Postuar më: 11 Mars 2017

Reanimacioni i ri në Berat, Beqaj: Rrisim cilësinë e shërbimit

Përurohen mjediset e reja të shërbimit të Reanimacionit

Beqaj: Rrisim cilësinë e shërbimit në spitalin rajonal të Beratit

-185 milionë lekë investim për pajisje dhe rikonstruksionin e mjediseve

-Nga 1 Marsi, mjekët e infermierët që shërbejnë në Urgjencë dhe Reanimacion, krahas rritjes së pagës prej 10%, përfitojnë edhe një rritje të dytë me 25%

-1 në 2 shqiptarë besojnë sot tek shëndetësia publike, nga 1 në 3 në 2013

Berat, 11/03/2017 – Spitali Spitali rajonal i Beratit ka tashmë një sallë moderne dhe të pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme mjekësore në shërbimin e Reanimacionit. Në sajë të investimit prej 185 milionë lekësh për blerjen dhe instalimin e pajisjeve të reja mjekësore, si dhe rikonstruksionin e mjediseve, ky shërbim ka tashmë një pamje krejtësisht tjetër.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, inspektuan nga afër mjediset e reja të Reanimacionin, si dhe u njohën me ecurinë e punës në këtë shërbim.

Në prononcimin e tij, z. Beqaj theksoi se ky lloj shërbimi e rrit cilësinë e kujdesit shëndetësor të spitalit teksa risolli në vëmendje edhe vendimin e miratuar javë më parë nga Qeveria për mjekët dhe infermierët që shërbejnë në Urgjencë dhe Reanimacion, të cilët, krahas rritjes së pagës prej 10%, do të përfitojnë edhe një rritje të dytë me 25% duke nisur nga data 1 Mars.

“Edhe ky lloj shërbimi këtu e rrit cilësinë e shërbimit të spitalit. Shpeshherë, falë punës që bëhet këtu mirë, edhe çfarë bëjnë kirurgët apo mjekët e tjerë, ka dhe më shumë sy dhe vlerë, por besoj se dhe perceptimi i qytetarëve për spitalin rritet.

Domethënë, rritja e besimit të qytetarëve tek shërbimi lehtëson dhe punën tuaj. Në Dhjetor, rezulton që gjysma e shqiptarëve besojnë tek shëndetësia publike. Unë nuk jam i kënaqur. Po në Dhjetor 2013 ka qenë 30% besimi dhe sot ka arritur 50%”, theksoi z. Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë bëri të ditur, gjithashtu, se në spitalin rajonal të Beratit do të ketë së afërmi të tjera investime. “Besoj se edhe çfarë pritet së afërmi në spitalin e Beratit, domethënë brenda Korrikut, vijnë pajisje të reja mjekësore, brenda vitit do të fillojë edhe kirurgjia e Beratit të ketë instrumeta të sterilizuar dhe instrumenta modernë, brenda 12 muajsh edhe komplet shërbimi i laboratorit do ketë ndryshuar, kështu që të gjitha këto do ta rrisin ndjeshëm edhe atë çfarë ju ofrojmë qytetarëve por edhe besimi”, u shpreh z. Beqaj.

Shërbimi i Reanimacionit ka në dispozion të pacientëve 8 bokse ndërkohë z. Beqaj nënvizoi se këto janë “investime që kanë ardhur edhe nga buxheti dhe nga administrimi shumë më i mirë që i bëhet të ardhurave që krijohen në spital, dhe e rëndësishme është që, qoftë paratë që vijnë nga buxheti i shtetit që janë kontribut i të gjithë taksapaguesve, por edhe të ardhurat që krijohen që janë kontribute që vijnë nga qytetarët e Beratit rikthehet po këtu në një shërbim shumë më të mirë”.

---###---

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Edhe ky lloj shërbimi këtu e rrit cilësinë e shërbimit të spitalit. Shpeshherë, falë punës që bëhet këtu mirë, edhe çfarë bëjnë kirurgët apo mjekët e tjerë, ka dhe më shumë sy dhe vlerë, por besoj se dhe perceptimi i qytetarëve për spitalin rritet. Domethënë, rritja e besimit të qytetarëve tek shërbimi lehtëson dhe punën tuaj.

Në Dhjetor rezulton që gjysma e shqiptarëve besojnë tek shëndetësia publike. Unë nuk jam i kënaqur. Po, në Dhjetor 2013 ka qenë 30% besimi, dhe ka arritur 50%.

Dhe unë besoj se kjo rritje besimi, në radhë të parë, është meritë e juaja. Sigurisht, ne jemi përpjekur që të shtojmë furnizimet me barna, materiale mjekësore, ti kemi më të vijueshme, të kemi në gatishmëri pajisjet e rëndësishme, por besoj se edhe çfarë pritet së afërmi në spitalin e Beratit, domethënë brenda Korrikut, vijnë pajisje të reja mjekësore, brenda vitit do të fillojë edhe kirurgjia e Beratit të ketë instrumeta të sterilizuar dhe instrumenta modernë, brenda 12 muajsh edhe komplet shërbimi i laboratorit do ketë ndryshuar, kështu që të gjitha këto do ta rrisin ndjeshëm edhe atë çfarë ju ofrojmë qytetarëve por edhe besimin.

Unë besoj se është shumë i rëndësishëm rritja e besimit, besim i cili duhet ta pranojmë të gjithë bashkë, sepse e ndjejmë, jetojmë, ka qenë i lëkundur, jo për fajin e bluzave të bardha, por ngarkesën më të madhe, për fat të keq, e kanë marrë bluzat e bardha.

Janë 185 milionë lekë që janë investuar pajisje dhe gjithë rikonstruksioni i gjithë mjedisit, janë 185 milionë lekë të investuara për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin e Reanimacionit në spitalin rajonal të Beratit. Investime që kanë ardhur edhe nga buxheti dhe nga administrimi shumë më i mirë që i bëhet të ardhurave që krijohen në spital dhe e rëndësishme është që qoftë paratë që vijnë nga buxheti i shtetit, që janë kontribut i të gjithë taksapaguesve, po edhe të ardhurat që krijohen që janë kontribute që vijnë nga qytetarët e Beratit rikthehet po këtu në një shërbim shumë më të mirë.

---###---