Postuar më: 03 Mars 2017

Referimi Elektronik, një tjetër hap drejt digjitalizimit të shëndetësisë

Prezantohet një tjetër element i rëndësishëm i Shëndetësisë Elektronike

Beqaj: Referimi Elektronik, një tjetër hap drejt digjitalizimit të shëndetësisë

“e-Referral” ul ndjeshëm ecejaket dhe sorollatjet e panevojshme të qytetarëve

Tiranë, 03/03/2017 – Pas vënies në zbatim të Recetës Elektronike dhe Nënshkrimit Elektronik, Referimi Elektronik është hapi i radhës i Ministrisë së Shëndetësisë për jetësimin e programit të Shëndetësisë Elektronike. Prezantimi i sistemit të ri të njohur si “e-Referral” u bë në një takim të organizuar me mjekët, infermierët dhe punonjësit e sistemit të kujdesit Parësor shëndetësor të Tiranës dhe drejtues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

I pranishëm në këtë takim, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj theksoi se të gjitha këto projekte përveçse do të jenë një ndihmë e madhe për vetë punën e mjekëve, do të lehtësojë gjithashtu edhe qytetarët, si dhe do të rrisin edhe më tej besimin e njerëzve tek sistemi shëndetësor në vend.

“Unë besoj se të gjitha projektet bashkë do të fillojnë t’ju ndihmojnë në punën tuaj, do të lehtësojnë qytetarët, dhe përgjithësisht, do të fillojnë të japin një imazh më të mirë për të gjithë sistemin. Dhe, besoj se imazhi i mirë i sistemit, besimi që do të rritet tek shqiptarët për kujdesin shëndetësor, do të lehtësojnë punën tuaj”, u shpreh z. Beqaj.

Ministri bëri të ditur se investimet e kryera deri më sot, së bashku me ato që janë në zbatim e sipër dhe që pritet të fillojnë së shpejti për digjitalizimin në shëndetësi, arrijnë në total vlerën e konsiderueshme prej 36 milionë eurosh. “Praktikisht, për çdo shqiptar kemi shpenzuar dhe po shpenzojmë 12 euro vetëm për digjitalizimin,” theksoi z. Beqaj, duke shtuar se “nga pikëpamja e autentifikimit me nënshkrimin elektronik, shëndetësia publike është sektori më i avancuar në Shqipëri në këtë drejtim”.

“Qëllimi është që qytetarët të bëjnë sa më pak ecejake, të mos ja lemë qytetarit barrën që ta marrë ai me vete dokumentacionin mjekësor, të fillojmë të popullojmë gradualisht me dosjen elektronike të shëndetit, dhe padyshim, edhe ju vetë të mund të bëni një punë shumë cilësore dhe të jetë dhe një punë me transparencë dhe me element vetëllogaridhënieje”, theksoi z. Beqaj.

Gjithashtu, në takim u prezantua edhe mënyra e funksionimit të sistemit të ri të Referimit Elektronik nga Dr. Mirela Hasanaj, Drejtore e Qendrës Shëndetësore të Specialiteve Nr. 2 në Tiranë, ndërkohë që edhe zj. Mirlinda Karçanaj, kreu i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, shpjegoi për të pranishmit se si do të funksionojë ky sistem në kuadrin e shërbimeve të ofruara nga portali i shërbimeve qeveritare “e-Albania.al”.

---###---

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Në fakt, ndoshta na u desh shumë kohë për tu bërë gati, dhe ka qëlluar që këtë periudhë të Shkurtit-të Marsit, të kemi njëherësh, praktikisht, që edhe Receta Elektronike, edhe Nënshkrimi Elektronik dhe Ekzaminimi Elektronik, që ndoshta në momentin e parë do të ketë pak ngjeshje në kohë, por unë besoj se të gjitha projektet bashkë do të fillojnë t’ju ndihmojnë në punën tuaj, do të lehtësojnë qytetarët, dhe përgjithësisht, do të fillojnë të japin një imazh më të mirë për të gjithë sistemin. Dhe besoj se imazhi i mirë sistemit, besimi që do të rritet tek shqiptarët për kujdesin shëndetësor, do të lehtësojnë punën tuaj.

