Postuar më: 06 Mars 2017

Qendra elektronike e Urgjencës Mjekësore, shërbim në kohë reale në gjithë territorin

Tiranë, 06/03/2017 - Përurohet Njësia e Koordinimit të Urgjencave të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore që do të sigurojë prezencë të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit. Sot u vu në funksionim sistemi i ri dixhital i komandës dhe kontrollit, i cili pas mbylljes së fazës së testimit në fillim të muajit prill do të marrë thirrjet në kohë reale përmes dy numrave pa pagesë, në 24 orë, nga i gjithë vendi dhe do të komandojë e koordinojë lëvizjet e autoambulancave e të ekipeve mjekësore në gjithë territorin. Njësia e Koordinimit sjell shkurtim drastik të kohës së shërbimit, monitorim elektronik të lëvizjes së mjeteve, raportim në kohë reale i kryerjes së çdo shërbimi urgjence.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përurimin e Njësisë së Koordinimit të Urgjencave të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore:

Përshëndetje të gjithëve!

Përgëzime për këtë punë realisht shumë të admirueshme, duke u nisur nga një bazë jashtëzakonisht dekurajuese. Ishte jo e largët, por vetëm 3 vite e gjysmë më parë, kur nisi reforma, Shërbimi i Urgjencës ishte në një situatë dramatike.

Sot jemi në kushte tërësisht të tjera, kur mund t’u themi me plot gojën të gjithë qytetarëve se në datën 3 prill është planifikuar futja me orar të plotë dhe me fuqi të plotë e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës në të gjithë territorin. Këto ditë shfrytëzohen për të bërë të gjithë testimet dhe kolaudimet e nevojshme të një programi ultra modern, i cili garanton thirrjen dhe përgjigjen në kohë reale, garanton komandë në kohë reale të mjetit më të afërt me vendndodhjen, koordinim të të gjithë mjeteve dhe monitorim të lëvizjes së mjetit në kohë reale, me një raportim në kohë reale të përfundimit të misionit.

Nga një shërbim tërësisht manual dhe i degraduar, kalojmë në një shërbim që ngrihet mbi një tru elektronik, të instaluar në Qendrën Kombëtare të Urgjencës dhe mbi mundësinë për të administruar të gjitha burimet njerëzore dhe mjetet në dispozicion, në mënyrën më efikase.

Sot kemi pothuajse dyfishin e autoambulancave. Ato funksionojnë 24 orë në 7 ditë të javës. Duke u bazuar tek projekti i kësaj reforme, jo më vetëm në qendrat e rretheve, por në çdo qytet të Shqipërisë, ato nuk qëndrojnë më të parkuara në një spital kryesor, por të parkuara për t’iu përgjigjur çdo autoambulancë 22 mijë banorëve, nga 41 mijë që ishin deri më sot, si raport i mjeteve me banorët. Këtu garantohet një siguri dhe shpejtësi e pamenduar deri 3 vjet e gjysmë më parë. Është një model i suksesshëm, i aplikuar në Austri, Gjermani, Itali, me teknologjinë e duhur për marrjen, për vlerësimin e kërkesës për ndihmë dhe për dërgimin e mjetit, bashkë me personelin e duhur në territor.

Koha kur i bije telefonit të Urgjencës dhe dilte i zënë pambarimisht, sepse ai që duhej të përgjigjej, flinte dhe telefonin e linte me atë telin e zi varur përtokë, ka marrë fund. Çdo telefonatë, të cilat janë pa asnjë pengesë, gjen menjëherë akses tek operatori. Operatorët janë të gjithë me profesion dhe dinë jo vetëm të marrim telefonatën, por edhe të japin në kohë reale këshillat e duhura aty për aty, në pritje të ardhjes së shërbimit të specializuar.

Çdo e dhënë e çdo operacioni ruhet automatikisht në sistem, gjë që bën të mundur krijimin e një regjistri të të gjithë ngjarjeve dhe për të gjithë pacientët, duke krijuar kushtet që mbi këtë regjistër të veprohet në mënyrë të menjëhershme, në rast përsëritjeje. Kjo krijon kushtet që pacienti të jetë i regjistruar edhe për vazhdimësinë e marrëdhënieve të tij me shërbimin tonë shëndetësor. Historiku i pacientit është një bazë shumë e nevojshme. Shërbimi bëhet edhe më eficient, bazuar tek mbledhja e këtij historiku.

