Postuar më: 09 Korrik 2018

Qendër e re shëndetësore në Maminas, Manastirliu: Nis puna për rindërtimin e 80 Qsh

Qendër e re shëndetësore në Maminas, Manastirliu: Nis puna për rindërtimin e 80 qendrave brenda 2018

Maminas, 9 Korrik - Ndërtohet qendër e re shëndetësore në Maminas, një model i qendrave të kujdesit parësor, nga infrastruktura dhe shërbimi që ofron.

“Është ndër qendrat më të mira të shërbimit Parësor dhe është një shembull I mirë se si bashkëpunimi I Ministrisë së Shëndetësisë me pushtetin vendor dhe biznesin, mund të sjellin rezultate të tilla në shërbim të komunitetit”, u shpreh Ministrja Manastirliu gjatë vizitës në qendrën e re të Maminasit në Durrës.

Duke shprehur angazhimin e Qeverisë për përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës në shërbimin shëndetësor Parësor, Manastirliu tha se ka nisur puna për rindërtimin e 80 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

“Vetëm në qarkun e Durrësit rehabilitohen 6 qendra shëndetësore këtë vit, në kuadër të programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore në 4 vite, 80 prej të cilave rindërtohen këtë vit”, tha Manastirliu.

Në qarkun e Durrësit këtë vit rikonstruktohen Qendra Shëndetësore nr 5, qendra shëndetësore nr 6 në plazh, pika e ambulancës në Porto-Romano, pika e ambulancës në Shetaj (Ishëm), qendra shëndetësore Shënavlash (Rrashbull) dhe qendra shëndetësore Derede në Krujë.

Brenda vitit përfundon rindërtimi I 80 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

 

###