Po nisem nga kjo që kishte këtu (prezantimi i sistemit të referimit), 100 mijë vizita në vit, ekzaminime, dhe 245 mijë banorë. Pra, praktikisht i bie që, mesatarisht çdo njeri, mesatarisht një herë në vit ka ardhur për këtë punë. Po, minimalisht, duhet të vijë dy herë, ndonjëherë dhe tre herë. Në një Poliklinikë Specialitetesh, vjen fillimisht për të zënë radhën e vizitës, vjen për të bërë vizitën, dhe ndoshta, përgjigjen nuk e merr njëherësh. Pra, minimumi, kemi që çdo person, për të mbaruar punë duhet të vijë dy herë, po ndoshta, dhe tre herë. Që do të thotë, vizitohet Qendra Shëndetësore në vit nga 500 mijë vetë, gjatë gjithë vitit. Volumi është shumë i madh. Mundësi financiare për të krijuar hapësira të mrekullueshme pritje, recepsionesh, etj., nuk është se kemi. Atëherë, shfrytëzojmë inovacionin dhe teknologjinë në mënyrë të mençur edhe për të lehtësuar këtë punë.

Praktikisht, ende portali “e-Albania”, përdoret pak, por sot që flasim, kushdo mund të marrë Kartën e Shëndetit, mund të kontrollojë rezultatet e “Check-Up”-it, dhe janë të paktën 360 mijë vetë çdo vit që e bëjnë “Check-Up”-in, do të fillojnë të bëjnë këto gjëra.

Ndërkohë që ne fillimisht vetëm në faqen web të Fondit (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor), kemi vënë një motorr të vogël kërkimi, kush ka patur mundësi ta shohw, që një qytetar fut ID-numrin dhe merr vesh se ku e ka QSH-në e vet dhe mjekun e vet të familjes. Se shumica e njerëzve që janë ende të shëndetshëm, edhe në moshë mesatare, nuk kanë ndonjë marrëdhënie shumë transparente me kujdesin shëndetësor Parësor.

Nëse do të kishim ndjekur një radhë logjike, ne, në fakt, duhet ta kishim filluar nga digjitalizimi i vizitave në Parësor. Në fakt, ne kemi nisur nga fundi, sepse e nisëm me Recetën (Elektronike) fillimisht. Po e nisëm me Recetën (Elektronike), sepse aty konstatonim herë pas here abuzime financiare. Dhe e nisëm me Recetën (Elektronike) për të kursyer lekë dhe për të përdorur po ato lekë, po në sistem. Tani që po përdoret, Receta (Elektronike) e ka lehtësuar shumë edhe punën e mjekut, edhe të infermierit, edhe të farmacistit, për t’ju lënë më shumë kohë për tu marrë me mjekësi. Mbasi erdhi radha e Recetës, gjykuam bashkërisht, a ka mundësi ta shmangim letrën fare? Dhe gjeneza e idesë tonë për të përfshirë Nënshkrimin Elektronik ka ardhur pikërisht nga shmangia e letrës.

Receta Elektronike na dha një avantazh shumë të madh, me të cilin, ne tani mund të zgjerohemi në inovacion në mënyrë të pakufizuar. Sepse prej Recetës jemi detyruar që secili prej jush të ketë një kompjuter, laptop apo PC, dhe një lidhje interneti. Dhe duke pasur një laptop dhe një lidhje interneti, pra duke pas bërë investimin në hardware dhe komunikacion, investimi software po mbaron, ju në Poliklinikë të Specialiteteve jeni pjesë e “e-Health”, tani keni “e-Ekzaminimet”, ndoshta bashkërisht, brenda javës duhet ta ndajmë, do e quajmë “e-Ekzaminim” apo “e-Referim”, sepse ka diçka nga të dyja por, dhe gjithashtu, duhet ta shfrytëzojmë këtë platformë që dhe përgjigjet kur mbarojnë ato analizat e ndryshme njerëzit ti kenë edhe në sistem, dhe kushdo ti shohë dhe në sistem. Nuk është më e domosdoshme që të vijnë prapë për të marrë përgjigjen, se prapë radhë është.

