Postuar më: 17 Tetor 2017

Manastirliu: Paketë e re radioterapie, trajtim falas në spitalet publike dhe jopublike

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Komisionin e Shëndetësisë: "Dyfishuam financimin për barnat që trajtojnë tumoret. Për një muaj pritet akseleratori i ri linear në QSUT”

Tiranë, 17 Tetor – Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu ishte sot përballë deputetëve të Komisionit të Shëndetësë dhe Çështjeve Sociale në Kuvend, ku foli për masat e marra nga Qeveria shqiptare përsa i përket luftës ndaj kësaj sëmundjeje.

"Ne e gjetëm QSUT me një aparaturë të vjetër kobalti, e cila më shumë nuk punonte sesa trajtonte pacientët. Sot kemi shënuar sukses të dukshëm, me kalimin e ofrimit të shërbimit të radioterapisë nga rrezatimi me kobalt, në trajtimin të preçizuar me 2 akseleratorë linearë", tha Manastirliu.

Në lidhje me sa është bërë në katër vitet e fundit, ka thënë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, "në vitin 2013, ne e gjetëm rimbursimin e diagnozës së kancerit të gjirit në nivelin e 71 milion lekëve, ndërsa sot, kjo shifër është dyfishuar. Janë 139 milion lekë rimbursim, ndërkohë që barnat Antineoplazike dhe Imunosupresore, vetëm nga skema e rimbursimit financohen me 1.2 miliard lekë. Një skemë, nga e cila përfitojnë 3349 pacientë në vit".

Sipas Manastirliut, "është prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë trajtimi i semundjeve tumoriale dhe kryesisht i kancerit të gjirit ku vetëm sasia 'Herceptinës' - e cila përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit dhe rrit mbijetesen e grave të prekura - është rritur me 4 herë, në krahasim me 2013".

Manastirliu është përgjigjur në komision, edhe në lidhje me atë që pritet të bëjë qeveria shqiptare vitin e ardhshëm, për trajtimin e këtyre sëmundjeve. "Në lidhje me paisjet mjekësore, brenda 2018 do të investojmë në ofrimin e 5 mamografëve të rinj në spitalet Rajonale Durrës, Gjirokastër, Kukës, Vlorë dhe Dibrës. Po kështu, shumë shpejt, brenda nëntorit presim akseleratorin e dytë linear, pranë Njësisë së Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik në QSUT”.

“Ne aktualisht po hartojmë për herë të parë paketën e radioterapisë, duke zgjeruar edhe më shumë përfituesit dhe duke minimizuar rradhët për të sëmurët me kancer, me ofrimin e trajtimit radioterapeutik falas në spitalet publike dhe jopublike", ka thënë Manastirliu para deputetëve të Komisionit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri një apel për të gjitha gratë, për të kryer ekzaminimin e gjirit, për t’u diagnostikuar hershshëm, pasi në këtë mënyrë, mundësitë e mbijetesës janë shumë të mëdha.

 

 Më poshtë, fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu

 

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë,

“Jemi në muajin e ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, ndaj, do të doja ta nisja këtë fjalë, me një apel për të gjitha gratë, për të kryer ekzaminimin e gjirit, sepse diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën!

Vlerësohet se çdo vit në Shqipëri shfaqen 5000-6000 raste të reja me tumore (rreth 80% e të cilave menxhohen nga sistemi ynë shëndetësor). Ato shkaktojnë rreth 16% të të gjitha vdekjeve – duke qenë shkaku i dytë kryesor pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Prirja e tumoreve në popullaten shqiptare ka qenë në rritje gjatë dekadave të fundit, kryesisht për arsye të rritjes së moshës mesatare të popullates, por edhe për shkaqe të tjera të lidhura me stilin e jetesës apo mjedisin.

Edhe prirjet e llojeve të ndryshme të tumoreve nuk janë të njëjta. Kështu, kanceri i gjirit dhe kanceri kolorektal janë në rritje, ndërkohe që kanceri i stomakut apo ai i mushkërive, megjithëse tradicionalisht mjaft të shpeshtë në vendin tonë, nuk janë duke u rritur.  Këto dhe prirje të tjera mes tumoreve janë të ngjashme me profilet globale të këtij problemi shëndetësor.

