Postuar më: 28 Shkurt 2018

Ministrja Manastirliu: Masa të forta për çdokënd që abuzon me detyrën

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" shkarkimin e menjëhershëm nga detyra për punonjësit e QSUT, të cilët janë filmuar nga një emision investigativ, duke kryer akte mitmarrjeje, në kundërshtim me ligjin, në këmbim të shërbimit shëndetësor që qytetarët marrin falas në spitalet publike.
Duke dënuar me forcë çdo akt korruptiv, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë të gjithë rastet në të cilët u vonohet apo u mohohet shërbimi shëndetësor dhe u kërkohet rryshfet. Në të njëjtën kohë, sigurojmë qytetarët se do të marrim të gjitha masat e nevojshme për këdo që abuzon me detyrën, duke u mohuar qytetarëve marrjen e shërbimit që meritojnë.
Në kuadër të reformës për përmirësimin e shërbimeve publike përmes lehtësimit të procedurave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon punën për shtrirjen e shëndetësisë elektronike, me synim eleminimin e praktikave korruptike, rritjen e transparencës dhe aksesit në shërbimet shëndetësore.
Duke falenderuar median për evidentimin e rasteve të tilla, ftojmë edhe një herë qytetarët, të mos ngurojnë të denoncojnë çdo rast kur u kërkohet rryshfet për marrjen e shërbimit shëndetësor. MShMS është e vendosur ta luftojë këtë fenomen në bashkëpunim me organet e drejtësisë, në mënyrë që çdo punonjës që kryen akte korruptive, të ketë ndëshkimin e merituar!