Postuar më: 08 Maj 2017

Ulet numri i rasteve të reja të të prekurve me talasemi në Shqipëri

Ulet numri i rasteve të reja të të prekurve me talasemi në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Shoqata e Talasemikëve organizojnë konferencë të përbashkët në Ditën Botërore të Talasemisë
 
Në kuadër të Ditës Botërore të Talasemisë, në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë u organizua një konferencë, ku të pranishëm ishin drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, mjekë, infermierë, por edhe vetë pacientë të prekur nga kjo sëmundje.

Kryetari i Shoqatës së Talasemikëve në Shqipëri, z. Musa Zenelaj u shprehet se janë rreth 600 pacientë që vuajnë nga kjo sëmundje në të gjithë vendin ndërsa thekson se nga viti në vit ka pasur një përmirësim të trajtimit të këtyre pacientëve. “Për këtë grup janë rreth 600, po në gjendje shqetësuese janë pacientët me talasemi major që janë rreth 250. Por në krahasim me vitin 2000, që gjendja ka qenë tragjike ana shëndetësore, sot ka një përmirësim të dukshëm”, nënvizon z. Zenelaj duke bërë një apel rritje të dhurimit të gjakut për këta pacient.

Për Prof, Eleni Nastas, mjeke në Shërbimi i Onkohematologjisë, ndryshimi i diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes të individëve me hemoglobin ka ndryshuar në mënyrë spektakolare. “Në këto 40 vjetët e fundit ndryshimi i diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes të individëve me hemoglobin pati ka ndryshuar në mënyrë spektakolare. Sigurisht nga një 10-vjeçar në tjetrin gjithmonë edhe më mirë. Ka ndryshuar në kuptimin sepse mjekimi kryesor i tyre është transfuzioni i gjakut, dhe transfuzioni i gjakut duhet të bëhet i mirëpërcaktuar, individualisht për çdo pacient. Dhe vërtetë që në 10-vjeçarin e fundit ne nuk kemi raste të reja të infektuara nga gjaku. Pra mund të themi që kemi pasur një gjak të sigurt”, shprehet prof Eleni Nastas.

“Tek ne në vite cilësia e shërbimit shëndetësor është përmirësuar, pacientët e vegjël dhe të rritur të cilët trajtohen fatmirësisht në të njëjtën qendër, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, trajtohen në një aspekt shumë planesh, trajtohen nga mjek pediatër, mjek hematolog, mjek hematolog, kardiolog, infeksionit, ortoped, reumatolog dhe menaxhimi i kësaj sëmundjeje që me kalimin e moshës shton komplikacionet themi se është në nivele të mira, të krahasuar dhe me shtete të tjera të Europës. Sot pacientët tanë gëzojnë një jetë të shëndetshme, cilësore, punojnë”, nënvizon Manika Kreka, mjeke pediatre në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ministria e Shëndetësisë bëri të mundur ndryshimin e terapisë duke ofruar për këta pacientë barna të kushtueshme, me rimbursim të plotë nga shtetit. Kështu, vetëm gjatë 1 viti (viti 2016), janë trajtuar me barnat e nevojshme për eliminimin e hekurit të tepërt në gjak 275 pacientë, për të cilët kemi financuar 422 milion lek (Të reja).  Mesatarisht, çdo recetë/pacient kushton 448 mijë lek (të reja) dhe rimbursohet 100% nga shteti.

Vitet e fundit, ka një përmirësim të ndjeshëm sa i përket uljes së të reja me talasemi. Në Tiranë, nga 14 raste të reja në vitin 2013, sot kemi 4-5  raste. Kjo, edhe për faktin se tashmë është bërë i detyrueshëm kontrolli për bartës të talasemisë, i gruas shtatzënë brenda tre mujorit të parë të shatzanisë. Por, incidenca mbetet ende e lartë në Lushnje 7.3%, Berat 7.04%, Fier 9.96%, Sarande 7.92% dhe Shkoder 0.72%. Mjeku i familjes është porta hyrëse në kujdesin tonë shëndetësor,  por edhe për të rritur ndërgjegjësimin për personat në risk për të lindur të sëmurë talasemikë.

Një nga arritjet më të mëdha të institucioneve shëndetësore në këto vite të fundit është rritja e sigurisë së gjakut. Implementimi i një programi cilësor dhe efektiv për transfuzionin e këtyre pacientëve me gjak të sigurte dhe cilësor ka bërë të mundur që gjatë viteve të  fundit të mos ketë raste të reja në grupin e pacienteve me talasemi,  të infektuar nga transfuzioni i gjakut.

###