Postuar më: 14 Qershor 2018

Manastirliu me fëmijët talasemikë në Lushnje apelon për dhurimin e gjakut

Manastirliu me fëmijët talasemikë në Lushnje apelon për dhurimin e gjakut

Sot Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut/ Në 10 ditë, 850 dhurues i bashkohen nismës ‘Mjaftojnë 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë’ në ndihmë të fëmijëve me sëmundje gjaku

Lushnje, 14 Qershor – “Nevojat për gjak janë dy herë më të mëdha, sidomos në këtë periudhë të vitit, ndaj ftoj qytetarët të na bashkohen të shumtë për dhurimin vullnetar të gjakut që i vjen në ndihmë së pari fëmijëve talasemikë”.

Në ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte pranë fëmijëve talasemikë në Lushnje, ku në Bankën e Gjakut pranë spitalit, 86 dhurues nga Lushnja, Fieri dhe Tirana dhuruan gjak për fëmijët talasemikë.

“Janë 170 fëmijë talasemikë të cilët kanë nevojë jetike për gjak, për të bërë një jetë sa më normale. Mund t’i ndihmojmë të gjithë bashkë, me një akt human që mund ta bëjë secili prej qytetarëve të shëndetshëm”, tha Manastirliu në Lushnje.

Kur jemi në mesin e fushatës ‘Mjaftojnë vetëm 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë’ 850 dhurues i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

“E nisëm fushatën e dhurimit të gjakut nga stafi i Ministrisë dhe në 10 ditë kemi një rezultat surprizues, jemi afër targetit që kemi vendosur sepse na janë bashkuar shumë të rinj, qytetarë të zakonshëm, mjekë e personel shëndetësor, deputetë të kuvendit, etj”, tha Manastirliu.

Megjithatë nevojat për gjak, kryesisht në zonën e Lushnjes dhe Fierit janë të mëdha.

“Shqipëria ka 10.7 dhurime për 1000 banorë por duhet të kemi 20 dhurime për 1 mijë banorë që të plotësojmë nevojat”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në periudhën më problematike të vitit për mbulimin e nevojave me gjak, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nisi fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut: Mjaftojnë 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë!

Fushata, e cila do të zgjasë deri më datë 4 Korrik, synon të arrijë 1 mijë dhurues vullnetarë për të plotësuar nevojat me gjak gjatë stinës së verës, në mënyrë të veçantë për fëmijët talasemikë.

 

###