Postuar më: 23 Janar 2018

Manastirliu: Program kombëtar për kujdesin shëndetësor në komunitet

Vaksinohen 150 fëmijë të komunitetit rom në Lanabregas

Manastirliu: Program kombëtar për kujdesin shëndetësor në komunitet

Tiranë, 23 Janar - Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale ka nisur një program kombëtar për ofrimin e kujdesit shëndetësor parësor në komunitet, duke filluar me procesin e vaksinimit për kategoritë vulnerabël, pranë vendbanimeve të tyre.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu ishte sot pranë 60 familjeve të komunitetit rom, të vendosur në banesat sociale në zonën e Lanabregasit, ku filloi programi i vaksinimit për 150 fëmijë të këtij komuniteti.

“Nisim sot, me fëmijët e komunitetit rom këtu në Lanabregas një program konkret të shërbimit shëndetësor në territor, për të ofruar shërbimin shëndetësor aty ku janë nevojat, kryesisht për grupet vulnerabël. Fillojmë me programin e vaksinimit, sipas kalendarit të vaksinave të detyrueshme, sepse për ne fëmijët janë të parët. Ky është një program që do të shtrihet kudo ku ka komunitete në nevojë, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë", tha Ministrja Manastirliu.

Në këtë komunitet, në periferi të Tiranës u vaksinuan sot 25 fëmijë që nuk ishin vaksinuar asnjëherë më parë si dhe rreth 130 fëmijë që ishin pjesërisht të vaksinuar. Ndërsa mjekët e Qendrës Shëndetësore të Shkozës kryen vizita për fëmijët që paraqisnin probleme shëndetësore me gripin stinor si dhe hapën kartela shëndetësore për fëmijët, të cilët më pas do të ndiqen nga qendra shëndetësore e kësaj zone.

“Kjo është një nismë që nuk do të ndalet këtu, e kemi shpallur është viti i fëmijëve dhe çdo ditë do të bëjmë një punë, për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqënien e fëmijëve”, tha Ministrja Manastirliu.

Sipas të dhënave në nivel kombëtar, Shqipëria ka një nivel shumë të lartë vaksinimi për 11 vaksinat e detyrueshme të kalendarit të vaksinimit, por kjo nismë e MShMS synon të zgjerojë mbulesën vaksinale, duke sjellë shërbimin sa më afër komunitetit.

 

Më shumë informacion për kalendarin e vaksinimit gjeni në:

https://www.facebook.com/MinistriaeShendetesisedheMbrojtjesSociale/videos/1428757147235358/