Postuar më: 26 Janar 2018

MSHMS, thirrje publike për mjekët: Aplikoni për bonusin 2.5 milion lekë

Ja cilat janë specialitetet për mjekët që janë të gatshëm të punojnë me bonus në spitalet rajonale dhe bashkiake


Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ftoi sot publikisht mjekët specialistë të interesuar të punojnë në spitalet rajonale dhe bashkiake, të paraqesin kërkesën e tyre për tu punësuar me bonus 2.5 milion lekë (të vjetra) mbi pagën.

Pak ditë pas miratimit të vendimit për rritjen e masës së bonusit nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpalli specialitetet për të cilat kërkohet punësimi i mjekëve, sipas nevojave të spitaleve.

Sipas thirrjes së bërë publike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton mjekët specialistë të specialiteteve:
▫️kirurgji
▫️anestezi reanimacion
▫️kardiologji
▫️obstetrikë-gjenekologji
▫️neurologji
▫️pediatri,
▫️imazheri
▫️mjekësi interne
▫️ortopedi-traumatologji

të cilët janë të gatshëm të punojnë në spitalet rajonale apo bashkiake, për të ofruar shërbim mjekësor për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit, me të drejtë rinovimi, me kushte dhe aktivitet të përcaktuar, bazuar në vendimin e marrë për masën e bonusit deri në 250 mijë lek plus pagën e mjekut, të paraqesin kërkesën e tyre në adresën
e-mail: info@shendetesia.gov.al brenda datës 01.02.2018


Në mbledhjen e fundit, Qeveria shqiptare mori vendimin e rëndësishëm për të rritur pagesën e bonusit për mjekët specialistë që pranojnë të shkojnë në spitalet ku ka mungesa të mjekëve. Nga 1 milion lekë pagesë në muaj, masa e bonusit do të rritet deri në 2.5 milion lekë të vjetra, plus rrogës, sipas specialiteteve, për të plotësuar në këtë mënyrë nevojat me mjekë specialistë dhe për të ofruar shërbimin sa më afër qytetarëve.


Nga sot, kush mjek specialist do pranojë të shkojë në spitale jashtë Tiranës, ku ka nevojë për specialistë, sipas specialiteteve do të marrë deri në 2.5 milionë lekë (të vjetra), me një shkallëzim mbi rrogë, që, kur mjeku merr përsipër të shkojë në një spital rajonal apo bashkiak në këto zona, të mund të ketë një fitim real.

Fondi i vënë në dispozicion nga Qeveria Shqiptare për këtë vit është 52 milion lekë, për mjekët që do të japin shërbimin aty ku janë nevojat.