Ajo që vlen të theksohet është se krijohet mundësia edhe për të vlerësuar performancën e shërbimit dhe të çdo ekipi mjekësor, bazuar tek të dhënat e regjistruara të operacionit, ku çdo sekondë është e monitoruar. Ka një fillim dhe një mbarim që përbën harkun e një operacioni, gjë që e bën të pamundur atë që ka ndodhur për 20 e ca vjet, kur i jepe urdhri ambulancës të nisej dhe kur nisej, nëse nisej, kur arrinte, nëse arrinte dhe kur kthehej, mbetej krejtësisht në dorë të shoferit.

Investimet për shërbimet e urgjencës në personel dhe në pajisje janë shtrirë në disa spitale rajonale, në Shkodër, Vlorë, Lezhë, Durrës dhe do të vazhdojnë në të gjithë spitalet e Shqipërisë. Sikundër është shumë e rëndësishme të theksohet se buxheti i këtij viti për shëndetësinë është buxheti më i madh qysh prej vitit 1990 dhe është i barabartë me 3% të Prodhimit tonë të Përgjithshëm Kombëtar. Kjo shënon një rritje rreth 30%, krahasuar me 3 vjet e gjysmë më parë.

Ne nuk e diskutojmë që ka ende shumë për të bërë, sepse sistemi që trashëguam ishte i falimentuar, i rrënuar dhe me nevojën për një remont kapital tërësor, duke e marrë sektor për sektor dhe element për element. Edhe përmirësimi i infrastrukturës është i ndjeshëm, por duhet dhe do të vazhdojë intensivisht. Krahas investimeve direkte nga buxheti i shtetit, ne do të fillojmë investimet nga programi “1 miliardë për rindërtim”, që përfshin, përveç infrastrukturës  rrugore të niveleve të ndryshme dhe infrastrukturës arsimore, edhe ndërtimin e një spitali rajonal ekselence në Qarkun e Fierit, si dhe të 10 qendrave shëndetësore ekselence në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Këto investime, krahas përmirësimit të kushteve dhe cilësisë së shërbimeve, do të krijojnë hapësira për rritje të ndjeshme të nivelit dhe të përfshirjes së profesionistëve të shëndetësisë.

Besoj që çka na u demonstrua sot dhe çka qytetarët do të prekin në jetën e tyre të përditshme, në çdo rast nevoje për urgjencë mjekësore, flasin më shumë se 1 milionë fjalë. Krahasuar me çfarë duhet të bëjmë, jemi ende larg, por krahasuar me çfarë kemi bërë, duke marrë si pikë reference nga u nisëm, është bërë vërtetë një punë kolosale për të rilindur sistemin tonë shëndetësor. Kjo është diçka që preket dhe diçka për të cilën marrim falënderime pafund nga ata që kanë nevojë për shërbim dhe marrin këtë shërbim. Ndërkohë që perceptimi i përgjithshëm vazhdon të mbetet problematik, si rezultat i shumë viteve zhgënjime nga shërbimi ynë shëndetësor.

Falënderoj edhe njëherë ata që punuan me këtë projekt fantastik. Çmoj jashtëzakonisht shumë faktin që u arrit të bashkëveprohej me një kompani italiane, që është një nga shembujt më të shkëlqyer të suksesit në përdorimin e teknologjisë së lartë në shërbimin shëndetësor në Europë.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe suksese!

---###---

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë në përurimin e Njësisë së Koordinimit të Urgjencave të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore:

Shumë faleminderit të gjithëve dhe suksese!

I nderuar Kryeministër Edi Rama,

I nderuar shkëlqesi Ambasador Cuttillo,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Mysafirë nga Kosova,

Mjekë, inferimierë, drejtues të institucioneve shëndetësore,

Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore është angazhim i Programit të Qeverisë dhe është një nga pesë prioritetet kryesore të punës së Ministrisë së Shëndetësisë në këta katër vite.

Sot jemi në një moment të rëndësishëm në përmbushjen e këtij angazhimi.

