Postuar më: 18 Qershor 2018

Manastirliu: Programi i 80 qendrave shëndetësore, këtë vit rindërtojmë 11 QSh në Fier

Qendra shëndetësore e Fratarit kthehet në 24 orëshe, rehabilitohet brenda 2018
 
Fratar, 18 Qershor - Nga Fratari i Mallakastrës, ku u ndal në turin e llogaridhënies publike, Ministrja Manastirliu deklaroi se këtë vit rindërtohen 11 qendra shëndetësore në qarkun e Fierit, për t’i kthyer faqe shërbimit shëndetësor parësor.
“Vij në Fratar me dy lajme të mira sa I takon kujdesit shëndetësor bazë. Sapo kemi përmbushur kërkesën e parë dhe të vazhdueshme që banorët e Fratarit kërkonin prej kohësh: Shërbim shëndetësor 24 orë në qendrën shëndetësore. Pas këtij vendimi vjen edhe rikonstruksioni i plotë dhe pajisja e kësaj qendre shëndetësore, një investim shumë i nevojshëm për këtë zonë”, tha Manastirliu.
Qendra Shëndetësore e Fratarit i shërben 4800 banorëve, ndërsa shërbimi u urgjencës që tashmë është garantuar 24 orë i shërben rreth 9 mijë banorëve të Fratarit dhe zonave përreth.
Rikonstruksioni i plotë dhe pajisja e qendrës shëndetësore pritet të përfundojë brenda muajit Dhjetor të këtij viti dhe është një investim me vlerë 6.7 milion lekë.
“Qeveria shqiptare po investon si asnjëherë më parë në infrastruktuën e kujdesit shëndetësor parësor me rehabilitimin këtë vit të 80 qendrave shëndetësore. Vetëm në qarkun e Fierit, investojmë në 11 qendra shëndetësre gjatë vitit 2018”, u shpreh Ministrja Manastirkiu.
Programi i Qeverisë parashikon rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore dhe pikave të ambulancave në 4 vite.