtën e vetëidentifikimit, ndalimin e diskriminimit, lirinë e të drejtave dhe të drejtën e përfaqësimit, ruajtjen e identitetit kulturor të pakicave kombëtare, të drejtën e arsimit në gjuhën e pakicës, të drejtën e informimit dhe përdorimin e gjuhës, etj.

Po ashtu ligji “Për Ndihmën Juridike Falas”, i miratuar së fundmi, garanton dhënien e ndihmës juridike nga shteti për mbrojtjen e lirive e të drejtave themelore të individit, i cili do të ndihmojë padyshim në lehtësimin e regjistrimit civil të romëve dhe egjiptianëve.

Është përparësuar komunitetin rom dhe egjiptian sa i takon strehimit. Ligji “Për Strehimin Social“, i miratuar nga Parlamenti një muaj më parë, garanton 6 programe të strehimit social nga 3 programe që ka pasur ligji i mëparshëm. Familjet e minoritetit Rom dhe atij Egjiptian konsiderohen si një kategori prioritare për trajtimin nga programet sociale të strehimit. Në programet sociale të strehimit, jo më pak se 5 për qind e vendeve nga çdo program, për çdo vit, do të jenë të destinuara për komunitetin rom dhe egjiptian.

Programi i përbashkët i Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian Romacted do të ndihmojë në mirëqeverisjen në nivel lokal në disa bashki në Shqipëri si Fieri, Korca, Berati, Tirana etj, për përfshirjen e komunitetit rom dhe egjiptian në politikbërje dhe zbatimin e politikave në nivel vendor.

 

Më poshtë gjeni disa të dhëna të raportit për Romët të vitit 2017:

Garantimi i një kujdesi mjekësor të aksesueshëm, të përballueshëm dhe të barabartë për romët dhe egjiptianët.

Në vitin 2017, 2 059 nëna dhe fëmijë kanë marrë paketën për kujdesin e foshnjave dhe nënave, kundrejt 300 nënave që e përfituan në vitin 2015.

Romët dhe egjiptianët kanë akses dhe përfshirje të plotë në arsim cilësor duke mos qenë subjekt i diskriminimit dhe segregimit

Për vitin 2017,  3 herë më shumë vajza e djem romë dhe egjiptianë janë regjistruar dhe kanë ndjekur arsimin e detyrueshëm krahasuar me vitin 2015. Ose 13. 583 fëmijë Romë dhe Egjiptianë, krahasuar me 4 437 që u regjistruan gjatë vitit 2015.

Megjithatë në arsimin 9-vjecar shkalla e regjistrimit të fëmijëve Rom dhe Egjiptian është 66% , kundrejt 100% të pjesës tjetër të popullsisë.

-        Rritja e aksesit në programet e mbrojtjes sociale për anëtarë të  komunitetit Rom dhe Egjiptian.   

8587 Romë dhe Egjiptianë përfituan në vitin 2017 nga skema e ndihmës ekonomike, ndërsa në vitin 2015 ishin 8 000 përfitues.

Në qendrat rezidenciale publike të shërbimit social kanë përfituar shërbim 2 012 Rom dhe Egjiptian, afro 10 herë më shumë përfitues se në vitin 2015.

48 qendra komunitare janë krijuar dhe kanë qënë funksionale dhe në shërbim të anëtarëve të të dy minoriteteve në vitin 2017, kundrejt 4  që kanë qënë në vitin 2016.

554 Romë dhe Egjiptianë të cilët përfitojnë Ndimë Ekonomike kanë përfituar nga programi i ri-integrimit social, ose 5 herë më shumë se në vitin 2016.

-        Krijimi i  mundësive të barabarta për punësimin formal të  romëve dhe egjiptianëve.

Gjatë vitit 2017, 338 Rom dhe Egjiptian kanë ndjekur programet e nxitjes së punësimit dhe 174 i kanë përfunduar këto programe në 2017, kundrejt vitit 2015,kur 146 ishte numri i pjesëmarrësve nga të cilët 5 e përfunduan këtë program.

Zyrat e punës kanë punësuar 854 Rom dhe Egjiptianë kundrejt 5 të raportuar në vitin 2015.

Për këtë vit, nëpërmjet një programi të mbështetur nga projekti ESERE në Bashkinë e Tiranës do të punësohet 50 Romë dhe Egjiptian në sektorin e riciklimit, të cilët do të shoqërohen dhe me kurse analfabetizimi për ata që nuk kanë ndjekur shkollën, me angazhimin që 25 prej tyre do të mbeten në punë edhe pas mbështetjes nga projekti.

Punësimi mbetet akoma një sfidë për ne dhe vecanërisht punësimi i grave Rome dhe Egjiptiane.

-        Përmirësimi i kushteve të  strehimit për romët dhe egjiptianët

508 familje rome dhe egjiptiane kanë përfituar gjatë vitit 2017 nëpërmjet programit të grandeve të vogla nga Bashkitë për infrastrukturë të re,furnizim me ujë paisje hidrosanitare kundrejt 187 famijlje të raportuara në 2016.

60 familje rome (afërsisht 300 banorë )përfituan nga përmirësimi i kushteve të banimit në Tiranë.

219 familje rome dhe egjiptiane përfituan nga banesat me qera sociale në të gjithë vendin.

101 familje rome dhe egjiptiane përfituan nga banesat me kosto të ulët kundrejt 37 të raportuara ë vitin 2016.

Aluizni ka ofruar asistencë falas për famijlet rome dhe egjiptiane për plotësimin e dokumentacionit për lehtësimin e legalizimit të banesave informale.

 

 

###