Postuar më: 06 Maj 2017

Rikonstruktohet qendra shëndetësore e Cakranit, Fier

Rikonstruktohet qendra shëndetësore e Cakranit, Fier

Përfitojnë rreth 30 mijë banorë të zonës së Cakranit dhe 3 njësive administrative përreth

Cakran, Fier, 6 Maj 2017 - Një bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bëri të mundur rehabilitimin e qendrës shëndetësore Cakran, Fier, e cila ofron shërbim 24 orësh dhe i shërben rreth 15 mijë banorëve të kësaj zone por edhe 3 njësive administrative përreth.

Në inagurimin e Qendrës Shëndetësore të Cakranit merrnin pjesë  znj. Ogerta Manastirliu, Ministër i Shëndetësisë,  Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, z.Christoph Graf, Kryetari i Bashkisë Fier, z.Armando Subashi, përfaqësues të projektit “Shëndet Për të Gjithë” si dhe përfaqësues vendorë.

“Zgjerimi i aksesit dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor cilësor aty ku janë nevojat e popullatës, janë prioriete të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër, ky investim, me mbështetjen e Bashkëpunimit Zviceran, nëpërmjet “Shëndet për të Gjithë”,  përmirëson shërbimin jo vetëm për 15 mijë banorët e zonës së Cakranit, por i shërben edhe tre njësive të tjera administrative, duke mbuluar në total rreth 30 mijë banorë. Është një model të cilin ne duam ta zgjerojmë dhe në qarqe të tjera të vendit”, u shpreh znj. Ogerta Manastirliu, Ministër i Shëndetësisë.

Ndërsa Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf theksoi se profesionistët e shëndetësisë kanë nevojë edhe për infrastrukturë të përmirësuar përveç trajnimeve dhe edukimit të vazhduar. “Bashkëpunimi Zviceran pranoi të mbështesë sektorin e shëndetësisë pasi vumë re se popullata në Shqipëri – veçanërisht në zonat rurale – nuk ka kujdes shëndetësor me cilësi. Synimi i mbështetjes zvicerane nuk janë qytetet e mëdha por zonat e neglizhuara, fshatra si Cakrani. Unë shpresoj se kjo ndihmë zvicerane i përgjigjet nevojave reale të njerëzve në këtë zonë për të marrë shërbime shëndetësore të mjaftueshme dhe dinjitoze”, u shpreh Ambasadori Graf.

Përzgjedhjen për rikonstruksion të Qendrës së Cakranit, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi e vlerësoi  jo vetëm për faktin që përfaqëson një qendër shumë të rëndësishme në gjithë Bashkinë e madhe të Fierit, por edhe për shkak të nevojës për të marrë shërbimet shëndetësore bazë, pranë territorit.

Godina e Qendrës Shëndetësore të Cakranit ish ndërtuar në vitin 1978 dhe që nga ky vit nuk ka pasur asnjë investim apo rikonstruksion. Pas financimit prej rreth 70,000 Euro nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, godina e Qendrës Shëndetësore të Cakranit është rikonstruktuar tërësisht. Gjithashtu qendra u pajis me mobilje: tavolina, rafte, dhe stola pritjeje për pacientët.

Mjekët janë pajisur me “çantën e doktorit”, e cila përmban instrumentet bazë të shërbimit mjekësor, si stetoskop për fëmijë dhe të rritur, puls oksimetër, glukometër, çekiç neurologjik, stetoskop fetal, etj, si dhe janë trajnuar për përdorimin e tyre. Kjo ka bërë të mundur që mjekët të menaxhojnë dhe parandalojnë më mirë gjendjet akute, duke ofruar shërbimin në kohë dhe me cilësi për pacientët e kësaj zone.

Projekti ‘Shëndet për të Gjithë’ ka trajnuar ekipin e mjekëve dhe infermierëve të qendrës për menaxhimin e rasteve, përdorimin e kompjuterëve, e-mailit, dhe internetit, si dhe ka trajnuar drejtorin e Qendrës mbi menaxhimin shëndetësor dhe ekonomistin mbi financat shëndetësore, buxhetimin dhe prokurimet.

Qendra shëndetësore e Cakranit ofron shërbim shëndetësor parësor 24 orësh, duke u fokusuar në Mjekësinë Familjare, nëpërmjet një stafi prej 5 mjekë familjeje dhe 23 infermierë që punojnë në këtë Qendër dhe në 13 ambulancat e fshatrave, me disa lloje shërbimesh.

 

---###---