Postuar më: 11 Prill 2017

Manastirliu: Vetëm në QSUT investuam 2.5 mln € për pajisje të teknologjisë së lartë

SPEC CT, pajisja më e e re diagnostikuese në QSUT - e vetmja e këtij lloji në shërbim publik dhe jopublik në Shqipëri
 ​
Manastirliu: Vetëm në QSUT investuam 2.5 milion euro për pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë
 ​
Tiranë, 11 Prill 2017 - Një pajisje unikale diagnostikuese e teknologjisë së re, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, është instaluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pajisja SPECT CT do të ndryshojë tërësisht mënyrën e egzaminimit të tumoreve që në stade të hershme, duke rritur maksimalisht saktësinë e diagnozës për pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale. Kjo pajisje do të përdoret edhe për diagnostikimin e një grup sëmundjesh në shërbimin e Urologjisë, Neurologjisë, Kardiologjisë, Endokrinologjisë etj.

Znj. Ogerta Manastirliu, ministër i Shëndetësisë, pa nga afër investimin e ri në këtë Qendër, e shoqëruar nga drejtori I Prgjithshëm i QSUT-së z, Enkelejd Joti si dhe profesorët, shefat e shërbimeve të Neurologjisë, Urologjisë, Kardiologjisë, Nefrologjisë, Interne, etj.

"Mbetet një ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë shqiptare fuqizimi i spitaleve tona me pajisje të teknologjisë së lartë, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë të shërbimeve mjekësore. Në fakt, vetëm për QSUT-në në këto katër vite janë investuar rreth 2.5 milionë euro në pajisje mjekësore dhe sot i shtohet gjithë flotës së pajisjeve bio-mjekësore kjo aparaturë e re, aparatura e Spect-CT, e cila është një aparaturë unikale, e teknologjisë së lartë, jo vetëm në spitalet tona publike, por dhe në ato private. Pra është e vetmja aparaturë sot në Shqipëri e cila, ndihmon në diagnostikimin e hershëm por gjithashtu dhe në ndjekjen e pacientëve mbas diagnostikimit"- u shpreh znj. Manastirliu, ministër i Shëndetësisë.
Pajisja SPEC-CT është pajisje diagnostikuese hibride, e cila perdor kombinimin e lëndëve radioactive(quantet gama) dhe rrezatimin X për të marrë imazhet e organeve. Ndryshe nga diagnositikimet e deritanishme statike, kjo pajisje kryen një diagnostikim dinamik të organeve, cka do të thotë që rrit cilësinë e diagnostikimit të tumoreve që në stadet e para, e për rrjedhojë, eficienca e trajtimit të sëmundjeve tumorale është më e lartë. Kjo pajisje përdoret në Urologji, Neurologji, Kardiologji, Endokrinologji dhe një ndihmesë të veçantë jep në Onkologjik, me kryerjen e egzaminimit "all body", ku arrin të fraksionojë dhe stadifikojë diagnostikën e tumoreve dhe jep nje infromacion të saktë për trajtimin radioterapeutik të kryer. SPECT CT ka kushtuar 73.8 milion lekë është mundësuar falë bashkëpunimit të projekteve të QSUT me Agjensinë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Kjo pajisje do ti shërbejë rreth 1500 pacientëve në vit, për diagnostikimin e saktë të sëmundjeve.

Më poshtë, fjala e plotë e znj. Ogerta Manastirliu, ministër i Shëndetësisë:

Mbetet një ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë shqiptare fuqizimi i spitaleve tona me pajisje të teknologjisë së lartë të cilat ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë të shërbimeve mjekësore. Në fakt, nuk ishte kohë e largët koha kur mund të kujtojmë që edhe në këtë Qendër, pra në Qendrën Spitalore Universitare kishte pajisje të cilat nuk funksiononin, të cilat funksiononin në mënyrë periodike për shkak të mungesës së regjimit të mirëmbajtjes, kemi vendosur tashmë prej katër vitesh regjime të mirëmbajtjes full-risk pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë, jo vetëm në QSUT por në të gjithë Shqipërinë.

Ndërkohë që kemi rritur investimet për të gjithë spitalet në lidhje me pajisjet mjekësore. Në fakt, vetëm për QSUT-në në këto katër vite janë investuar rreth 2.5 milionë euro në pajisje mjekësore, kujtojmë këtu, Angiografin në laboratorin e Hemodinamikës, kujtojmë këtu aksileratorin-inear dhe skanerin Simulator në shërbimin e Onkologjisë, kujtojmë këtu setin e pajisjeve në shërbimin e kardio-kirurgjisë dhe gjithashtu i shtohet gjithë flotës së pajisjeve bio-mjekësore kjo aparaturë e re, aparatura e Spect-CT,e cila është një aparaturë unikale, e teknologjisë së lartë jo vetëm në spitalin publik, pra në QSUT, në spitalet tona publike por dhe në ato jo publike. Pra është e vetmja aparaturë sot në Shqipëri e cila, ashtu edhe siç ju thatë, ndihmon në diagnostikimin e hershëm por gjithashtu dhe në ndjekjen e pacientëve mbas diagnostikimit.

Është një pajisje e cila do të shfrytëzohet, shpresoj maksimalisht, sepse paralelisht dhe burimet njerëzore do trajnohen dhe po trajnohen në saj të një bashkëpunimi që ne kemi me Agjencinë Atomike të Energjisë në Vjenë, në saj të këtij bashkëpunimi dhe këtij partneritetit ne kemi sot dhe këtë pajisje e cila është një investim i përbashkët në vlerën rreth 73 milionë lekë.

Unë do doja të shprehja dhe një herë angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë shqiptare për të vazhduar investimet në sistemin tonë spitalor, në infrastrukturë dhe në infrastrukturën e pajisjeve mjekësore por mbi të gjitha ajo çfarë është e rëndësishme është investimi në burimet njerëzore.

 

---###---