Unë e kam konstatuar këto vite në drejtimin e Shëndetësisë që, veç të tjerash, qytetarët kanë një ndjenjë pasigurie ndaj sistemit, po jo nga pikëpamja e asaj se çfarë diagnozeje do j’u venë mjekët. Kanë një lloj pasigurie në hallkat e sistemit: ai vjen nga mjeku i familjes dhe thotë shko në Poliklinikë do të bësh këtë ekzaminim. Ai niset dhe thotë do të gjej mjekun, s’do gjej mjekun, punon pajisja, s’punon pajisja, do të ketë furnizim, s’do të ketë furnizimm dhe jeton me këtë ndjenjë pasigurie, e cila e shoqëron gjatë gjithë kohës. Ne edhe lëvizjen e parë që bëmë, -tashmë u bë dy vite e gjysmë që e bëmë recetën nga një muaj në dy muaj,- në funksion të kësaj e bëmë. Sepse, pamë që 95% e recetave nuk ndryshonin në dy muaj ngjitur. Dhe ju e dini shumë më mirë, të sëmurët kronikë, prej vitesh, nuk është se ndryshon terapia çdo muaj.

Investimet nuk janë të vogla në para për takatin e financave publike shqiptare dhe të shëndetësisë shqiptare. Sepse, kur vjen puna tek teknologjia, duke qenë se e gjitha pothuajse vjen nga jashtë, shpenzojmë po aq sa në Perëndim. Tani duhet që bashkërisht të përpiqemi që këto investime të bëra, ato çfarë do të vijojnë ,dhe në total për digjitalizimin në shëndetësi, janë zbatuar dhe janë në zbatim e sipër apo për të filluar, 36 milionë euro. Praktikisht, për çdo shqiptar kemi shpenzuar dhe po shpenzojmë 12 euro vetëm për digjitalizimin. Nuk janë pak për takatin tonë.

Me të drejtë ju mund të bëni pyetjen, ti kishim përdorur për të rritur rrogat tona. Pyetje legjitime është! Pacientë mund të thonë ne kemi mungesa, në qoftë se ne kemi përgjithësisht një përmirësim të furnizimit me barna, të sëmurët kronikë kanë kosto të përmuajshme materiale mjekësore. Duhet që, në radhë të parë, kjo t’ju lehtësojë ju, t’ju rrisë cilësinë e punës, t’ju japë mundësi për të bërë më shumë punë mjekësore, më pak punë administrative, t’ju japë një lehtësi që, praktikisht, vitin tjetër çdo lloj kontrolli ti thoni mos na kontrollo më ne, kontrollo sistemin se ne vetëm kemi klikuar, nuk kemi shkruar më asgjë. Në qoftë se sistemi nuk është me logjikë në rregull, në momentin që është në rregull, ju as për një recetë s’mund të jeni më përgjegjësinë se e dhatë gabim, muajin tjetër kur recetat të jenë të gjitha nga sistemi, dhe ekzaminimet dhe referimet sepse ne nëse të gjitha rregullat që ka Fondi i përkthejmë në logjikë në software, s’ka pse të ndodhë më asnjë gabim.

Ndërkohë, kjo mundësi, shumë shpejt do të na ofrojë dhe një tjetër lehtësi. Po punojmë me Programin Zvicerian (Health for All) që të ndërtojmë një platformë web edhe për edukimin në vazhdim. Se e thashë, momenti që ne kemi investuar për hardware dhe për telekomunikacionin, s’kemi më asnjë kufizim për të shtuar shtresa të ndryshme të softwere. Diskutova me Lindën (Mirlinda Karçanaj, kreu i AKSHI-t), mund të realizojmë shumë lehtësisht që edhe në “e-Health” edhe në “e-Ekzaminime” edhe në “e-Prescription” edhe në “e-Signature” të keni një username, password unik. Dhe, nga pikëpamja e autentifikimit me Nënshkrimin Elektronik, shëndetësia publike është sektori më i avancuar në Shqipëri në këtë drejtim.

