Postuar më: 07 Prill 2017

Manastirliu: Të angazhuar për shtimin e qendrave mbështetëse

Korçë/ Inagurohet shtëpia mbështetëse për personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor
 
Sot Dita Botërore e Shëndetit, Manastirliu: Të angazhuar për shtimin e qendrave mbështetëse
 
Korçë, 7 Prill 2017 - Në përmbushje të planit të veprimit kombëtar për zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Shqipëri dhe në frymën e deinstitucionalizimit të shërbimeve të shëndetit mendor, Ministria e Shëndetësisë vijon të zgjerojë shërbimet me shtëpitë mbështetëse për personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
Sot, në Ditën Botërore të Shëndetit, zv. Kryeministri z. Niko Peleshi, znj. Ogerta Manastirliu, ministër i Shëndetësisë, Dr. Nazira Artykova, përfaqësuese e OBSH-së në Shqipëri dhe Drejtore e Zyrës Vendore të OBSH-së, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor inaguruan shtëpinë e re mbështetëse në qytetin e Korçës, e cila është rikonstruktuar dhe pajisur, tërësisht me fonde të buxhetit të shtetit.
 
Gjatë fjalës së saj, znj. Ogerta Manastirliu, ministër i Shëndetësisë, u shpreh: "Grupi i sëmundjeve të shëndetit mendor është i treti për nga pesha që zë në barrën e sëmundshmërisë, pas sëmundjeve kardovaskulare dhe atyre tumorale. Gjej rastin, sot në Ditën Botërore të Shëndetit, e cila ka në fokus depresionin, të theksoj prioritetin tonë për të shtuar kapacitetet e këtyre shtëpive mbështetëse por edhe për të rritur numrin e tyre, pasi ne besojmë se riintegrimi në jetesën në komunitet është ivestimi më i mirë që mund të bëjmë për të sëmurët me probleme të shëndetit mendor.
 
Zëvendëskryeministri, z. Niko Peleshi, në fjalën e tij tha: "Kjo është një qendër fantastike, sipas një koncepti shumë modern, me synim riaftësimin dhe rikthimin e në jetën normale të personave me probleme të shëndetit mendor. Dua të pergëzoj ministren që, padyshim, vjen me një model shumë të suksesshëm nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza” dhe tani në drejtim të Ministrisë së Shëndetësise".
 
Rikonstruksioni dhe pajisja e shtëpisë mbështetëse në Korçë është financuar nga buxheti i shtetit me vlerë 42.8 milion lekë. Në këtë shtëpi mbështetëse shërbimi akomodohen 12 banorë me probleme të shëndetit mendor, të cilët transferohen nga Spitalet Psikiatrik. Kujdesi i ofruar është multidisiplinar, me mjekë psikiatër, psikolog, punonjës social, inferimer, me qëllim përkujdesen dhe rehabilitimin e këtyre personave me probleme të shëndetit mendore. Në total janë 13 shtëpi mbështetëse në të gjithë vendin tonë në të cilat janë akomoduar 138 banorë me probleme të shëndetit mendor.
 
###
 
Dita Botërore e Shëndetit nën moton: “Depresioni, le të flasim”, të dhëna dhe fakte për depresionin:
 
Depresioni është shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe paaftësisë në mbarë Botën. Sipas vlerësimeve të OBSH-së, numri i të prekurve nga depresioni është rritur në mënyrë dramatike në 10-vjeçarin e fundit. Sot në Botë janë rreth 300 milion njerëz që jetojnë me depresion. Stigma dhe mungesa e mbështetjes për personat që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor ka nxitur OBSH-në të ndërmarrë fushatën “Depresioni, le të flasim”.
 
###