Postuar më: 03 Korrik 2018

Manastirliu: Shërbim okulistike dhe syze falas për banorët e Shtëpive të të Moshuarve

Ministrja me aktoren Yllka Mujo bëjnë thirrje për më shumë përkujdesje për moshën e tretë

 

Tiranë, 3 Korrik - Të gjithë të moshuarit që banojnë në institucionet publike rezidenciale do të përfitojnë vizitat e specializuara dhe syze falas.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku lajmëroi se për herë të parë shërbimi i okulistikës do të ofrohet i plotë për banorët e Shtëpive të të Moshuarve në të gjithë vendin.

“Nga sot ofrojmë një shërbim të ri për të moshuarit e shtëpive rezidenciale publike: Vizita mjekësore periodike për sytë dhe syze të posaçme për çdo të moshuar që ka nevojë për to. E nisim nga Tirana ku sot po kryhen vizita mjekësore për rreth 50 të moshuar dhe do ta vijojmë këtë program në të gjithë Shqipërinë, për të garantuar këtë shërbim shumë të nevojshëm për të moshuarit e shtëpive rezidenciale publike”, tha Manastirliu.

E shoqëruar nga aktorja e njohur e kinematografisë Yllka Mujo, Ministrja Manastirliu bëri apel për më shumë përkujdesje për moshën e tretë.

“Fatmirësisht bërthama e familjes shqiptare është ende e fortë, por –siç na kanë treguar dhe rastet e fundit të braktisjes së të moshuarve- fenomeni i i të moshuarve që kanë nevojë për ndihmë, sa vjen dhe rritet. Shteti ka patjetër përgjegjësinë e vet, siç veproi në rastin e të moshuarve nga Korça, por secili mund të bëjë diçka. Le ti kthehemi traditave tona të mira, të respektojmë dhe të përkujdesemi për gjyshërit”, tha Ministrja.

Për t’ju garantuar kushte sa më dinjitoze të moshuarve të braktisur, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po investon në shtëpinë e të moshuarve në Shkodër, e cila shumë shpejt përfundon rikonstruksionin e plotë. Gjithashtu po përfundon rezidenca e Palasës, që do të jetë një shtëpi pushimi për moshën e tretë.

Referuar të dhënave të fundit, 30% më shumë të moshuar janë sot në institucionet publike rezidenciale dhe ditore, krahasuar me 10 vite më parë. Në institucionet rezidenciale publike në të gjithë vendin janë aktualisht 251 të moshuar dhe 72 të moshuar të tjerë marrin shërbime ditore në qendrat publike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

 

###