Ne kemi dokumenta elektronike zyrtare dhe kemi Nënshkrim Elektronik zyrtar. Vula dhe firma, gradualisht nuk janë më elementë të detyrueshëm në punën tuaj të përditshme. Duhet pajisja, interneti edhe çelësi unik që është vetëm i juaji për identifikimin dhe autoidentifikimin në sistemin e Nënshkrimit Elektronik.

Sigurisht, që momentin e parë do ketë ngarkesë. Çdo pajisje të re edhe kur e blejmë në shtëpi, edhe ju vetë në punën tuaj të specialiteteve nga para 20-vjetësh në sot, software-i ka ndryshuar, sonda e ECHO-s vjen e ndryshme, por ama, praktikisht, kemi një avantazh të madh që Qeveria ka vënë një rregull që këto sisteme nuk kontraktohen nëse nuk kanë garantuar në buxhete mirëmbajtjen e tyre. Pra, nga tani për 4 vjet të paktën, se kështu janë kontratat, jemi të sigurt që për çdo defekt, ndryshim, etj., etj., sigurisht nëse do të kërkohet edhe më shumë trajnim ne jemi të gatshëm t’ju mbështesim. Gjykojeni vetë, nëse këto lloj trajnimesh mund t’ju shërbejnë edhe në QKEV, por nëse kurrikulat e tyre i ndërtojnë në mënyrë të tillë nuk është e vështirë ti akreditojmë tek QKEV-ja, dhe në këtë rast aplikimin e bën Ministria e Shëndetësisë, kështu që është shumë më e lehtë edhe pjesa e njohjes së krediteve.

Pra, me një lëvizje, falë asaj çfarë ofron teknologjia ne arrijmë të kemi përmirësim në punën tuaj dhe të rrisim cilësinë e shërbimit, dhe sidomos, të rrisim besimin e qytetarëve tek kujdesi shëndetësor publik. Në “e-Albania” ne kemi disa shërbime, aty kanë arritur të jenë një mijë shërbime aktive. Kushdo që fillon dhe konsulton për një gjë, mund ta konsultojë për gjëra pambarim.

Nuk dua të zgjatem më shumë. Dita sot në Tiranë është e veçantë sepse ka filluar Receta Elektronike, por ne po sot, prezantojmë edhe një shtresë të re, një shtresë shtesë në të gjithë bashkësinë e mbështetjeve që i japim teknologjisë së informacionit, inovacionit, digjitalizimit, telekomunikacionit. Qëllimi është që qytetarët të bëjnë sa më pak ecejake, të mos ja lemë qytetarit barrën që ta marrë ai me vete dokumentacionin mjekësor, të fillojmë të popullojmë gradualisht Dosjen Elektronike të Shëndetit, dhe padyshim, edhe ju vetë të mund të bëni një punë shumë cilësore dhe të jetë dhe një punë me transparencë dhe me elementë vetëllogaridhënie.

Këto sisteme, shumë shpejt, në qoftë se fillojmë të analizojmë scorecard-e të ndryshme do fillojnë të shohim se kush punon më shumë, kush punon më pak. Do të jetë shumë e lehtë, meqënëse do të kemi në një mjedis të përbashkët, rezultatet e ekzaminimeve, të shohim se kush është mesatarja e përgjigjeve negative që kemi në rang vendi apo në rang qyteti, dhe secili nga mjekët kundrejt mesatares. Ndoshta, nuk jemi në gjendje të kemi një sistem absolut vlerësimi, por mesatarja prodhohet nga vetë puna juaj, kush është mbi mesataren apo kush është nën mesataren, do të jetë po ashtu i evidentueshëm. Kush është mbi mesataren do të duhet, do të fillojë, të incentivohet, kush është nën mesataren të paktën do ti kërkohet të shtojë përpjekjet për formim profesional dhe edukim të vazhdueshëm.

Unë dua t’ju kërkoj ndjesë paraprakisht për andrallat që do të keni këto javët e para dhe t’ju falënderoj për optimizmin sesi do ta prisni këtë gjë. Faleminderit!

---###---