Qytetarët e Shqipërisë ashtu si kushdo tjetër në botë, më së shumti, kërkojnë tri gjëra nga sistemi shëndetësor i vendit të tyre:

- Sigurinë që në rast nevoje autoambulanca arrin në kohë optimale dhe ka personelin dhe pajsijet adekuate;

- Në rast sëmundje, ka një sistem referimi në hallkat e të cilit lëvizet pa vonesa dhe sorollatje; dhe,

- Të fusin sa më pak që të jetë mundur dorën në xhep për të paguar vetë.

Sot, prezantojmë Qendrën e Komandës dhe e Kontrollit. Realizim i përpjekjeve dy vjeçare. Këtu do të mbërrijë çdo thirrje nga gjithë Shqipëria në rastet kur qytetarët do të ndjejnë nevojën e urgjencës mjekësore dhe prej këtu do të urdhërohet misioni i çdo autoambulance në të gjithë territorin.

Teknologjia që do të përdoret në këtë qendër është bashkëkohore. Është po ajo që përdoret në Itali, Francë, Austri, Gjermani, Turqi. Është standart i sotëm në Europë.

Kjo qendër është në gjendje të administrojë rreth 3000 thirrje në ditë. Pra më shumë se 1 milionë në një vit. Kështu, është mëse e mjaftueshme për një popullsi 2,9 milionë banorë, përfshirë edhe rritjen e madhe të njerëzve që janë njëherësh në Shqipëri gjatë stinës së verës.

Të shtunën ka patur një deklarim se shëndetësia është më keq se në vitin 1990. Nëse kjo që shohim sot këtu është më keq se në vitin 1990, çdokush mund të bëjë vlerësimin e vet. Ky është vetëm një shembull midis shumë ndryshimeve e përmirësimeve rrënjësore që kanë ndodhur në shëndetësi në këta 3 vjet e gjysëm.

Që kreu i Opozitës nga halli se s’po di ç’të bëjë me çadrën mund të thotë çdo lloj brockulle edhe mund ta kuptoj.

Me të drejtë mund të na thuhet pse nuk e bëmë më shpejt, 6 muaj apo dhe një vit më parë. Ndoshta, edhe disa muaj më parë mund ta kishim bërë. Por që kjo nuk ekzistonte në shtator 2013 e dijnë të gjithë. Po ju them që nuk kam gjetur në shtator 2013 as në letër ndonjë plan.

Përpos kësaj, jam i vetdijshëm se kemi ende shumë për të bërë për t’u dhënë shqiptarëve kujdesin shëndetësor që meritojnë.

Edhe me Shërbimin Kombëtar të Urgjencës Mjekësore. Sepse, besoj se ajo çfarë kemi bërë deri tani ka qënë më e lehta. Sfida reale fillon në ditët në vijim.

Na duhet të vëmë në eficencë këtë qendër. Na duhet t’u tregojmë shqiptarëve se miliardat e lekëve të shpenzuara për këtë qendër janë për të mirën e shëndetit të tyre. Dhe nuk janë pak, por 3 miliardë lekë.

Do të na duhet të përgjigjemi në kohë për çdo thirrje.

Do të na duhet të nisim autoambulancën brenda 1 minute nga administrimi i thirrjes.

Do të na duhet të arrijmë në vendndodhje brenda 15 minutash në qytet dhe brenda 20 minutash në fshat ku ka rrugë të asfaltuara.

Do të na duhet të rrisim besimin tek qytetarët se në rast nevoje urgjence, autoambulanca arrin në kohë optimal dhe është më mirë të presësh sesa të drejtohesh me automjetin tënd për në spital.

Në dhjetor 2016, vetëm 50% e shqiptarëve kishin besim te shëndetësia publike. Shifër jo e kënaqshme. Kemi ende shumë punë punë për të bërë për rritur besimin. Por, ama, në dhjetor 2013 ata që besonin ishin vetëm 30%.

Pak më lart ju thashë se teknologjia që prezantojmë sot është e standarteve të sotme europiane. Kjo falë bashkëpunimit me grupin italian Beta80. Beta80 është lider në Itali në centralet e urgjencës dhe të emergjencës.

Ftoj drejtues dhe përfaqësues të grupit për të prezantuar Beta80 dhe zgjidhjen e apilkuar në Shqipëri.

---###---