Postuar më: 02 Maj 2018

MShMS dënon dhunën në Shtëpinë e Foshnjes në Vlorë

“Program vlerësimi për punonjësit e qendrave të përkujdesit social në të gjithë vendin”

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë aktin e dhunës nga punonjëset në shtëpinë e foshnjes në Vlorë dhe inkurajon organet e drejtësisë të marrin masa për ndëshkimin e merituar të punonjëseve për dhunim të të drejtave të fëmijëve.
 
Menjëherë pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop” në TV Klan, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur grupin e kontrollit të përbërë nga punonjës të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, Shërbimit Social Shtetëror dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vlerësimin dhe trajtimin e fëmijëve si dhe vlerësimin e situatës psikologjike të të gjithë fëmijëve të kësaj qendre të përkujdesit social. Ky grup do të bëjë gjithashtu vlerësimin e kushteve të ofrimit të kujdesit social për fëmijët si dhe të punës së të gjithë punonjësve të qendrës, me qëllim marrjen e masave.
 
Nisur nga kjo ngjarje, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nis nga Vlora, për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë, programin e vlerësimit me ekipe të specializuara, të përbëra nga psikologë, punonjës socialë dhe ekspertë të fushës, të cilët do të kryejnë vlerësimin e të gjithë fëmijëve që marrin shërbime në qendrat e përkujdesit në të gjithë vendin, qofshin këto qendra nën administrimin e pushtetit vendor siç është Shtëpia e Foshnjes në Vlorë apo qendra kombëtare të përkujdesit, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
 
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim dhe me ekspertë të Ministrinë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve do të çelë progamin e vlerësimit të stafit që punon në qendrat rezidenciale dhe ato ditore në të gjithë sistemin, duke marrë masat për çdo rast që nuk arrin plotësimin e kritereve.
Duke falenderuar median për evidentimin e kësaj ngjarje, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpreh angazhimin për përmirësimin e standarteve dhe monitorimin e tyre me rigorozitet nga strukturat e shërbimit social shtretëror për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në interesin më të lartë të tyre!