 

Në Shqipëri kanceri i gjirit është tumori që haset më shpesh tek grate, me rreth 550 raste të reja çdo vit. Raporti i vdekshmerisë me incidencën e standartizuar është rreth 35%. Ky indikator, i cili shpreh potencialin për mbijetesë, shërim apo parandalim është i krahasueshëm me vende të tjera të Ballkanit Perendimor.

Në luftën kundër tumoreve, ne si Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po punojmë në disa drejtime, duke ndjekur Planin Kombëtar kundër tumoreve 2011-2020, i cili parashikon masat në katër fusha kryesore:

- parandalimin primar

- depistimin apo kapjen e hershme të sëmundjes

- diagnoza dhe trajtimi

- kujdesi paliativ

Në fushën e depistimit/kapjes se hershme të kancerit te gjirit:

 

·  Rishikuam paketën e shërbimeve në kujdesin shëndetësor parësor. Mjeku i familjes ka për detyrë të ndërgjegjësojë për rrezikun e kancerit të gjirit, duke përfshirë edhe aktivitete të lidhura me kapjen e hershme të kësaj sëmundjeje.

·  Prej vitit 2015, kemi udherrefyesin per parandalimin dhe diagnostikimin e hershem, i aprovuar nga Ministria.  Në bazë të këtij ekzaminimi klinik, i cili është pjesë e paketës bazë të kujdesit parësor është bërë trajnimi i 800 mjekeve dhe infermiere të kujdesit parësor për të kryer këtë depistim.

·  Në vazhdim te zbatimit të zinxhirit të protokollit për rastet e dyshuara është fuqizuar imazheria në funksion të kësaj diagnoze. Shërbimi i mamografisë ofrohet ne:

·  Spitalet Universitare: QSUT e Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë dhe në spitalet rajonale Shkoder, Elbasan, Durrës, Korcë, Berat si dhe Polikliniken Qendrore ne Tirane. Gjithsej, në vend janë 12 mamografë, qe kryejnë rreth 4.500 ekzaminime në vit.

·  Nderkohë, dy njësitë e lëvizshme të mamografisë, e kanë dyfishuar numrin e mamografive të kryera në vend për qëllime depistimi. Prej vitit 2015 dy mamografët e lëvizshëm kryejnë mbi 4.800 ekzaminime në vit. Leximi i këtyre mamografive tashmë mundësohet jo vetëm nga radiologët në institucionet publike shëndetësore por edhe nga një operator ekonomik  në mënyrë që t’i shërbehet në kohë grave dhe vajzave që kryejnë këtë ekzaminim. Në rang vendi, mesatarja vjetore  ekzaminimeve është 9.300 mamografi në vit.

 

Në fushen  e diagnozës dhe trajtimit:

 

·         Heqja e barrierave financiare dhe administrative për të gjitha shërbimet shëndetësore të diagnozës dhe trajtimit të kancerit për të gjithë popullatën në vitin 2014, ka ndikuar drejtperdrejt në shtimin e përfituesve.

·         E gjetëm QSUT me nje aparaturë të vjeter kobalti, e cila më shumë nuk punonte sesa trajtonte pacientet. Sot kemi shënuar sukses të dukshëm, me kalimin e ofrimit të shërbimit të radioterapisë nga rrezatimi me kobalt në trajtimin me akselerator linear.

·          Kemi zgjeruar sherbimin edhe në spitalet Rajonale. Tashmë trajtimi me kemioterapi, përveç QSUT-së, me ngritjen e 5 kabineteve të Kemioterapisë, ka filluar të ofrohet dhe në Spitalet Rajonale Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Korçë, të cilat trajtojnë rreth 100 raste në vit.

·          Rritem financimin për barnat e kemioterapise dhe hormonoterapisë, me synim mbulimin e të gjithë pacientëve të diagnostikuar, me trajtimin e duhur bazë.

·         E gjetëm në vitin 2013 rimbursimin e diagnozës së kancerit të gjirit me 71 milion lekë, sot e kemi dyfishuar. Janë 139 milion lekë rimbursim për ca-mammae, nderkohë që barnat Antineoplazike dhe Imunosupresore, vetëm nga skema e rimbursimit financohen me 1.2 miliard lekë. Përfitojnë 3349 pacientë në vit.

·         Rritëm buxhetin e citostatikëve dhe ulëm çmimin e barnave, duke shtuar përfituesit në skemë. Në shërbimin spitalor për vitin 2017 buxheti i citostatikëve është rreth 657 milion lekë dhe vetëm barnat citostatikë për kancerin e gjirit kanë një buxhet minimalisht 333 milion lekë. Në vend, janë trajtuar vetëm për vitin 2017, rreth 816 pacientë.

·         E gjetëm Herceptinën, barin që trajton posaçrisht sëmundjen e kancerit në gjirit me 833 flakonë, sot e kemi 4-fishuar sasinë në QSUT krahasuar me vitin 2013.

·         Të gjithë besoj e kujtoni spitalin Onkologjik 4 vite më pare se si kryhej kimioterapia. Sot aty ofrohet shërbim në një spital ditor me standarte, ku ofrohet shërbimi i kimioterapisë.

 

Trajtimi i sëmundjeve tumorale ka qenë në këto 4 vite dhe do të vijojë të mbetet prioritar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Investimi në trajtimin e sëmundjeve tumorale prej 2014 e në vazhdim është rreth 600 milion lekë, ku përfshihen:

• 2 akseleratorë linear me vlerë 3.2 milion Euro;

• Rikonstruksion bunkeri për akseleratorin, me vlerë 261 milion lekë;

• 18 milion lekë për pajisje poltrona kemioterapie

• Rikonstruksion dhe pajisje për punktet e kemioterapise prej 6 milion lekë.

• Mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore në QSUT është 27 milion lekë në vit.

 

Sa i takon burimeve njerezore në shërbimet spitalore jane gjithsej 49 mjekë onkologë, 103 infermierë dhe 22 psikologë dhe punonjës social.

Në fushën e kujdesit paliativ:

• Është miratuar ligji mbi kujdesin paliativ dhe janë duke u mbështetur disa shërbime, në disa spitale rajonale në këtë fushë. Janë miratuar 12 protokolle për kujdesin paliativ. Mjekët e familjes përshkruajnë të gjitha medikamentet e hormono -terapisë që përfshihen tek kujdesi paliativ.

• Të gjithë pacientëve që kanë nevojë për kujdes paliativ u garantohet aksesi në listën esenciale të barnave të rimbursueshme për kujdesin paliativ.

• Në Tiranë shërbimi paliativ ofrohet nga SOB (Shërbimi Onkologjik në Banesë) i cili ka 7 mjek, 8 infermier dhe 1 sociolog. Në të gjitha Spitalet Rajonale janë ngritur Kabinete të Kujdesit Paliativ, të cilat ju shërbejnë pacientëve të qarkut.

Por a kemi bërë aq sa duhet? Trajtimi i sëmundjeve tumorale ka ndryshuar në mënyrë sinjifikative, por sigurisht kemi ende shumë për të bërë.

-          Përsa i përket paisjeve mjekësore, brenda viti 2018 qeveria shqiptare do të investojë në ofrimin e 5 mamografëve të rinj në Durrës, Gjirokastër, Kukës, Vlorë dhe Dibër.

-          Gjithashtu, në Nëntor pritet të vijë akseleratori i dytë linear, pranë Njësisë së Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik, QSUT.

-          Sa i takon burimeve njerëzore, janë në kurse specializimi afatgjatë 21 mjekë në Onkologji, 10 prej të cilëve mbarojnë ciklin e specializimeve vitin tjetër. Kjo do shtojë mundësinë e decentralizimit më tej të shërbimit, në mënyrë që të sëmurët ta marrin asistencën mjekësore sa më afër vendbanimeit të tyre, si për problemet onkologjike, ashtu edhe ato të kujdesit paliativ.

-          Sa i takon shërbimit, për herë të parë do të ofrojmë paketën e radioterapisë, që do të zgjerojë akoma më shumë përfituesit në skemë, duke ofruar mundësinë e trajtimit në spitalet publike dhe jopublike.

-          Do të rrisim buxhetin për barnat citostatike, duke synuar mbulim më të gjerë të trajtimit të sëmundjeve tumorale.

Sigurisht, Ministria e Shëndetësisë po merr masa në të gjithë komponentët e trajtimit të sëmundjkeve tumorale, por me shprehjen e gjithëditur: Të parandalosh është më mirë se të kurosh, do doja të sillja sërish në vëmendje rëndësinë që ka diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundjeje, pasi beteja me kancerin e gjirit, është një betejë, që mund të fitohet!

 

 

###